E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza në eurozonë rrit interesat e Eurobondit mbi 10%

Shqipëria përveç kusureve të tjera duket se rezulton e pafat edhe me interesat në rritje të eurobondit si pasojë e trazirave në eurozonë. Është luhatja e kursit të këmbimit të monedhës euro si pasojë e krizës në vendet e BE-së që ka ndikuar në rritjen e me më shumë se 10% të interesave të eurobondit të parë shqiptar 300 mln eurosh. Rritjen e interesit me më shumë se 10% e ka konfirmuar vetë administratori i Borxhit pranë Ministrisë së Financave, Xhentil Demiraj. Sipas tij, është pikërisht kriza në eurozonë që ka shkaktuar përveç të tjerash luhatje në kursin e këmbimit, gjë që ka ndikuar dhe pritet të shkaktojë interesa në rritje të kësteve të instrumentit financiar që ka dalë në tregun ndërkombëtar. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë të financave publike, pavarësisht se iniciativa e vendeve të Ballkanit që kanë lançuar eurobondet e tyre në tregun ndërkombëtar gjykohet si pozitive, në të njëjtën kohë paralajmëron edhe një rrezik në rritje për interesat e larta që shkaktohen nga kursi i këmbimit, ku euro në tregun ndërkombëtar e gjithashtu edhe në tregun vendas (shqiptar) po dominon dukshëm ndaj monedhave të tjera dhe gjithashtu është mbivlerësuar me disa pikë përqindjeje. Interesi fillestar i miratuar për eurobondin ka qenë 7,5%, duke u rritur deri në 9% dhe sot ai si pasojë e trazirave në eurozonë i ka kaluar 10%. Nga ana tjetër pritet që qeveria shqiptare deri në përfundim të shlyerjes së kësteve dhe principalit të paguajë edhe përqindjen e garancisë që përkthehet në prim sigurie, i cili pritet të jetë sa dyfishi i përqindjes aktuale. Ndërsa pak ditë më parë, Ministria e Financave shleu këstin e parë të Eurobondit, 300 milionë euro, të emetuar në fund të tetorit të vitit të kaluar. Kuponët me çmim 7.5 për qind detyrojnë qeverinë që të paguajë pranë investitorëve që blenë borxhin tonë një shumë prej 22 milionë eurosh, ndërkohë që afati i maturimit të këtij Eurbondi është 5-vjeçar. Në fund të 5-vjeçarit qeveria parashikon të shlyejë 112 milionë euro, pa marrë parasysh trazirat në eurozonë dhe efektet në kursin e këmbimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›