E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ishte zhgënjyese pritshmëria kombëtare pas zgjedhjeve në Maqedoni?

23-07-2011 / Nga Ibrahim Kelmendi

Mendoj se pritshmëritë kolektive të shqiptarëve nga zgjedhjet parlamentare në RM (Republikën e Maqedonisë Ilire) janë të ndryshme, varësisht nga këndvështrimi dhe interesi qytetar e partiak. Pritshmëria kryesore, për të pas shqiptarët më shumë parlamentarë se në mandatin e kaluar, rezultoi zhgënjyese. Rezultoi zhgënjyese sidomos për ata që kanë dalë në votime dhe që merakosen për të tashmen dhe të ardhmen. Kurse shumica, që nuk ka dalë në zgjedhje, nuk duhet të ketë pas ndonjë pritshmëri konkrete.
Besoj, kjo duhet të jetë shqetësuese për të gjithë ata që i preokupon avancimi i gjithmbarshëm i barazisë demokratike e nacionale të popullit shqiptar në RM. Në kuadër të këtij shqetësimi, rëndom përhapet një opinion, sikur kjo masë shumicë e qytetarëve nuk ka dalë në zgjedhje, sepse me mosdalje ka dëshiruar të dënojë subjektet garuese partiake. Duhet të jetë e vërtetë kjo? Të presim çfarë do na thonë analistët e përkushtuar (të cilët, për fat të keq sikur nuk i kemi). Kurse disa pseudoanalistë, më mirë të mos i kishim, sepse ata po krijojnë opinione, se nuk ia vlen të votohet, ngase asnjëra parti dhe asnjëri liderë nuk e meriton të votohet. Atëherë, përse këta të gjithë-diturit analistë, nuk bëhen bashkë, që të themelojnë një parti të tyre, duke afirmuar një lider të ri, meritor, për të motivuar këtë shumicë të qytetarëve për të dalë në zgjedhje, bile për të votuar subjektin dhe liderin e tyre.
Mendimi im është se shumica e shqiptarëve nuk ka dalë në zgjedhje, ngase një pjesë e madhe e kësaj shumice duhet të jetë në emigracion. Një pjesë tjetër nuk ka dalë në zgjedhje sepse nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre nacionale, qytetare, sociale, politike dhe demokratike. Vetëm një pjesë fare e vogël duhet të jenë të politizuar si qytetarë protestues.
Pritshmëria kolektive (kombëtare) zhgënjyese, e disfavorshme, vërtetë është e merituar. Atë që mbjell edhe e korr, thotë populli. Kësaj duhet shtuar se nuk varet vetëm çfarë mbjell, por edhe si ia bënë shërbimin. Nëse pjesa më e madhe e (pseudo)intelektualëve “të pavarur” gjatë gjithë kohës përhapin pakënaqësi, disfatizëm, nuk shohin asnjë përparim, por vetëm zezonë, atëherë doemos që qytetarët infektohen nga viruset demoralizues e disfatistë, që përhapin ata. Nëse në media dominojnë vetëm (pseudo)kritikat, se asnjë subjekt partiak e liderë nuk është meritorë, se të gjithë janë të korruptuar, atëherë patjetër qytetarët do të influencohen negativisht. Me këtë rast nuk duhet të keqkuptohem, disa kritikat e tyre janë të vërteta, ama do të kishte qenë më e shëndetshme dhe më dobiprurëse të bëheshin kritika të diferencuara, të argumentuara, që të motivoheshin qytetarët për të dalë në zgjedhje, meqë kishim subjekte dhe liderë të bollshëm alternativë, e unë do të thoja se kishim tepër në këtë garë zgjedhore.
Mbase edhe këto që solla, duhet të jenë ca nga arsyet, pse “shumica” nuk kanë dalë në zgjedhje. E meqë solla proverbin, “çfarë mbjell, korr”, atëherë këto arsye ishin një si breshër, që ka dëmtuar të mbjellat, për të mos korrur atë që ke mbjell dhe për të marrë sasinë e bereqetit që ke pritur.
Cili ishte roli i subjekteve partiake në këtë pritshmëri zhgënjyese? Përpos masës së kritizerëve (pseudo)intelektualëve dhe (pseudo)analistëve “të pavarur”, janë vetë subjektet partiake dhe liderët (komandantët) e tyre, të cilët kanë kontribuar që pritshmëria kryesore, ajo e rritjes se përqindjes se parlamentarëve shqiptarë, të jetë zhgënjyese, e zvogëluar.
Pritshmëria zhgënjyese do të kishte qenë akoma më e madhe, sikur kësaj radhe liderët kryesor, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të mos bënin marrëveshje xhentlemene, për të patur zgjedhje të qeta. Kësaj duhet shtuar edhe garancitë që dha lideri i partisë më të madhe shqiptare, asaj që ishte në pushtet, se kësaj radhe strukturat policore do të mbajnë qëndrim ligjor. Ashtu edhe doli. Shpresoj, mbarëvajtja e zgjedhjeve t’i ketë bërë xheloze subjektet partiake dhe liderët e tyre në Kosovë e Shqipëri, meqë qytetarët shqiptarë, subjektet partiake dhe liderët shqiptarë në RM dëshmuan se janë flamurtarë sa u përket zgjedhjeve të qeta e korrekte, përderisa në Kosovë e Shqipëri ishin më tepër se sa diskredituese.
Po pse atëherë subjektet partiake dhe liderët e tyre janë fajtorë të rangut të dytë për pritshmërinë kryesore zhgënjyese, atë të zvogëlimit të përqindjes se parlamentarëve shqiptarë? (1) Garuan tepër shumë parti, edhe pse e dinin se numri i qytetarëve shqiptarëve në RM është “i vogël”, bile është manipulueshëm i zvogëluar nga nacionalistët maqedonas, të cilët komandojnë administratën e lartë, përkatëse, shtetërore, qoftë sa u përket dhjetëra mijë qytetarëve që nuk u njihet shtetësia, rrjedhimisht as e drejta e votimit, edhe pse ligjërisht u takon, por edhe pse shumë emigrantë shqiptarë, për shkak të disa interesave të tyre të ngushta, na janë bërë gjermanë, zviceranë, amerikanë, etj. (2) Disa nga subjektet partiake dhe liderët (komandantët) e tyre, në emër të përfitimit të sa më shumë votave, dukshëm ndikuan në demoralizimin e qytetarëve, që të mos dalin në zgjedhje, edhe pse duhet të kenë qenë të vetëdijshëm se nuk kanë potencial për të fituar dhe se RM nuk është tamam një shtet demokratik, ku garohet vetëm për interesa sociale dhe ekonomike, por ende garohet për avancim të barazisë nacionale. (3) Gjithsesi, ndikim ka pas edhe përqindje goxha e lartë e qytetarëve shqiptarë, të cilët na janë shpifur në “turq” dhe prandaj duhet të kenë votuar për parti “turke”, e ato ishin në koalicion me liderin nacionalist Gruevski; Askund më qartë se në këtë rast nuk mund të shihet, se për çfarë interesash kanë tjetërsuar identitetin e tyre etnik këta shqiptarë të mjerë, se sa pak peshë luan “solidariteti vëllazëror fetar mysliman”, kur janë në pyetje interesat e tyre, fare të pandershme. (4) Vetë votat që morën subjektet garuese të Imer Selmanit dhe Bardhyl Mahmutit, kontribuan “mekanikisht”, që përqindja e parlamentarëve shqiptarë të zvogëlohet. Etj., etj. Se do të rezultonte pritshmëri zhgënjyese, e kisha parashikuar. Ai parashikim më kishte shqetësuar. Prandaj, tashmë më lejohet ta bëj publike, se para zgjedhjeve të gjithë liderëve ua pata drejtuar një si lutje e propozim: Të gjitha subjektet partiake shqiptare të dalin në garë në koalicion gjithëpërfshirës, vetëm me një listë zgjedhore. Në propozimin kisha shkuar edhe më tej, u kisha propozuar përqindjet e përbërjes se kandidatëve në listë zgjedhore. Ata që mund ta kenë ruajtur atë lutje-propozim, mund të dëshmojnë se i kisha hyrë goxha në hak BDI-së, që e udhëheq ish-bashkëveprimtari, Ali Ahmeti, duke i propozuar vetëm 55 për qind, kurse të gjitha subjekteve të tjera ua kisha ndarë 45 për për qind, po vetëkuptohet, si propozim orientues për t’i nis bisedimet “e fshehta”. Vetëm Aliu dhe ish bashkëveprimtari tjetër, Bardhyl Mahmuti, reaguan (nuk është me rëndësi tani të them se si reaguan). Të tjerët, të paktën nuk u përgjigjen, sa për kurtuazi, se e kishin marrë lutjen-propozimin tim dhe se do të kthenin një përgjigje. E kuptoj, të kapardisur në dëlirin e tyre të madhështisë dhe të mendjemadhësisë, mund të me kenë injoruar, pavarësisht faktit se mund të kishin informata, se Aliu dhe Bardhyli nuk më injoronin...
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›