E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja në finale, vendosin penalltitë

Përgatiti: Admir Gremi

Portugali      0          (2p)

Spanj렠          0          (4p)

Portugalia: R. Patrisio; Zh. Pereira, Pepe, B. Alvesh, F. Koentrao; Meireles (Varela 113), Velozo (Kustodio 106), Zh. Moutinjo; Nani, Almeida (N. Oliveira 81), Ronaldo. Trajner: Paulo Bento.

Spanja: Kasiljas; Arbeloa, Pike, S. Ramos, H. Alba; Buskets, Alonso; Silva (H. Navas 60), Ksavi (Pedro 87), Iniesta; Negredo (Fabregas 54). Trajner: Visente del Boske.

Gjyqtar: Sunejt Çakir (Turqi).

Kartonë të verdhë: F. Koentrao, Pepe, Zh. Pereira, B. Alves, Velozo / S. Ramos, Buskets, Arbeloa, Alonso.

Portugalia dhe Kristiano Ronaldo barazojnë në 120 minuta kundër kampionëve të Europës, por dorëzohen nga pika e bardhë. Furitë e kuqe shkojnë në finalen e Kievit

Çesk Fabregas konvertoi penalltinë decizive, duke dërguar Spanjën në finalen e Euro 2012, edhe pse barazoi 0-0 me Portugalinë gjatë 120 minutave lojë, duke e bërë të nevojshme goditjen e 11-metërshave, 4-2 për spanjollët në Donjeck. Goditja e Fabregasit u devijua nga shtylla e djathtë e portierit Rui Patrisio, vetëm pak çaste pasi Bruno Alvesh kishte goditur traversën për Portugalinë.

Kristiano Ronaldo humbi një rast të pastër për të kaluar Portugalinë në avantazh, në minutën e fundit të kohës shtesë, ndërsa portieri portugez, Rui Patrisio, bëri dy ndërhyrje shpëtimtare ndaj Hezus Navas dhe Andres Injestës, gjatë kohëve shtesë.

Spanjollët e nisën mirë dhe mund të kishin kaluar përpara që në minutën e 9-të, kur Alvaro Negredo ktheu një top për Alvaro Arbeloan, i cili gjuajti mbi traun e portës edhe pse nga një distancë e afërt.

Injesta lëshoi një gjuajtje të fuqishme nga distanca vetëm 1 minutë më pas, por Portugalia rrezikoi në minutën e 13-të me anë të Ronaldos, i cili mposhti Pikenë në krahun e majtë, para se të krosonte për Nanin, por Iker Kasiljas kërceu në kohën e duhur.

Dominim i portugezëve

Të besuarit e Paulo Bentos e rritën ndjeshëm nivelin e lojës, i zuri frymën mesfushës spanjollë dhe shqetësuan vazhdimisht kundërshtarët me rrezikun konstant të Ronaldos dhe Nanit përpara.

Megjithatë, Spanja krijoi sërish shanse për të marrë kryesimin, në të 29-n, kur asisti i Ksavit gjeti Injestën në brendësi të zonës, i cili kaloi topin në këmbën e djathtë, përpara se të lëshonte një gjuajtje, shumë pak portës së Patrisios.

Brenda 2 minutave, Portugalia u përgjigj me një rast edhe më të mirë, falë punës së palodshme dhe këmbëngulëse të Zhoao Pereirës në zonën e rreptësisë, i cili liroi Ronaldon nga e majta, por gjuajtja e këtij të fundit përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë të Kasiljasit.

Kontrolli i Portugalisë vazhdoi edhe në pjesën e dytë, me Nanin pothuajse në kërkim të vazhdueshëm të Hugo Almeidës, me krosimet e tij të rrezikshme nga krahu i djathtë, gjë që rezultoi e mjaftueshme për Visente del Bosken për ta nxitur të merrte masa, duke hequr Negredon për të aktivizuar Fabregasin në sulm.

Almeida shpërdoroi një mundësi të mirë në të 58-n, kur lëshoi një gjuajtje ambicioze mbi traun e portës së Spanjës, në vend që të pasonte për Ronaldon apo Nanin, të cilët ishin të pa markuar në të dy krahët e sulmit.

Edhe pse me vonesë, Spanja nisi të tregonte shenja energjie, Ksavi lëshoi një goditje të fuqishme drejt e në duart e Patrisios, por pavarësisht se nisën kontrollin e theksuar të topit, rastet vazhduan të ishin të pakta dhe të parrezikshme.

Ronaldo, i cili vazhdonte të terrorizonte mbrojtësit spanjollë në çdo kapje topi, ekzekutoi një goditje dënimi nga mbi 30 metra, por loja nuk ishte më në nivelet maksimale, teksa asnjë ekip nuk po rrezikonte më.

Pikërisht drejt fundit të takimit, erdhi një rast i lavdishëm për Ronaldon, minuta e fundit e kohës së rregullt, kur portugezët me kundërsulm panë Raul Meirelesit të jepte një pasim të saktë për yllin e Realit të Madridit, por ky i fundit gjuajti shumë keq me të majtën e tij.

Penalltitë, të nevojshme

Aktivizimi i Pedros krijoi paksa panik në mbrojtjen portugeze gjatë kohëve shtesë, pasi falë shpejtësisë së tij arriti të jepte një asist për Injestën në minutën e 7-të të shtesës së parë, por gjuajtja e tij tokazi u bllokua nga portieri.

Portugezët u dukën shumë të lodhur, ndërsa Spanja pati edhe një tjetër rast shumë të mirë në të 104-n, kur krosimi i Hordi Albës gjeti Injestën përpara portës, por Patrisio arriti të devijonte gjuajtjen e tij në goditje nga këndi.

Serxho Ramos ekzekutoi një goditje dënimi nga distanca mbi traun e portës portugeze, përpara fundit të shtesës së parë, por u gjet në vështirësi me fillimin e së dytës, kur në vështirësi mundi të pastronte një top të Fabio Koentraos për Ronaldon.

Zëvendësuesi Hezus Navas kishte një tjetër mundësi në të 112-n, pas topit të marrë nga Arbeloa në zonën e rreptësisë, por goditja e tij u prit në pozicion nga Patrisio. Duke qenë se Spanja e ruajti presingun deri në fund, Pedro arriti të shpërthente nga e majta, por topi që po futej në drejtim të zonës u spastrua nga Koentrao.

Ky ishte rasti i fundit i kohëve shtesë, pa ndryshuar shifrat dhe duke bërë të nevojshme ekzekutimin e 11-metërshave. Alonso goditi i pari për spanjollët por Patrisio priti, ndërkohë që Kasiljas u kundërpërgjigj në të njëjtën lartësi në penalltinë e gjuajtur nga Moutinjo.

Injesta, Pepe, Pike, Nani dhe Serxho Ramos shënuan të gjithë nga pika e bardhë, përpara se Alvesh – i cili shkoi në mënyrë të pavullnetshme për të gjuajtur një penalltinë e kaluar, që u shënua nga Nani – të godiste traversën, duke e lënë gjithçka në duart e Fabregasit, i cili e çoi Spanjën drejt finales së Euro 2012.

 

870 minuta pa gola: I adhuroj penalltitë

Iker Kasiljas ishte protagonisti kryesor i Spanjës

Duhet të kesh këllqe për të goditur penallti të tilla si ajo e Serxhio Ramos. Serxhio është një djalë trim.

Nuk ishte e lehtë sepse vinte nga gabimi në Champions, por unë e kam parë në stërvitje. Ashtu si unë, ai i adhuron penalltitë dhe sonte tregoi aftësitë e tij, në këtë mënyrë, Iker Kasiljas, ka komentuar penalltinë e shënuar nga shoku i tij i skuadrës, Serxhio Ramos, në gjysmëfinalen që Spanja fitoi ndaj Portugalisë.

Kasiljas ishte protagonisti kryesor i kampionëve të Europës, teksa priti 11-metërshin e parë të ekzekutuar nga Moutinjo. Nuk isha aspak nervoz. E kam thënë gjithmonë që penalltitë janë një lotari. Sot pata fatin nga ana ime dhe uroj të jetë kështu edhe në finale.

Duam të fitojmë me çdo kusht trofeun. Kristiano Ronaldo nuk e pati mundësinë të godiste penalltinë përballë Kasiljasit, sepse kur shënoi Fabregas rezultati shkoi 4-2 për spanjollët dhe u mbyllën llogaritë. Portugalia ka gjuajtës shumë të mirë nga pika e bardhë, – vazhdoi Kasiljas. – Ishte zgjedhja e trajnerit që Ronaldo të godiste i pesti.

Fatmirësisht nuk mu desh të përballesha me të. Në fund të ndeshje ishte shumë i trishtuar, por na uroi për fitoren. Në fund, numri 1 i Spanjës shtoi: Spanja ka bërë dhe vazhdon të bëj historinë. Eshtë normale që njerëzit të ëndërrojnë me një ekip të tillë.

 

Ramos merr revanshin: Hoqa një siklet të madh

Gaboi penalltinë në gjysmëfinalen e Championsit

Serxhio Ramos imitoi çekun Panenka dhe italianin Pirlo në momentin e ekzekutimit të 11-metërshit ndaj Portugalisë. Mbrojtësi i Realit përfitoi nga fakti që portieri Rui Patrisio u hodh dhe tun

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›