A është Shqipëria në recesion nga borxhet?
Lajmet që vijnë sot për ekonominë janë të zymta. Top Channel konfirmon atë që kemi raportuar disa ditë më parë se interesi për bonot shqiptare ka shkuar në 11 përqind. Qeveria nuk ka ndërmend të hyjë sërish në tregun ndërkombëtar, por në vend të saj, siç bën me dije Shqip, ministri i Financave do niset për në Lindjen e Mesme për të marrë ndonjë ndihmë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dy projektet e mëdha të qeverisë, ai për Parlamentin e Ri dhe Stadiumin janë ngrirë, kurse nevoja për para po bën që të rriten referencat.
Por parashikimi më i zymtë vjen nga ekonomisti Omer Stringa në një intervistë për Shqiptaren. Ai thotë pak a shumë, se një rritje vjetore e nivelit 5-6% do konsiderohej shumë e mirë (në rast se do ta kishim), mirëpo në rrethanat që e gjithë kjo rritje do të shkonte për të shlyer këstet vjetore të borxhit, i bie që rritja në terma realë do të ishte zero. Mirëpo në terma konkretë jemi në një situatë tjetër. Flitet se kostoja jonë e borxhit ka shkuar në 4% të GDP-së. Nëse kjo është e vërtetë, dhe nëse rritja është në nivelet 2-3%, atëherë kjo do të thotë se ne hamë nga vetja jonë vetëm për të shlyer borxhin, saktëson ai. Në këtë mënyrë borxhet mund ta zhysin vendin tonë në një recesion.
Në një raport të Bankës Botërore, publikuar para dy ditësh, huhet se Shqipëria paguan çmimin më të lartë në rajon për borxhin. Në vitin 2010, qeveria shqiptare pagoi 3.4 përqind të Prodhimit Kombëtar vetëm për interesat, kur në ekonomitë e tjera të ngjashme të Ballkanit Perëndimor, ato variojnë nga 0.6 deri në 1.3 për qind. Banka thotë se tkurrja e rritjes ekonomike mund ti imponojë qeverisë shqiptare të tjera ndërhyrje tek financat publike. Borxhi i qeverisë shqiptare është 2.2 herë më i lartë se sa të ardhurat që ajo mbledh në një vit, tregues ky ndër më të lartit në botë.