E Diel, 1 Nëntor 2026

Platini: Teknologjia në vijën fatale, gabim historik

Presidenti i UEFA-s vazhdon politikën e tij kundër topave me çip, që do të shmangnin golat fantazmë

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, beson se FIFA do të bëjë një gabim historik nëse fut teknologjinë e vijës fatale, në një kohë kur janë shtuar zërat për përdorimin e saj pasi Ukrainës iu mohua një gol në ndeshjen kundër Anglisë në Grupin D.

Aktualisht janë duke u bërë teste për të gjetur një sistem të përshtatshëm e të besueshëm, i cili mund të sigurojë një vendim të saktë kur topi kalon vijën fatale.

Megjithatë, ndonëse presidenti i FIFA-s, Sep Blater, e ka mbështetur këtë teknologji, Platini mbetet kundër kësaj ideje dhe nuk është i sigurt nëse do të ishte i interesuar të merrte një ditë postin e Blaterit në të ardhmen.

“Për momentin, nuk jam drejtues i FIFA-s, ka thënë Platini. Nuk e di nëse do të jem unë presidenti i ardhshëm i FIFA-s. Por mendoj se anglezët dhe FIFA janë duke bërë një gabim historik. Ky është mendimi im.”

Platini ka qenë ideatori i futjes së dy arbitrave pas porte në ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës Europa si dhe në Euro 2012 dhe mendon se teknologjia e vijës fatale mund të sjellë disa probleme.

“Unë kam një problem me teknologjinë, ka shtuar ai. në tre sezone të Ligës së Kampionëve dhe Ligës Europa nuk kemi pasur asnjë gabim. Topi kaloi vijën fatale 12 herë dhe ndihmësit e panë dhe vendosën saktë.

Shumë penallti dhe faulle me përjashtim të golit të Ukrainës kundër Anglisë u vendosën nga ekipi i arbitrave. Por fakti se përse jam kundër vendosjes së teknologjisë së video arbitrimit është se goli i Ukrainës ishte në pozicion jashtë loje që në fillim.

Nëse doni teknologji për golin, çfarë do të bëjmë nëse është në pozicion jashtë loje më parë? Kjo do të  thotë se aksioni duhet të ishte ndalur më parë. Kjo është arsyeja pse jam kundër teknologjisë. Ku po shkojmë kështu? Sa herë që qëllon të shënohet një gol dhe në fillim të aksionit ka qenë një lojtar në pozicion jashtë loje, si do të veprohet?

Unë jam plotësisht kundër. Le tua lëmë njerëzve të vendosin. Nuk është fjala për teknologjinë e vijës fatale- është fjala për fillimin e teknologjisë në futboll dhe unë jam kundër saj.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›