E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza zbeh debatin për buxhetin, borxhi në fokus

SHKRUAN: Sabina Veizaj 17-11-2011 13:29

Opozita ka akuzuar dje në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave për përkeqësim të klimës së biznesit, duke harruar deficitin dhe mbajtur nën kontroll në mënyrë arbitrare një pjesë të shpenzimeve dhe investimeve

Debate në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave mes mazhorancës dhe opozitës për borxhin e lartë publik. Deputeti socialist Arben Malaj, ekspert në fushën e financave publike, akuzoi qeverinë për prishje të klimës së biznesit. “Mbajtja nën kontroll e deficitit nga moskryerja e pagesave, për shkak se ka mosrealizim të theksuar të të ardhurave, ka dëmtuar marrëdhëniet me biznesin, ka sjellë impakte negative në ekonomi dhe në përkeqësimin e marrëdhënies biznes me sistemin bankar të vendit tonë. E shoh gjithnjë këtë të përkeqësohet për shkak se ju kërkoni të harroni deficitin, duke mbajtur nën kontroll në mënyrë arbitrare një pjesë të shpenzimeve dhe investimeve"- u shpreh Arben Malaj. Ndërkaq, përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Dorian Teliti, në përgjigje të deputetit Malaj, argumentoi se qeveria nuk mban përgjegjësi për bizneset që kryejnë më shumë punime se plani i përcaktuar në fillim të vitit. "E vërteta është se nëse ne çelim në fillim të vitit një vlerë të caktuar në nivel projekti, Ministria e Financave gjithnjë e ka respektuar atë. Ministria e Financave e merr parasysh, kur bën rishikimet e buxhetit, por nuk mban përgjegjësi nëse punimet e një subjekti të caktuar ecën më tepër sesa plani i caktuar për vitin", tha Teliti. Ndërkaq deputeti socialist Erion Braçe, gjatë diskutimeve për shpenzimet në projektbuxhetin e 2012-ës, i kërkoi përfaqësuesit të financave shifër konkrete dhe të saktë përsa i përket veprave publike të kryera nga bizneset. "Pashë listën e gjitha objekteve që janë vendosur, që i bashkëngjitet ligjit për buxhetin dhe identifikohen në zonën time katër projekte që kanë përfunduar, madje të inauguruara nga tri herë. Dua të di sa për qind e asaj vlere të investimeve zënë faturat për punë të kryera?", tha deputeti Braçe. Kurse Dorian Teliti i Ministrisë së Financave sugjeroi se për një informacion më të detajuar, përsa u takon faturave, duhen pyetur institucionet që zbatojnë projektet. Ministria e Financave financon projektet në plan vjetor. Por pak ditë më parë, në një nga mbledhjet e komisionit të Ekonomisë, deputeti Arben Ahmetaj zbardhi një shifër prej 150 mln euro që qeveria i detyrohet bizneseve për vepra publike të përfunduara. Gjatë mbledhjes së djeshme edhe deputetja Mimi Kodheli ka akuzuar qeverinë se gjatë hartimit të buxhetit për 2012-n nuk është marrë parasysh ulja e borxhit publik. Në përgjigje të saj, deputeti demokrat Sherefedin Shehu sqaroi se nuk mund të planifikohej dot kriza në Eurozonë, deklarate e cila ka sjellë reagimin sërish të PS-së.

“Duhet te largoheni nëse nuk arrini të bëni planifikime” – tha Kodheli. Pasi projektbuxheti i 2012-ës të përfundojë së diskutuari nëpër komisionet kuvendore, do të diskutohet në seancë plenare në parim, në datën 25 nëntor, ndërsa nen për nen do të diskutohet në datën 5 dhjetor 2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›