E Diel, 1 Nëntor 2026

A ka Shqipëria avantazhe ekonomike?

Avantazhi është një atribut që të jep shansin për të bërë më mirë diçka krahasuar me një tjetër, është një apo disa elementë që, nëse i shfrytëzon mirë, të sjellin më shumë mundësi, është një apo disa veti që, nëse i përdor me kujdes, të krijojnë kushtet për të qenë më sipër se të tjerët në një apo disa aspekte të caktuara, është një farë aftësie që të ndihmon të kesh rezultate të mira. Në aspektin ekonomik, avantazhet janë ato elementë, veti, aftësi, mundësi etj., që kanë të bëjnë me pozitën ekonomike të një vendi të caktuar në krahasim me ekonomitë e vendeve të tjera. Avantazhi ekonomik është pozicioni që zë një vend apo një biznes në mjedisin konkurrues rajonal dhe global. Avantazhet ekonomike të një vendi shfaqen si avantazhe absolute, krahasuese dhe konkurruese.

Sipas principit të avantazhit absolut një vend apo biznes mund të prodhojë gjithmonë më shumë njësi produkti për njësi lëndësh të para se cilido vend apo biznes tjetër, gjë që në kohët tona është paksa e vështirë për t‘u arritur, sepse për çdo produkt e shërbim në tregun e madh global do të gjendet të paktën një hyrës i ri në treg. Edhe pse asnjë vend në ditët tona nuk ka më avantazhe absolute, sepse gjithçka varet nga kostot oportune të prodhimit, të gjitha vendet e botës mund dhe duhet të përfitojnë nga specializimi për ato produkte e shërbime, për të cilat një vend i caktuar ka koston më të ulët oportune të realizimit. Specializimi me bazë koston oportune është themeli i avantazheve konkurruese dhe krahasuese. Ky themel shfaqet si burim i avantazhit konkurrues të një vendi në ato raste kur të tjerët nuk mund të kopjojnë, dublikojnë apo e kanë të vështirë të realizojnë, prodhojnë, shfrytëzojnë, përdorin etj., produkte a shërbime të caktuara përgjatë procesit të krijimit të vlerës. Kjo bën që prodhimi në një vend apo për një biznes të caktuar të jetë mbi nivelin e të tjerëve dhe ky nivel prodhimi zakonisht shoqërohet me fitim më të madh, krahasuar me konkurrentët.

Por, me kalimin e kohës ky lloj prodhimi dhe fitimi bëhet tërheqës për hyrës të rinj në treg, të cilët, duke shfrytëzuar avantazhet e tyre, bëhen konkurrentë realë. Pra, avantazhi konkurrues përmban në vetvete një element relativiteti që një vend apo një biznes ka në krahasim me të tjerët. Avantazhi konkurrues bëhet i qëndrueshëm kur strategjitë që përdoren nga vendet dhe bizneset bëjnë të mundur të mirëmbahet ky avantazh për të pasur përfitime në një periudhë sa më të gjatë kohore. Avantazhet krahasuese janë ato elemente që, edhe pse ndryshojnë nga koha në kohë dhe nga situata në situatë, në përgjithësi garantojnë për një periudhë të caktuar kohore realizim mallrash dhe shërbimesh me kosto të ulët, me cilësi të lartë e me uniformitet prodhimi, me shpejtësi në prodhimin dhe lëvrimin e produkteve dhe shërbimeve, me fleksibilitet, varietete dhe në volum më të madh mallrash e shërbimesh, krahasuar me vendet apo bizneset konkurruese.

Avantazhe krahasuese janë aftësitë e një vendi dhe kombi për të krijuar vlerë të shtuar dhe nëpërmjet kësaj vlere të shtuar të rritet mirëqenia e individëve të shoqërisë, duke menaxhuar burimet natyrore dhe njerëzore, nëpërmjet një procesi integrimi global, duke i përfshirë këto marrëdhënie në një model politik, ekonomik e social të përshtatshëm në një kohë të dhënë. Për të fituar avantazhet krahasuese, në radhë të parë një vendi i duhet të përballet me të tjerët, të mësojë nga arritjet dhe dështimet e të tjerëve, si dhe të kërkojë për të gjetur mundësitë për të intervenuar në tregjet ndërkombëtare me ato ide, mallra e shërbime për të cilat ofron cilësi, siguri dhe çmime më tërheqëse se konkurrentët e tjerë. Në përgjithësi, ekonomitë postkomuniste dhe në tranzicion gjatë periudhës 1990-1993, në përballjen me ekonomitë e vendeve të tjera, u gjendën në një fazë të tillë ku nuk mund të arrinin nivele të larta produktiviteti për një periudhë afatshkurtër, për shkak të mungesës totale apo relative të avantazheve konkurruese e krahasuese, por midis këtyre vendeve pati një diferencim të dukshëm pas 5-10 vitesh, që erdhi si rezultat i situatës së ndryshme politike, ekonomike, sociale dhe i mjedisit të ndryshëm ligjor për bizneset, baza për gjetjen e avantazheve krahasuese e konkurruese. Është ky diferencim dhe këto ndryshime që kanë bërë të mundur shtimin e investimeve të huaja në disa nga këto vende, e që kanë përmirësuar dukshëm dhe në mënyrë të qëndrueshme situatën ekonomike në këto vende, duke bërë të mundur gjetjen dhe vënien në përdorim edhe të avantazheve të reja e të tjera konkurruese e krahasuese.

Suksesi i disa vendeve duket se vjen edhe për shkak të ekzistencës së institucioneve që mbështesin ndërkombëtarizimin e sektorit të biznesit. Këto institucione mund të jenë nga më të ndryshmet, të krijuara nga shteti, po se po, por edhe të krijuara me nismën e vetë sipërmarrësve privatë, që për të mbështetur investimet e tyre dhe për të siguruar fitime duhet të jenë të aftë për të gjetur gjuhën e përbashkët në këtë drejtim, parë kjo edhe si një aspekt i integrimit ekonomik dhe i stabilizimit të politikave që tërheqin botën drejt një vendi. Kjo nuk sjell vetëm rritje ekonomike dhe të ardhurash, por edhe shtimin e aftësive të fuqisë punëtore dhe përdorimin e teknologjive edhe më moderne në vend.

Edhe për Shqipërinë ka mjaft biznese ndërkombëtare që janë të interesuara, por që këto biznese të vijnë e të investojnë duhet të përcaktohen objektiva të qarta zhvillimi në përgjithësi dhe në fusha të veçanta. Edhe biznesi vendas po bën përpjekje maksimale për të operuar në një treg jooptimal, treg që përmban një dozë mjaft të lartë vështirësish e pengesash nga më të ndryshmet e nga më të çuditshmet. Nëse ende vazhdojmë të përsiasim me veten nëpër seminare, konferenca e leksione se kemi njerëz të mirarsimuar në krahasim me të tjerët, se flasim e mësojmë me lehtësi gjuhë të huaja, se jemi një popull mikpritës e me moshë të re, e të tjera broçkulla të kësaj natyre, atëherë ku na qenkan këta investitorë të huaj që nuk po na vijnë të na japin ca para këtej nga malet tona, të mbushura me minerale dhe përse na u ankokan këto bizneset vendase se s‘po gjejnë terren të përshtatshëm për ekspansion e zhvillim? Po të ishte kaq kollaj me "avantazhet krahasuese dhe konkurruese" të arsimimit, gjuhëve të huaja, mikpritjes sonë dhe mineraleve të maleve tona, atëherë tërë investitorët e botës do të kishin lënë kockat, duke u zënë e ngrënë me njëri-tjetrin për këtë copëz vend.

Në rastin e Shqipërisë, avantazhet krahasuese e konkurruese duhen gjetur gjetkë e jo tek arsimimi i përgjithshëm që marrin të rinjtë shqiptarë në gjimnaze me modele nga më të çuditshmet, në mësimin gjysmak të gjuhëve të huaja nëpër kurse pasditeje në qendra arsimore të tipit piramidal apo te mineralet që janë me qindra e mijëra metra thellë në tokë, kur vende të tjera i nxjerrin me ekskavator, sepse i kanë ato në sipërfaqe apo fare pranë saj. Sa për mikpritjen, është e vërtetë se shpirti shqiptar i kësaj natyre nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër në botë, por në mjaft vende të botës, edhe pse nuk ka ndonjë mikpritje të madhe për miqtë, për komunitetin e biznesit mikpritja është e garantuar dhe maksimale dhe kjo nuk shfaqet me puthje e përqafime televizive, por me hapa konkretë në krijimin dhe menaxhimin e kushteve të bërjes së biznesit. Avantazhe të vërteta krahasuese tonat dhe të vetmet që realisht i kemi në dorë janë pozicioni gjeografik në mes të rrugëve që lidhin fqinjët tanë veriorë me ata jugorë dhe me rrugët lindje-perëndim, vija e gjatë bregdetare dhe klima, që për hir të së vërtetës janë të dhuruara prej natyrës.

Nëse bëhet fjalë për burimet njerëzore, fakti është se jemi një popull që duhet të edukohemi me ligjet e biznesit dhe t‘i respektojmë ato. Burimet e tjera, si toka e nëntoka, pyjet e kullotat, uji dhe energjia ose janë duke u shfrytëzuar pa kriter dhe në mënyrë joefektive, ose kërkojnë investime kolosale. Në lidhje me investimet, teknologjitë dhe bashkëpunimin me investitorët e huaj është fillimisht vetë reforma institucionale që bën të mundur një kombinim të saktë dhe të aftë të tyre, për të kërkuar e gjetur mundësi të reja për biznese efikase brenda vendit dhe për t‘i shndërruar ato në biznese konkurruese me jashtë. Është një fakt i pamohueshëm dhe një element jashtëzakonisht negativ, që modeli ekonomik shqiptar i zgjedhur pas ndryshimeve në vitet ‘90 e vuri në dyshim, ndoshta edhe me dashakeqësi, rolin e bujqësisë dhe të agrobiznesit në ekonominë vendase, edhe pse disa specialistë të kësaj fushe nuk kanë ngurruar të ngrenë zërin që në fillimet e ndryshimeve politike, ekonomike dhe sociale në vend për rolin e rëndësishëm të kësaj dege të ekonomisë. Por tashmë, nën kushtet e krizës globale që ka marrë trajtën dhe është shfaqur në themel si një krizë ushqimore, duket sheshit se bujqësia dhe agrobiznesi mund dhe duhet të përbëjnë një bazë shumë të fuqishme dhe shumë të rëndësishme për të krijuar kushtet që vendi ynë të gjejë avantazhe krahasuese dhe konkurruese në këtë degë të ekonomisë.

Turizmi është një aktivitet me të ardhme ku mund të lokalizohen edhe investimet, sepse jo vetëm popullsia urbane në Shqipëri është më shumë e prirur për turizëm, por edhe numri i të huajve që do të duan të vizitojnë bukuritë e vendit tonë po shtohen nga viti në vit. Por, a ka ndonjë mbështetje nxitëse turizmi nga bujqësia, blegtoria, agrobiznesi, peshkimi etj.? Unë them se jo. Në të ardhmen e afërt në degën e bujqësisë duhet që të ndjekim me shpejtësi rrugët e zhvillimit që janë ndjekur nga vende të tjera ku sot bëhet fjalë për ferma me shumë hektarë tokë e me shumë bagëti, ferma në të cilat punojnë fare pak njerëz, si rezultat i investimeve në mekanikën bujqësore. Kjo e pret edhe fshatin shqiptar. Vende të ndryshme të botës kanë ecur nëpër rrugë të ndryshme dhe specifike zhvillimi, por ajo që është e përbashkët dhe të bie në sy është fakti se përgjithësisht çdo vend e ka filluar me një revolucion bujqësor, e ka vazhduar me një revolucion industrial, më tej ka ecur nëpërmjet revolucionit të shërbimeve dhe tashmë vendet më të zhvilluara të botës po flasin për një revolucion në fushën e informacionit. Kjo është rrugë e sprovuar. Ka edhe disa vende që bëjnë përjashtim nga kjo rrugë zhvillimi, të cilat janë hedhur direkt në fushën e shërbimeve dhe në fushën e informacionit, apo në kombinime nga më të ndryshmet edhe kjo përbën një risi në ekonominë botërore, si për shembull disa vende që janë specializuar për pajisje dentare, çakmakë apo për grepa peshkimi, por Shqipëria dhe shqiptarët kanë eksperimentuar mjaft dhe tashmë nuk ka kohë për laboratorë ekonomikë të tipeve që kemi provuar pa ndërprerje gjatë rreth 60 viteve të fundit.

Një avantazh tjetër mund të jetë edhe shpirti sipërmarrës i qytetarëve. Ne të gjithë jemi në një mendje kur pohojmë se shqiptarët edhe më të thjeshtë kanë zënë e të flasin për paranë sikur të jenë biznesmenë të vërtetë. Paraja ka hyrë në jetën tonë si një tërmet, por është fakt i pamohueshëm se shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz të kualifikuar dhe të aftë për të përdorur më mirë paranë dhe investimet, njerëz që të arrijnë të mendojnë në mënyrë strategjike, për të qenë liderë të së ardhmes në kuptimin e vërtetë të fjalës, njerëz që kudo që të ndodhen dhe të punësohen të sjellin vlera për kombin, bizneset dhe qeverinë. Kur një individ mbaron një shkollë, ai nuk është thjesht një teknik apo specialist, por një individ që duhet të jetë i aftë të mendojë në mënyrë globale, për të sjellë vlera në të tëra aspektet. Për Shqipërinë një avantazh të vërtetë krahasues mund të përbëjnë edhe marrëdhëniet me fqinjët. Biznesi kufitar është tepër fitimprurës dhe ne duhet të nxitojmë përpara se ndonjë nga fqinjët tanë (kryesisht veriorë) të marrë nismën për nxitjen e tregtisë ndërkufitare në rajon. Është një shans për punësim dhe fitime të majme. Mjaft vende të botës, krahas bujqësisë, agrobiznesit, turizmit dhe shërbimeve të tjera e kanë parë rrugën e fillimit të zhvillimit ekonomik edhe në kombinimin e degëve dhe sektorëve të mësipërm me bizneset ndërkufitare. Nga bisedat me biznesmenë të ndryshëm në vend kam krijuar mendimin se ata janë të gatshëm të hidhen me guxim në investimet në pikat ndërkufitare në fushën e informacionit, të shërbimeve financiare, shërbimeve ushqimore, transite, turistike, të agrobiznesit, etj., fusha që kërkojnë shumë investime publike si mbështetje për investimet private, por që janë fusha të cilat e kanë të garantuar avantazhin, sepse nëse investojmë tani në këto biznese përfitojmë teknologji të re dhe kjo do të thotë më shumë cilësi dhe shpejtësi.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm në gjetjen dhe shfaqjen e avantazheve konkurruese dhe krahasuese, që ka të bëjë me mentalitetin financiar në nivelet e ndryshme të vendimmarrjes si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, është gjetja e rrugëve, mjeteve, mënyrave dhe formave për nxitjen e shtimit të kursimeve të qytetarëve, pasi ky proces ndihmon investimet, të cilat nga ana e tyre frenojnë rritjen e inflacionit. Në të kundërtën, një vend që i hyn rrugës së zhvillimit dhe gjetjes së avantazheve (kryesisht) krahasuese, pa kursime në banka, pas një kohe e sheh veten në një deficit të lartë buxhetor. Këto elemente të parapërgatitjes së gjetjes së avantazheve krahasuese duhet patjetër të shoqërohen me një shkallë të lartë, cilësore e të gjerë edukimi, arsimimi dhe informimi të publikut, sidomos në lidhje me bizneset dhe ekonominë në përgjithësi. Ky edukim dhe arsimim në fund të fundit do të bëjë të mundur që vendi që i futet kësaj rruge të ketë elitën e vet të specialistëve të fushave ekonomike, elitë që duhet të punojë me përkushtim në mbrojtje të interesave kombëtare dhe në mbrojtje të bizneseve dhe investimeve që shprehin avantazhet krahasuese të vendit. Në gjetjen dhe shprehjen e avantazheve konkurruese dhe krahasuese një rol mjaft të rëndësishëm luan niveli dhe shkalla e shpërndarjes së infrastrukturës në territorin e një vendi.

Përveç investimeve në transportin rrugor, detar dhe ajror, telekomunikimi dhe kompjuterizimi janë dy elemente kryesore që në fund të fundit lehtësojnë kontaktet dhe procesin e arritjes së marrëveshjeve për shitjet, kuotat, aksionet, sasitë, transportin e mallrave, etj. Kjo shikohet e lidhur ngushtë edhe me investimet e ndryshme me prioritet për futjen e teknologjive sa më të reja në vend, teknologji të kapaciteteve të mëdha, por që shfrytëzojnë pak hapësirë e volum. Vende të suksesshme janë ato që kanë arritur një kombinim të mirë të atyre sa thamë më lart dhe që kanë rriskuar në tregjet ndërkombëtare. Koncepti i avantazheve konkurruese dhe krahasuese ka evoluuar dhe tashmë në vendet e zhvilluara flitet për shoqëri konkurruese e jo vetëm thjesht konkurrencë për mallra dhe shërbime, është kjo që i dallon këto vende, të cilat bëjnë përpjekje maksimale e të përditshme për të adaptuar çdo ndryshim me vlerë, që ndodh në botë, pavarësisht se ku, sepse është ndryshimi ai që sjell shfaqjen, përcaktimin e shfrytëzimin e avantazheve krahasuese e konkurruese. Si përfundim Shqipëria nuk ka avantazhe të spikatura ekonomike, por ka parakushte të mjaftueshme për të pasur avantazhe konkurruese dhe krahasuese, parakushte që kanë shans që në një periudhë afatshkurtër të mund të organizohen e të menaxhohen për të sjellë avantazhe të vërteta ekonomike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›