E Shtunë, 31 Tetor 2026

O ëmbëlsi, o botë, o muzikë!



Kitaristi Alfons Balliçi kujton Tiranën e viteve ‘60-të. Këndohej dhe vallëzohej në kryeqytet. Kishte lokale sidomos verore me orkestrina të mira, që vetëm për t’i dëgjuar shkëputeshin nga “Broduej” i famshëm, “Rruga e Dibrës” dhe kënaqeshim të mrekulluar nga magjia e tingujve. Mbi të gjitha pëlqehej orkestrina e “Vollgës”, ku spikatnin dy vëllezërit Shkoza dhe sidomos kitaristi i njohur, Mehdi Prodani dhe saksofonisti i famshëm, Sazani. Në Teatrin e Operës dhe Baletit një koncert do t’i sjellë këto nostalgji bashkë me siluetën romantike të Balliçit

“O ëmbëlsi, o botë, o muzikë! Atje, trajtat, djersët, flokët dhe sytë, pluskojnë. Atje, trajtat, djerset, flokët dhe sytë, pluskojnë”, janë këto vargjet e Artur Rembosë (1854-1891) që do t’i shkonin për shtat një protagonizmi sentimental, siç është kitara. Nuk donte ta njihte limitin e jetës, ku fillon e mbaron. As për diktaturën e asaj kohe. Ishin viteve ‘60, periudhë e mjerë, kur çdo kënd e cep në Shqipëri së shpejti do të mbyllej nën mbikëqyrje të rreptë totalitarizmi, ndonëse në disa prej rrugëve të kryeqytetit gjithçka po pritej më këngë, valle...

Është artisti, i vetmi që nuk donte t’ia dinte, veç të tregojë botën e brendshme. Dikush me tinguj kitare, dikush një tjetër instrument, apo edhe drejtimin e shumë kontingjenteve të tillë, për hir të artit. Ky ishte edhe i ndjeri, kompozitori i mirënjohur, instrumentisti dhe dirigjenti Alfons Balliçi, i cili ka kërkuar me çdo kusht që të hidhte dritë mbi vlerat e këngës qytetare të Elbasanit. Dhe ia arriti qëllimit. Për këtë, muzikologu Zamir Këlliçi ka kujtuar një pjesë nga aktiviteti i këtij artisti të merituar, për të cilin është shprehur se “vitet ’60-të”, ai që nuk i mban mend, nuk duhet t’i ketë jetuar. Pati një gjallërim të jetës krahasuar me varfërinë dhe izolimin që afronte.

Këndohej dhe vallëzohej në Tiranë. Kishte lokale sidomos verore me orkestrina të mira, që vetëm për t’i dëgjuar shkëputeshin nga “Broduej” i famshëm, “Rruga e Dibrës” dhe kënaqeshim të mrekulluar nga magjia e tingujve. Mbi të gjitha pëlqehej orkestrina e “Vollgës”, ku spikatnin dy vëllezërit Shkoza dhe sidomos kitaristi i njohur, Mehdi Prodani dhe saksofonisti i famshëm, Sazani. Pasi muzikologu Këlliçi përshkruan mënyrë dhe rrethanat e organizmit të aktiviteteve muzikore në kryeqytet, ai na tregon edhe depërtimin e të mirënjohurit në këto, të paktat ansamble, të viteve ‘60-të. “Herë pas here në këtë ansambël orkestral luante edhe një kitarist i ri virtuoz, të cilin e admironin të gjithë dhe në më të shumtën e rasteve enkas për të e lindim “Broduejin”. Qe vërtet virtuoz dhe premtonte shumë të ardhmen, çka u vërtetua në vitet e mëvonshme. Besoj se ata që i kanë jetuar ato kohë me siguri, që do të jenë kujtuar, bëhet fjalë për të mirënjohurin Alfons Balliçi kompozitor, instrumentist dhe dirigjent (Artist i merituar) që tashmë i ka kaluar kufijtë e qytetit të tij të lindjes Elbasan”, - thotë ai. Muzikologu na e evidenton këtë duke na kujtuar se si kompozitor me krijimet e tij ka marrë pjesë në Festivalet e Këngës në Radio-Televizion, “Kur vjen pranvera”, anketat muzikore, koncertet e Majit, festivalet e muzikës popullore, festivalet e fëmijëve. Sipas Këlliçit, krijimtaria e tij është e larmishme, duke filluar nga këngët popullore të përpunuar, këngë të muzikës së lehtë dhe pjesë instrumentale deri tek opereta. Dirigjent i trupës profesioniste të Estradës Elbasan, i dhjetëra festivaleve të muzikës së lehtë dhe popullore po në këtë qytet. Një nga muzikantët e kompletuar të këtij qyteti me kaq tradita në kulturë e art.

Ai thekson gjithashtu se Alfons Balliçi u mor seriozisht me muziktarin e ndritur të traditës së Elbasanit usta Isuf Myzyrin. “E studioi së pari përmes diplomës së muzikologjisë drejtuar nga prof. Bahri Konjali në Konservatorin e Tiranës dhe përpunoi me kujdes të posaçëm këngët kryesore të ustait, duke i kthyer në modele koncertore. Kështu bëri dhe me të tjerë, duke e ngritur nivelin e këngës qytetare elbasanase në modelet më të mira kombëtare të kësaj gjinie”, - përfundon muzikologu Zamir Këlliçi.

Nën pentagramin e Alfons Balliçit

Nën pentagramin e një prej kompozitorëve më të njohur shqiptar, Alfons Balliçi, TKOB do të na sjellë “Një lulishte me trëndafila”. Në nder të tij dhe djepit të përtëritjes së Elbasanit art e arsimdashës, nesër në këtë skenë organizohet një koncert, ku të ftuar nderi do të jenë Mehdi Zena, Sopot Serica, Mustafa Mehja, me pjesëmarrje të ansamblit vokal, nën drejtimin e Gramoz Burbës, orkestrinës drejtuar nga Vladimir Hasimi dhe solistëve të A.P., nën drejtimin artistik të Lejla Agollit. Publiku vjen tashmë jo për një katalog çfarëdo, por i etur të zgjedhë atë vëllim krahinor për të cilin e djeg malli qoftë për përkatësinë krahinore, vitet e ngjarjet e përjetuara, por edhe thjesht për kënaqësi. Në të gjitha rastet gjen dhe bartës ndër më të talentuarit të ruajtjes së traditës autoktone dhe emra të përveçëm që shtojnë koloritin lokal në përbërje të stafit artistik ansamblor. E tillë është mbrëmja me protagonist Alfons Balliçin dhe të tjera që do të pasojnë. Njerëzit kanë nevojë të takohen me ata që i kanë ngjallur kënaqësi në çdo kohë. Ata duhet t’i sjellin në skenën e artit popullor se vetëm, duke i ngritur më lart do të shmangim bimësinë që nganjëherë i bën hije dhe i largon me ose pa dashje.

Përgatiti: Suela Furriku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›