A është kjo ora e "hakmarrjes"? Sonte sfida Itali-Gjermani

Gjermania dhe Italia do zhvillojnë duelin, që është parashikuar të jetë më i ndjekuri i Europianit deri në këto momente. Dy skuadra prestigjioze, me futbollistë të shkëlqyer dhe mbi të gjitha, me një rivalitet historik mes tyre. Në fakt, analiza e sfidës nuk të shtyn të bësh një parashikim me diferenca të mëdha mes ekipeve, por për disa arsye që mund të cilësohen tepër të rëndësishme për fatin e ndeshjes, Gjermania është favorite për të fituar.
Objektivi madhor e parësor i të dyja skuadrave është pa diskutim finalja e 1 korrikut. Prej nga shpresohet të ngrejnë trofeun e kampionit të Europës. Gjithsesi, veç këtij ka mjaft stimuj të tjerë, historikë e të freskët, që ngërthejnë krenarinë e dy prej vendeve me futbollin më të spikatur në kontinent. Ka vend edhe për hakmarrjen e të besuarve të Joachim Lowt, për atë që pësuan në Botërorin 2006, brenda në shtëpinë e tyre, prej skuadrës italiane, e cila asokohe drejtohej nga Marcello Lippi.
Tashmë në “timonin” axurr është Cesare Prandelli, i cili i ka dhënë një tjetër dimension kombëtares së kaltër, ndaj së cilës skepticizmi i opinionit dhe analistëve sportivë ishte në shkallën më të lartë të mundshme, aq sa nuk pritej as kalimi i fazës së grupeve.
Mirëpo, duke tejkaluar edhe goditjen psikologjike që mori pak ditë para se të startonte turneu i kësaj vere, falë arrestimit të disa futbollistëve për trukim të ndeshjeve, apo përfolja e të tjerëve, edhe pjesë e kombëtares italiane, trajneri Prandelli ka “kapërcyer ylberin”. Ai jo vetëm e ka nxjerrë Italinë nga “llogorja” skajshmërisht mbrojtëse, që zvarritej në të gjitha mënyrat për të arritur qëllimin, por e ka transformuar në një ansambël sulmues e të rrjedhshëm në lojë, që të kënaq me futbollin që luan.
“Axurrët” nuk kanë pësuar asnjë humbje në “Euro 2012”, por hera e fundit që Gjermania është mposhtur në një kampionat Europian (përfshi dhe eliminatoret), është 4 vite më pare, në finalen e “Euro 2008”.
Gjermania zotëron një formë më të mirë, ndërsa Italia historinë: ndaj premtohet spektakël. Këmbët e lojtarëve të Low premtojnë se nuk do të ndihen të lodhura, të paktën aq dramatikisht sa i ndodhi Anglisë, “viktimë” e Italisë në çerekfinale.
Por, për të shmangur qarkullimin e topit nga “axurrët”, Gjermanisë i duhet të ketë shumë kujdes në ato drejtime ku “Tre Luanët” dështuan, madje të hartojnë një plan për të ndalur magjikun Andrea Pirlo, sepse fantazisti i Juventusit është truri i lojës së axurrëve.