E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjiknuri: Ligji antimafia cenon të drejtat dhe liritë e shtetasve

 

Partia Socialiste kërkon shtyrjen e miratimit të ligjit të antimafias. Sipas deputetit Damian Gjiknuri, drafti bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. “Çdo qytetar që mund të ketë vënë pasuri, mund të jetë subjekt i masave të këtij ligji, që do të thotë që pasuria e tij mund të sekuestrohet dhe ai do të japë llogari se si e ka krijuar këtë pasuri, dhe njëkohësisht ligji i jep kompetenca të gjera policisë dhe Prokurorisë, pavarësisht nga përfshirja ose jo e personit në aktivitetet kriminale që parashikon ligji. Ky nocion i ri juridik, jo vetëm që nuk është i qartë, por nuk përputhet me nocionin e ngjashëm që aplikojnë ato pak shtete të cilat e zbatojnë këtë ligj”, deklaroi dje Gjiknuri, gjatë një konference për shtyp në selinë e PS-së. Sipas Partisë Socialiste, miratimi i ligjit në Kuvend do të ishte më mirë të shtyhej dhe të kalohej në një konsultim të gjerë. “Në vend të nxitimin dhe dezinformimit për gjoja arsyet e miratimit të tij, maxhoranca do të bënte mirë të shtynte miratimin e tij në Kuvend dhe të zgjeronte rrethin e konsultimit me të gjithë aktorët e interesuar, si dhe të sqaronte e korrigjonte dispozitat që kanë ngjallur reagim publik si burim i mundshëm abuzimi. Kjo pasi në shtetin e Berishës, ku kultura e pandëshkueshmërisë së qeveritarëve predominon dhe ku sjellja arrogante e qeverisë me këdo tjetër jashtë vathës së saj është normë, zbatimi i këtij ligji do të rrezikonte çdo sipërmarrës apo qytetar jashtë interesit kryeministror, duke u kthyer në një kërcënim serioz të lirive dhe të drejtave të njeriut”, u shpreh deputeti socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›