A është e paevitueshme beteja detare SHBA- Iran?
Në vitin 1988, anijet luftarake amerikane u përplasën me forcat iraniane në Gji. Ndërsa tensioni dhe beteja e fjalëve po përshkallëzohet, a ekziston rreziku që historia të përsërisë vetveten?
Operacioni Praying Mantis sot është një shënim në historinë detare amerikane.
Por përplasjet mes anijeve luftarake amerikane dhe forcave iraniane në Gji në prill të vitit 1988 mund të jenë një parapritë e asaj që mund të jetë një betejë shumë më e madhe detare në rajon.
Sërish duke u kthyer në fund të viteve 80, Irani dhe Iraku ishin në luftë. Konflikti u shtri në Gji dhe iranianët nisën të shënjestrojnë anijet e vendeve që mendonin se mbështesnin Irakun.
Në mars të vitit 1987, presidenti Ronald Regan pranoi që tankerat e Kuvajtit të mbanin flamurin amerikan. Duke vepruar nën ngjyrat amerikane, ato do mbroheshin nga anijet luftarake të SHBA.
Pak javë më vonë, një nga anijet me flamurin amerikan u godit nga një minë iraniane. Një seri përplasjesh të vogla pasuan, që kulminuan në prill 1988 kur një anije luftarake amerikane- USS Samuel B. Roberts- u godit nga një minë iraniane dhe u dëmtua rëndë.
Ishte ky incident që inicoi operacionin Praying Mantis. Në të u përfshinë forca speciale amerikanë, avionë dhe anije. Qëllimi ishte që ti jepej një leksion Iranit.
Dy platforma nafte në det të hapur, që përdoreshin për të koordinuar operacionet e Iranit, u shkatërruan dhe dy anije luftarake iraniane u mbytën ndërsa një tjetër u dëmtua rëndë.
Simon Henderson, një ekspert për Gjirin Persik, i Institutit për Politikat e Lindjes së Afërt me qendër në Uashington, thotë se nëse do ketë një tjetër përplasje detare dyshoj nëse Irani do të mund të sigurojë që anijet e mëdha të jenë të sigurta në port.
Natyrisht, shton ai, pyetja që ngrihet është nëse mjetet detare do jenë vërtet të sigurta atje.
Në terma detarë shumë gjëra kanë ndryshuar që nga vitet 90. Michael Connell, një analist për Iranin në Qendrën për Analizat Detare nuk mendon se përplasjet e atyre viteve janë domosdoshmërisht tregues se si mund të zhvillohet një konflikt aktualisht.
Nuk mendoj se janë një tregues i mirë për dy arsye. Fillimisht, kapacitetet e Iranit, veçanërisht kapacitetet asimetrike, janë përmirësuar ndjeshëm që atëherë. Së dyti, konflikti gjatë betejës së tankerëve ishte i limituar në qëllim. Nëse do ketë sot një konflikt mes Iranit dhe koalicionit të SHBA, ai nuk do jetë i kufizuar.
Lufta asimetrike është një term që përdoret shumë sot. Në thelb tregon se si një kundërshtuar i dobët përpiqet të përballet me një kundërshtar të fortë duke përdorur një varietet taktikash dhe sistemesh armatimi për të krijuar një alternativë ndaj përballjes së thjeshtë anije për anije ose avion për avion.
Irani, dhe në veçanti elementët detarë të Gardës Revolucionare- kanë synuar të ndërtojnë një forcë detare të re, bazuar kryesisht në shumë anije të shpejta e të vogla, kryesisht anije patrulluese, të afta për të mbjellë mina. Këto mbështeten në breg nga baza me raketa anti- anije dhe artileri.
Por sa kërcënuese është një forcë e tillë asimetrike e Iranit?
Zoti Connell thotë: Është e vështirë të thuhet për shkak se kapacitetet e tyre nuk janë testuar kurrë. Thënë kjo, ata ia kanë dalë të kenë të gjithë përbërësit e një force asimetrike dhe e praktikojnë atë rregullisht. Flota amerikane duhet të jetë e shqetësuar.
Në një përballje dhëmb për dhëmb, flota amerikane do mbizotërojë. Por do të duhet ca kohë. Çmimi i naftës do kapë qiellin dhe iranianët mund të qëllojnë me fat një apo dy.
Kurse Simon Henderson është më skeptik për aftësitë detare të Iranit.
Këto taktika janë mbivlerësuar. Flota amerikane është përgatitur për përplasjen tjetër me Iranin prej vitesh dhe nuk ka asnjë synim të humbasë.
Ai gjithashtu është skeptik në lidhje me faktin nëse konflikti do të zgjasë.
Nëse do ketë përplasje, SHBA do të synojë të mbarojë gjërat shpejt e thellë, në mënyrë që të mos ketë më shanse për përplasje të tjera sporadike.
Në përgjithësi, shumica e ekspertëve me të cilët fola, janë të pasigurt nëse Irani, pavarësisht retorikës, do të mbyllë Ngushticës e Hormuzit.
Kjo do të ishte një vetëvrasje ekonomike. Rezultati më i mundshëm është thjesht një turfullim, thotë Michael Connell.
Megjithatë, ndërsa lufta e fjalëve përshkallëzohet, rreziku i një përplasje detare mbetet shumë real.
