E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja Ukaj: Dyshimet tona

I mbushen sytë me lot, sapo i përmendim emrin e të birit të vrarë në Shqipëri 11 vjet më parë. Në fakt, fotot e Ali Ukajt, por edhe të nipërve të tjerë, të cilët kanë humbur në luftë, mbushin muret e dhomës së ndenjes. Por kur një huaj i përmend Aliun, nuk mund t‘i fshehë emocionet. Është nëna e Ali Ukës, gazetarit të vrarë në mënyrë enigmatike në Tiranë në korrikun e vitit të mbrapshtë 1997. I ka kaluar të tetëdhjetat. Me zërin e butë, që i dridhet, na falënderon që jemi kujtuar për të birin, brengën e madhe të jetës së saj. Nuk ka mundur ta shohë gati për dy vjet para se ta vrisnin, pasi Aliu nuk mund të hynte në Kosovë ato kohë. Madje, gjithë atyre viteve, vetëm dy herë kishte shkuar në shtëpi dhe në të dyja rastet, natën. "Nuk i bëri dy net bashkë", thotë Hatmania, duke mbajtur në duar fotot e tij, kur ai ka qenë gjimnazist.

Fillimet në politikë

Shefqeti, vëllai i madh, tregon se Aliu kishte filluar të merrej me politikë që në vitet e para të gjimnazit. "Ka qenë i angazhuar me Pajtimin e Gjaqeve, në grupin e Anton Çetës. Kishte rolin e ndërmjetësuesit", thotë ai. Ato kohë, Aliu nuk ishte më shumë se 16-17 vjeç dhe ishin pikërisht të rinjtë ata që merreshin me këtë plagë të madhe të Kosovës. Aktivitetet politike i kishte vazhduar më pas në Prishtinë, kur kishte shkuar për studime në fakultet. Aliu kishte hyrë më pas në radhët e Lidhjes Demokratike, pikërisht në Forumin Rinor. Merrej më shpërndarjen e afisheve për bashkimin e popullit dhe rezistencën kundër Serbisë. Qëndrimi i tij në Kosovë, pikërisht për shkak të këtyre veprimtarive, ishte bërë i pamundur, saqë në vitin 1993, ai u detyrua të largohej për në Shqipëri. Forcat serbe, rrëfen i vëllai, për një javë me radhë ushtruan kontrolle dhe bastisën shtëpinë e tyre.

Lidhjet me UÇK-në

Shefqeti tregon se mund të shkruhet një roman për veprimtarinë e Aliut. "Ai ka qenë i lidhur që prej fillimit me UÇK-në, ka marrë pjesë në formimin e saj. Më 1992, ka bërë të mundur lirimin e grupit të Sali Çekut nga burgu, pasi kishte dorëzuar fshehurazi mitralozin që kërkonte policia serbe. Shefqeti thotë se i vëllai ka qenë i pari që ka shkruar në mediat e Shqiëprisë për ekzistencën e UÇK-së. Në Tiranë, për një periudhë kohe, ka banuar me vëllanë e Ramush Haradinajt, Luanin, dhe me Adrian Krasniqin, që të dy të vrarë nga forcat serbe. Shefqeti rrëfen gjithashtu se se, edhe Hashim Thaçin, ish-shefin politik të UÇK-së e kishte pasur shumë mik. Madje, ata kanë banuar fare pranë me apartamente. "Lufta është e pashmangshme", përsëriste shpesh Aliu. Këtë e tregon vëllai i tij i madh, i cili banon në fshatin Lumbardhë.

"SHIK-u e përndiqte"

Shefqeti thotë se e kishte vizituar Aliun në Tiranë, në vitin 1996. Ai i kishte treguar se një herë e kishin ndjekur katër persona, ndërsa Aliu po shkonte te Ambasada Gjermane në Tiranë. Ai u ishte shmangur. Më pas kishte dyshuar se ata persona me rroba civile i përkisnin Shërbimit Sekret Shqiptar, në atë kohë i emërtuar SHIK (Shërbimi Informativ Kombëtar). "Ai e dinte se do ta vrisnin. Njerëzit e mëdhenj nuk jetojnë gjatë,- më thoshte me shaka". Shefqeti rrëfen se Aliu i kishte thënë një ditë të atit: Kur të vdes unë, krejt bota do ta marrë vesh.

Familja kishte qenë në merak Aliun, në mëyrë të vazhdueshme, por mundësitë e kontaktit i kishin pasur të pakta. Nuk dinë shumë rreth takimeve të tij, por Shefqeti thotë se trekëndëshi i lëvizjeve të tij ishte nga "Rilindja", "Radio Tirana" dhe "Gazeta Shqiptare". Kishte pasur lidhje dhe kontakte të forta me të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët atë kohë rrinin apo vinin herë pas here në Tiranë. "Eshtë marrë me tema shumë të ndjeshme. Dhe kjo pati një çmim", thotë i vëllai.

Versioni i pabesueshëm

Për familjen e Ali Ukajt, vrasja mbetet enigmatike prej gati 11 vitesh. Mendja u shkon gjithkund, por momenti më i ndjeshëm në këtë familje është përmendja e emrit të fqinjit të tyre, Selman Ukaj. Është ai personi, i cili u akuzua për vrasjen. Shtëpitë i kanë të ngjitura, por Selmani nuk jeton më aty. Ai ka ikur prej vitesh në Zvicër. Janë kushërinj të largët, por Shefqeti dhe e ëma tregojnë se raportet e Aliut me Selmanin kanë qenë shumë të mira. Madje, natën e krimit Aliu u e ka ndihmuar Selmanin të përcillte gruan e tij, bashkë me dy fëmijët, deri në Tuz dhe më pas ishin kthyer bashkë në Tiranë.

"Nuk kanë pasur asnjë lloj problemi mes tyre", thotë Shefqeti. Por a është për ta i besueshëm vesrsioni i prokurorisë se vrasjen e ka kryer Selman Uka? Natyrisht që jo. Për disa arsye. "Është montazh. Selmani nuk ka pasur asnjë motiv për ta vrarë. Selmani nuk ka qenë kurrë i çmendur, nuk ka qenë kurrë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Ne kemi kontrolluar dhe emri i tij nuk figuron askund", thotë me zë të prerë Shefqeti. "Një njeri i vetëm nuk kishte mund me e mbyt, e as dy persona, pasi ka qenë shumë i fortë se ushtronte sportin", tregon i vëllai i Ali Ukajt. Argumenti i tij përforcohet nga informatat që u ka dhënë pronari i shtëpisë, ku kishte jetuar Aliu. Natën e krimit ishin parë shumë persona aty, dhe madje fqinjët kishin dëgjuar edhe zëra nga banesa e tij. Po kështu, kanë dyshime se në trupin e viktimës ka pasur plumba. Ata nuk e kanë hapur, për shkak se kufoma ka mbërritur në vendlindje me 7 ditë vonesë dhe arkivoli ka qenë i mbyllur hermetikisht.

"Nuk e kam vrarë unë"

Që prej vrasjes së Aliut,dy familjet nuk kanë komunikuar. Por disa vite më parë, Selman Ukaj kishte futur një ndërmjetësues për t‘u pajtuar me familjen e Aliut. "Ai ka deklaruar se nuk është autor i vrasjes së Aliut dhe se është i pastër në këtë punë. Ne nuk kemi pranuar, pasi ai e di të vërtetën dhe duhet ta rrëfejë atë", është përgjigja e Shefqetit. "Nuk e ka dhënë asnjëherë versionin e ngjarjes. Të paktën që të na kumtohet ne". Shefqeti akuzon rëndë edhe prokurorin dhe gjykatësin e çështjes, Dritan Ibrajn dhe Arben Zenelin. Sipas tij, ata kanë marrë para dhe e kanë lënë të lirë Selmanin. "Nga burime të sakta, kam informata se familja e tij ka dhënë shumë para për ta lënë të lirë", shton Shefqeti. Në morinë e veprimeve të dyshimta të organeve të drejtësisë familja përmend faktin se prokurori nuk i kishte lejuar të merrnin avokat mbrojtës, me arsyetimin se ishte e ndaluar me ligje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›