Gjysma e së vërtetës nuk ështe kurrë e vërteta
Zakonisht flitet mirë për ata që ndahen nga kjo jetë. Por kjo vlen për vdekatarët e thjeshtë. Për njerëzit që historia, për merita të tyre apo për shkak të rrethanave i vendon në sferën e personaliteteve publike, e vërteta është një borxh që duhet shlyer pa nostalgji dhe pa mllef. Ata kanë vlerën e asaj që kanë bërë në jetë. Por edhe të asaj që nuk kanë bërë.
Ambicioz, por i përmbajtur, dinak por i matur, Ramiz Alia diti të mbante një pozicion ekuilibri edhe kur nën këmbët e krerëve të tjerë të partisë dridhej toka dhe priteshin koka. I kënaqur kohët e fundit me rolin e ndihmësit, mund të thuhet se priste kohë më të mira për tu dukur. Nuk bëri asgjë për ti afruar këto kohë, por diti të priste.
Thuajse gjatë gjithë karrierës së tij nuk bëri pjesë në pushtetin ekzekutiv të mirëfilltë, gjë që mund të shtyjë të mendohet se nuk qe pjesë e atyre operacioneve të spastrimit politik dhe shoqëror që e ndanë Shqipërinë në dy pjesë: në atë të atyre që kishin pushtetin në dorë dhe në të të përndjekurve. Por, kur Hoxha rrëmonte tokën nën këmbët e kundërshtarëve të tij të njëmendët apo hipotetikë, Ramiz Alia shkrinte tërë aftësitë e tij për ti dhënë dhunës një justifikim ideologjik. Dhe mendonte si të mbijetonte. Kjo e shpëtoi.
Veçse edhe për Ramiz Alinë nuk qe e lehtë të mbetej në majën e piramidës komuniste.
Qysh në gjysmën e parë të viteve 60, në botën e arteve (sektor që mbulohej dhe kontrollohej drejtpërsëdrejti nga Alia) kishte nxjerrë krye ndonjë përpjekje e druajtur për ti dhënë një frymëmarrje pak më të gjerë shprehjes artistike. Në vitin 1964, Ismail Kadareja kishte botuar romanin e tij Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ku partia nuk përmendet kurrë. Një vit më vonë, Dhimitër Xhuvani botoi romanin Tuneli, që u konsiderua një fyerje për klasën punëtore dhe për partinë. Më 1969-n, Minush Jero shkroi dramën Njollat e murrme, e cila u konsiderua një përpjekje e pabesë për të errësuar realitetin socialist.
Në Kongresin V të PPSH, Hoxha kishte shtruar përpara letërsisë dhe arteve detyrën që të shndërroheshin në një armë në duart e partisë. Këto ishin kambana që binin edhe për atë që kontrollonte këtë sektor të jetës së vendit.
Në vitin 1973 u zbulua devijimi i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, dhe u tha se kishte pasur organizata partie, komunistë, kuadro dhe funksionarë që e kishin dobësuar vigjilencën.
Edhe kjo ishte një kambanë që binte (e kësaj radhe shumë fort) për sektorin e ideologjisë dhe të propagandës së KQ. Dhe në krye të këtij sektori qëndronte Ramiz Alia. Por ai e gëlltiti kritikën që i bëhej nga kreu dhe bëri një autokritikë bolshevike.
Është paradoksale, por këto tërmete i dhanë dorë Ramiz Alisë që të mbijetonte. Pas këtyre tronditjeve nuk mund të mos tregonte zell për të respektuar vijën e partisë. Kjo vijë ishte bërë njësh me trillet e kreut, gjithmonë të paparashikueshme, për të cilat, tok me bashkëpunëtorët e sektorit ideologjik të KQ, Alia nuk harroi asnjëherë të bënte një interpretim parimor.
* * *
Shqipëria ishte një vend që ndiente nevojën për një ndryshim (madje edhe të shpejtë), por nuk besonte edhe aq se do të bëhej. Edhe sepse shpresa që lindi me vdekjen e diktatorit ishte e pandashme nga frika që ngjallte e ardhmja e pasigurt.
Alia, i cili duket se nuk kishte këllqe për të qenë një burrë i vërtetë shteti, nuk e rroku flur çastin e përshtatshëm, u tregua i pavendosur dhe humbi rastin të mbetej në histori.
Shpalli se rruga e demokratizimit të jetës së vendit ishte e vetmja rrugë që duhej ndjekur, por shtoi se ai proces mund të bëhej vetëm nën udhëheqjen e PPSH-së. Deklaroi se në një regjim demokratik shkëmbimi i opinioneve është një element i domosdoshëm, por u rrek ta justifikonte mungesën e partive të tjera, përveç PPSH-së, me mungesën e traditës të pluralizmit të partive në Shqipëri dhe propozoi zgjidhjen e habitshme të subjekteve elektorale.
U përpoq të niste një dialog me intelektualët, por në të vërtetë, në takimin me ta, u përpoq të diktonte pikëpamjet e veta, duke e ditur mirë fort se bashkëbiseduesit e tij nuk mund të rrezikonin ti shprehnin krejt haptas opinionet e tyre dhe as lejoi të botohej verbali i takimit.
Ndonjë muaj më parë kishte pritur shkrimtarin Ismail Kadare. Në prill Kadareja i shkroi një letër, gjithë për të njëjtat çështje dhe pas një muaji mori një përgjigje që, si thotë shkrimtari, për te qe si një dush i ftohtë: në atë letër Alia përsëriste hiç më pak se 24 herë fjalën Partia. Taktika tërhiq e mos e këput po bëhej taktika e preferuar. Por, mes heshtjes së nderë të Shqipërisë kishte nisur të dëgjohej gjithnjë e më shumë zhaurima e një tërmeti që po afrohej me shpejtësi.
Alia, me gatishmërinë e një iluzionisti, nxori nga mënga një paketë ligjesh që synonin të demokratizonin jetën e vendit. Ngjante si një garë kundër kohës: duke mos njohur kërkesat e historisë, kokëfortësisht dritëshkurtër për të vënë re gjendjen psikologjike të njerëzve, të pazotët për të prerë me gjithsej lidhjet me të kaluarën komprometuese, Ramiz Alia dhe të vetët po u dilnin përpara kohëve të reja me mendësinë e gjithherë.
Alia i zhgënjeu të gjithë, përkrahësit dhe kundërshtarët. Ishte shumë i zgjuar dhe e kuptonte se shndërrimet ishin të pashmangshme, por dëftente se nuk kishte brumin e reformatorit. Jepte përshtypjen se ishte për demokratizimin e shoqërisë. Por, fatkeqësisht, krijonte bindjen se donte të fitonte kohë. Nuk pati as shikimin e qartë të atij që eksploron rrugë të reja dhe as aftësinë (apo dëshirën) e një prijësi që ti imponohej situatës.
Në vitin 1976, Enver Hoxha kishte deklaruar: Diktatura e proletariatit është e pashkëputur nga demokracia më e gjerë, më e thellë dhe më e plotë për punonjësit. Fare pak vjet më vonë do të shembej kjo aksiomë për komunistët shqiptarë, duke shkaktuar një rrëmujë kaotike midis përkrahësve të linjës së kryetarit të madh. Të hutuar, të çorientuar, ata shikonin drejt majës së piramidës së pushtetit, duke pritur që prej andej të vinte një fjalë ngushëlluese, një orientim i qartë dhe i prerë, një udhëzim shpëtimtar.
Që nuk erdhi: Alia i zhgënjeu të gjithë, përkrahësit dhe kundërshtarët. Ishte shumë i zgjuar dhe e kuptonte se shndërrimet ishin të pashmangshme, por dëftente se nuk kishte brumin e reformatorit. Sidomos vitin e fundit të regjimit komunist u tregua krejt dhe dëshpërimisht i pavendosur. Jepte përshtypjen se ishte për demokratizimin e shoqërisë (madje publikisht e pohonte vazhdimisht) por, fatkeqësisht, krijonte bindjen se donte të fitonte kohë. Nuk u bë farkëtues ndryshimesh të vërteta, por dha shenja se nuk donte të vijonte fije e për pe përvojën e së kaluarës. Me pak fjalë, ishte një njeri që kohë pas kohe dukej se donte të kapërcente pragjet e demokracisë proletare, pastaj vihej në rolin e spektatorit, duke lënë që gjërat të ndiqnin rrugën e tyre.
Në kohëzgjatjen e një viti premtoi dhe i mohoi premtimet, nxiti dhe frenoi; nuk shpalli kurrë një program të tij të qartë dhe të prerë, i la të vepronin të tjerët, edhe pse kultivonte, jo aq shumë fshehurazi, ambicien që të konsiderohej një nga pionierët e kohëve të reja.
Një kryetar shteti që nuk ka mprehtësinë të dallojë përtej realitetit aktual, të cilit i mungon guximi të propozojë një program të qartë dhe të veprojë më pas për realizimin e tij, do bënte mirë të tërhiqej nga skena politike. Ramiz Alia nuk bëri as njërën dhe as tjetrën: gënjeu veten që situata mund të pranonte premtime të vakëta, reforma të cungëta dhe sjellje të papërcaktuara.
Nuk mundi të shkëputej përfundimisht nga një e kaluar për të cilën kishte kontribuar ai vetë dhe bëri që të mbahej gjallë mentaliteti sipas të cilit përbindëshat e së shkuarës vlenin më shumë se shpresat e së ardhmes.
Dikush donte që Alia të ishte Gorbaçovi shqiptar. Mund të ishte, ndo
