E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza e opozitës: Tre formulat për përbërjen e KQZ-së

Share

Tryeza e opozitës e mbledhur për herë të parë sot për vitin 2012, ka diskutuar mbi reformën zgjedhore duke tentuar të shkojë drejt propozimeve të përbashkëta. Në gati dy orë diskutime, krerët e partive të vogla opozitare, së bashku me kreun e PS-së Edi Rama, kanë rrahur idetë dhe formulat për një përmirësim të Kodit Zgjedhor në mënyrë që sa të jetë e mundur të ndalohen me anë të këtij ligji problemet në procesin zgjedhor të vitit 2013. Siç bëjnë të ditur për gazetën burime nga kjo tryezë, një nga diskutimet më interesante ishte ai për formulën e re të përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke e konsideruar si një nga problemet më të mëdha të zgjedhjeve të 8 majit rolin e KQZ-së së drejtuar nga Arben Ristani, dhe duke u bazuar dhe në rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it për këtë çështje, opozitarët kanë ndarë disa opsione se si mund të ndërtojnë një KQZ më të besueshme, e cila sipas tyre të mos bëhet vegël e partisë që është në pushtet. Burimet nga takimi i thanë Temës se u hodhën së paku tre formula, por për asnjërën prej tyre nuk u vendos që të luftohej derisa të krijohen një bindje se cila formulë do të ishte më funksionale  dhe e pamanipulueshme politikisht. Ja cilat janë tre formulat e mundshme të rikompozimit të KQZ-së:

Formula 1: Një KQZ e përbërë me gjyqtarë dhe jo me kandidatë të propozuar nga partitë. Gjyqtarët të zgjidhen nëpërmjet një procesi të besueshëm.

Formula 2: Një KQZ e përzierë, gjyqtarë dhe juristë të propozuar nga partitë.

Formula 3: Një KQZ e balancuar politikisht. Të gjendet mekanizmi i propozimit të kandidatëve të rinj nga partitë, por duke tentuar një balancim sa më të madh, ndoshta duke futur sërish në lojë KLD-në dhe Presidentin në rolin e propozuesve.

Siç mësohet nga anëtarë në këtë tryezë, opsioni i parë ishte dhe më i pëlqyeshmi nga të pranishmit, por nuk u vendos si formulë definitive, të cilën opozita do tia propozojë komisionit për reformën zgjedhor. Më tej krerët e partive opozitare ranë dakord që të propozojnë një rishikim të sistemit aktual zgjedhor duke kërkuar korrigjim të proporcionalit nga propocional rajonal në proporcional kombëtar. Kjo formulë mbështetet shumë nga partitë e vogla, madje jo vetëm të majta, por dhe nga ato në pushtet, të cilat pretendojnë se nga proporcionali rajonal u kanë firuar shumë vota. Koordinatori i opozitës, Preç Zogaj, tha pas takimit se “u diskutua për çështje të sistemit, opozita është për nevojën e një sistemi të korrektimit proporcional kombëtar, por do të vazhdojë të kontribuojë, që kjo kërkesë të realizohet, pa u bërë pengesë për realizimin e kërkesave të tjera. Opozita do ngulmojë edhe për ndryshimin e sistemit, por kërkesat nuk janë kusht për të bllokuar procesin”.

Ndërkohë nga ana tjetër Zogaj bëri të ditur se opozita ka disa kushte për këtë reformë dhe ato kanë të bëjnë me parimin një votues- një votë duke kërkuar kontroll mbi listat, mbi votimin dhe procesin e numërimit, ku dhe pretendohet se bëhen manipulimet më të mëdha. U shpreh dakordësia e të gjitha partive të koalicionit për një reformë zgjedhore që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme në të gjithë elementët e saj. Duke filluar me garantimin një qytetar një votë, me numërimin elektronik , rindërtimin e KQZ-së dhe një administrim krejtësisht të ri të zgjedhjeve në bazë edhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, deklaroi Zogaj.

Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, kryetari i PSV ’91, Petro Koçi, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, sekretari i koalicionit, Ndre Legisi si dhe politikani Preç Zogaj. Mësohet se i vetmi që nuk mori pjesë ishte kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili ndodhej jashtë vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›