E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një përballje klasike në Varshavë

Përgatiti: Admir Gremi

Gjermani – Itali

Ora 20:45, në Varshavë

Formacionet e mundshme:

Gjermania: Nojer, Boateng, Humels, Badshtyber, Lahm, Khedira, Shvajnshtajger, Rojs, Ozil, Shyrrle, Kloze.

Italia: Bufon, Abate, Barzalji, Bonuçi, Balzareti, Markizio, Pirlo, Noçerino, Mota, Baloteli, Kasano.

 

GJERMANI ITALI

Dy nga rivalët më të mëdhenj në futbollin europian sfidojnë njëri-tjetrin me synimin për të shkuar në finalen e Euro 2012, më 1 korrik në Kiev

Mesfushori i Gjermanisë është deklaruar i gatshëm për këtë ndeshje, pavarësisht se ka patur nevojë për ndihmë mjekësore në lidhje me dëmtimin e bezdisshëm në kavilje. Trajneri Joakim Lëv mund të rikthejë si titullarë Mario Gomez, Lukas Podolski dhe Tomas Myler, pasi e la pushim këtë treshe ndaj Greqisë.

Xhorxho Kielini, Daniele de Rosi dhe Injacio Abate janë ende në dyshim për trajnerin Çezare Prandeli. Ai mund të rikthehet sërish në mbrojtjen me 3 lojtarë, nëse Abate nuk do të jetë i gatshëm, pasi mbrojtësi tjetër i djathtë, Kristian Maxho, është i pezulluar.

Mjeku i ekipit të Italisë, Enriko Kastelaçi, refuzoi të jepte detaje mbi shanset e Abates, Kielinit dhe De Rosit para ndeshjes së sotme, por i qetësoi tifozët: Po bëjmë gjithçka të mundshme.

Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslav Kloze, 34 vjeç, aktivizohet për klubin italian të Lacios. Sulmuesi veteran shpjegoi se është gati të përdorë italishten e tij për të përgjuar kundërshtarët dhe të transmetojë drejt shokëve të kombëtares taktikat e Italisë.

Do të përpiqem të jem paksa spiun dhe të kaloj çdo gjë të vogël të rëndësishme te shokët e skuadrës, tha ai. Do të mundohem të dëgjoj ndonjë fjalë apo fjali dhe tua raportoj atyre, nëse mund të na ndihmojë më shumë. Gjithsesi, nuk besoj se do të jetë e lehtë, pasi stadiumi do të jetë i zhurmshëm.

Joakim Lëv ritheksoi rëndësi e mesfushorit influencues, Shvajnshtajger, në ekipin e tij, teksa lojtari i Bajernit mori pjesë në një seancë të plotë stërvitore me pjesën tjetër të skuadrës, të hënën, pavarësisht problemit në kavilje. Ai ka një qëndrueshmëri fantastike, tha Lëv. Do të mundohemi të marrim më të mirën prej tij.

Ai është një nga liderët tanë, është maturuar jashtëzakonisht shumë gjatë viteve të fundit dhe mendoj se ka qenë shumë mirë gjatë 3 ndeshjeve të para në grup. Dy tematika kanë dominuar përgatitjet për gjysmëfinalen e dytë të Euro 2012, frika dhe hakmarrja.

Me disavantazhin e 2 ditëve më pak pushim, pa përmendur faktin që luajtën 120 minuta dhe jo 90, Italia ka rikuperuar fuqitë prej rekordeve pozitive kundër gjermanëve përgjatë historisë, pasi këta të fundit nuk kanë mundur të mposhtin axurrët në asnjë nga 7 ndeshjet e kaluara zyrtare. Njeriu i momentit, Andrea Pirlo është shprehur: Ata na kanë frikë, pasi jemi në të njëjtin nivel me Spanjën.

Pirlo dhe Xhanluixhi Bufon janë të vetmit të mbijetuar nga ekipi i Italisë, që triumfoi në ndeshjen e fundit zyrtare 2-0 ndaj Gjermanisë, duke u kualifikuar për në finalen e Botërorit 2006. Sulmuesi veteran i Gjermanisë, Miroslav Kloze, pranoi se humbja në Dortmund ishte një traumë, ndërsa kapiteni Filip Lahm theksoi sigurisht, e kemi ende në mendje atë ndeshje.

Por, trajneri Joakim Lëv, i cili ishte ndihmës i Jurgen Klinsmanit në atë kohë, refuzon të jetojë me të kaluarën: Në futboll nuk ekziston një gjë e tillë, si hakmarrja. Ndeshjet e kaluara nuk kanë aspak ndikim për ne, për lojtarët tanë të rinj, të cilët mund ti mësojnë këto gjëra vetëm nga historia.

Nëse ka ndonjë ekip, që nuk duhet të ndihet i rënduar prej dështimeve të së kaluarës, është pikërisht ky i Gjermanisë, skuadra më e re në moshë e përzgjedhur ndonjëherë për një Europian.

Pikërisht, këmbët e këtyre të rinjve duhet të sigurojnë se ekipi i Lëvit nuk do të ndihet i lodhur, aq dramatikisht sa i ndodhi Anglisë, viktimë e Italisë në çerekfinale. Por, për të shmangur qarkullimin e topit nga axurrët, Gjermania do të duhet të ketë sukses, në ato aspekte ku Tre Luanët dështuan, madje të hartojnë një plan për të ndalur Pirlon.

Mesfushori 33-vjeçar kreu 117 pasime të dielën, më shumë sesa totali i 4 mesfushorëve titullarë të Anglisë. Italia mund të jetë e pamposhtur në ndeshjet zyrtare, nën drejtimin e Çezare Prandelit, por Gjermania ka fituar 15 ndeshjet e fundit zyrtare.

Axurrët nuk kanë pësuar asnjë humbje në Euro 2012, por hera e fundit që Gjermania është mposhtur në një kampionat Europian (përfshi dhe eliminatoret), është 4 vite më parë në finalen e Euro 2008. Gjermania zotëron një formë më të mirë, ndërsa Italia historinë: premtohet spektakël.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›