Rruga e Arbrit dhe rrugaçëria në projektimin e saj
Rruga e Arbrit nuk është dhiare, është rrugë ku kanë lëvizur mjetet me rrota, shumë herët, qysh në kohën e perandorisë Romake, në Mesjetë e deri fillimet e shekullit të kaluar. Nuk ka njeri sot që të kundërshtojë ndërtimin e një arterie të tillë rrugore, që vitalizon jetën e shqiptarëve në një hapësirë fatkeqësisht të prapambetur edhe pse tepër të pasur në burime natyrore. Më tepër se cilido, veç banorëve të këtyre anëve, janë të interesuar ata që besojnë se potenciali i Shqipërisë qëndron tek përmirësimi i jetës së njerëzve në fshatrat e qytetet e vogla ku ata jetojnë (autori i shkrimit bën pjesë në këtë grup) dhe jo tek eksodi drejt mega qyteteve, ide të cilën duket e përkrah fort dhe kryeministri aktual i Shqipërisë, i cili kohët e fundit po lajthitet se fshatarët duhet të zhvendosen në qytet (sytë nga bregdeti ka qenë më herët parulla e tij), madje përmend dhe shifra që nuk do habiteshin dhe në Honkong e Singapor kur thotë që popullsia e fshatit të bëhet 2-3%.
Një nga vlerat shumë të mëdha të rrugës së Arbrit është se ajo vlerësohet si rruga më atraktive turistike në Shqipëri, duke konsideruar peizazhin e mrekullueshëm natyror të saj.
Pikërisht për këto vlera komplekse të rrugës së Arbrit nga njëra anë, dhe nivelit shumë të lartë të arritur në planin teknik e teknologjik të ndërtimit të rrugëve në anën tjetër, nuk mundet, që në rastin më të mirë, të pranohet paaftësia e projektuesve të kësaj rruge. Fjala është për segmentin më të mrekullueshëm të saj, në vendin e quajtur Shkalla e Tujanit, atje kur kanionet e rralla dhe uji i kristaltë i lumit të Tiranës, që hedh nëpër to vallen mijëra vjeçare janë pashmangshmërisht monument natyre.
Sot, ne pas më shumë se 2000 vjetësh i kthehemi asaj rruge për ta adoptuar për mjetet e shpejta me motor. Por kush na e jep ne të drejtën që të masakrojmë natyrën për gjatë kësaj rruge gjoja në emër të sigurimit të një kostoje më të ulët? Themi gjoja se shumë padrejtësisht asetet natyrore nuk vlerësohen në vlerë monetare, ndryshe nga si vlerësohet për shembull një truall. Masakra që sa ka filluar në skajin e Tiranës së rrugës së Arbrit, në Shkallën e Tujanit nuk mund të mendohet që të ndodhë nga projektues rrugësh, por vetëm nga rrugeçër-projektues. Ashtu si një rrugaç e merr këtë titull nga bëmat e tij jashtë normave në raport me publikun e zakonshëm, po ashtu e meritojnë këtë titull dhe projektuesit e segmentit të rrugës së Arbrit që nuk respektojnë asnjë normë në raport së pari me publikun e projektuesve e specialistëve të rrugëve me specialistët e mjedisit, me specialistët e turizmit, me vendasit, e me publikun në përgjithësi e mbi të gjitha dhunojnë natyrën tmerrësisht keq, duke projektuar një rrugë rrugaçërore e shkatërrimtare. Ky projekt që po zbatohet është produkt i arbërve të sotëm rrugeçër e të paaftë. Themi të paaftë se nuk mund të projektohet një rrugë, pa alternative e më pas të zgjidhet më e mira. Këta projektues (kushdo qofshin dhe nuk më intereson fare ti njoh) nuk mund të mos konsideronin një tunel në vend të masakrës që po bëhet nga zbatimi i projektit të tyre, duke shkatërruar për pak javë në mënyrë të pakthyeshme një ekosistem që natyra e ka ndërtuar për miliona vjet. Këta projektues duket se janë krejt të paaftë dhe dinë vetëm të heqin vija e të llogarisin sa beton duhet për të betonizuar vijat e le të shkretohet gjithçka në vija e anash tyre. Këta duket qartë nuk dinë të projektojnë një tunel. Duket gjithashtu që janë mjeshtra të tenderave, falë dhe tender vlerësuesve që me gjoja kostot më të vogla ja dalin që të jenë në rregull për shkallë më të lartë abuzimi. Porositësit duhet urgjentisht të marrin ekspertë të huaj për të korrigjuar projektin, edhe pse nuk mungojnë dhe ekspertë vendas të talentuar, e ndërkohë të ndërpritet urgjentisht çdo lloj punimi tek Shkalla e Tujanit. Ministria e Mjedisit duhet të zbatojë ligjin e të bllokojë çdo leje mjedisore, edhe sikur ta ketë dhënë atë. Ministria e Turizmit nuk mund të mos prononcohet për këtë dhunim të objekteve që ajo ka të përfshira në guidat turistike të promovuara prej saj. Të mos lejohet të bëhet një ndërtim sot, që as nuk zhbëhet dot më, domethënë që nuk ka projektues më në botë të ribëj kanionet që po hedhim sot në erë me dinamit e po i shqyejmë me fadroma.
Edhe vetëm se kjo rrugë quhet Rruga e Arbrit, duhet të ndërhyhet menjëherë dhe ndalohet kjo barbari arbërore bashkëkohore. Ndryshe, minimalisht, të zhduket emri Rruga e Arbrit e të vihet për shembull Rruga Olldashi apo Rruga Masakra.
