A janë këta dy emrat që do garojnë për bashkinë e Korçës?
Zbardhen emrat e dy kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale për kreun e bashkisë Korçë, pas lënies së mandatit nga Niko Peleshi për shkak të zgjedhjes së tij si zëvendëskryeministër në kabinetin e ri qeveritar Rama.
Nënkryetari aktual i Bashkisë, Sotiraq Filo, do të garojë në zgjedhjet lokale për të mbajtur bashkinë e qytetit juglindor nga e majta.
Përballë tij do të jetë Gjergji Mero, rektor i Universitetit të Korçës, i cili do të kërkojë votat për PD, për të rrëmbyer drejtimin e kësaj bashkie nga e djathta.
Kandidati i së majtës ndjehet më i fortë, duke qenë dhe pjesë e drejtimit të Bashkisë prej dy vitesh.
I kontaktuar në telefon nga Ora News, Filo u shpreh se do pranojë të kandidojë pasi si nënkryetar i bashkisë i njeh nga afër problemet e qytetit.
Njoh projektet që i janë dedikuar qytetit të Korçës dhe kam qenë bashkëpunëtori më i afërt i Peleshit, tha ai.
Ndërkaq më herët u bënë publikë edhe kandidatët që do të përballen për kreun e komunës Dardhas në Korçë.
Gentjan Pere do të kërkojë votat nën siglën e Partisë Demokratike, ndërsa Genci Hamollari është kandidati i përbashkët i Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Dhe në këto zgjedhje dy partitë, PS dhe LSI do të dalin në një koalicion të përbashkët, me të njëjtin emër që u përdor në votimet e 23 qershorit për votimet e përgjithshme, Aleanca për Shqipërinë Europiane.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së radhës numrin e fletëve të votimit që do të prodhohen për zgjedhjet e pjesshme në Komunën rrethina në Shkodër dhe Dardhas në Korçë.
Gjithashtu KQZ miratoi përmbajtjen dhe renditjen e kandidatëve në fletën e votimit.
Zgjedhjet e pjesshme për kreun e komunës Dardhas në Korçë do të zhvillohen më datë 1 shtator, sikurse do të zhvillohen edhe zgjedhjet për kreun e komunës Rrethina në Shkodër.
Më 27 shkurt, Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave për kryerjen e veprave penale.