A është kjo bashkia e qytetarëve larg politikës?
Në ditën kur mbajti fjalimin e betimit, kryetari i Bashkisë Basha, u kujdes që në media të dilte në pah deklarata e tij se ai do e shkëpuste Bashkinë nga betejat politike dhe do ia kthente atë qytetarëve. Ndoshta nuk ka kaluar shumë kohë për të gjykuar për punën e Bashës, por disa veprime të tij këto ditë nuk të lënë aspak hapësirë për të menduar se ai do bëjë një bashki të shkëputur nga politika.
Kështu, që kur ka nisur punën, në sitin e tij janë publikuar nja shtatë-tetë njoftime dhe më shumë se gjysma lidhen me takime me ambasadorë dhe me personazhe si Volfgang Grosruk. Edhe në ditën e betimit u përpoq të dilte sa më shumë në krah të ambasadorëve, si një përpjekje për të legjitimuar vjedhjen e postit. Ai nuk është as ministër i Jashtëm e as i Brendshëm që të rrijë në faqet e gazetave me ambasadorë të ndryshëm.
Së dyti, nënkryetarja e tij ka deklaruar se arka e Bashkisë është gjetur bosh. Pa përmendur aspak faktin që nuk është miratuar buxhet prej kohësh në atë bashki për shkak të pazareve të ndyra PD- LSI, ajo thotë se nuk kanë gjetur para. Është e kotë të thuhet se bashkia e Tiranës ka qenë më e diskriminuara për fonde e për mbështetje nga pushteti qendror, por ajo ka vuajtur edhe pasojat e një aleance të papërgjegjshme. Ndaj veprimi i nënkryetares është veçse politikë.
Ndaj nuk mund të thuhet se ky njeri do e shkëpusë bashkinë nga politika e do veprojë për qytetarët. Ah, po, po vepron për disa qytetarë, që me shpatullat e ngrohta nga pushteti demokrat kanë nisur të zaptojnë territore e të ndërtojnë ku të munden në Tiranë si pushtues.
Shpresojmë që justifikimi i Bashës se e ka arkën bosh nuk do i shërbejë atij për të thënë se nuk do ul taksat siç ka premtuar. Mos po e teprojmë duke menduar se do uleshin taksat?