Italia sjell 23-vjeçarin, vrau në vitin 2005
Tre vjet ka zgjatur liria e një personi të akuzuar për vrasje, i cili ishte arratisur nga Shqipëria. Ai është ekstraduar pikërisht ditën e djeshme, pasi do të vuajë 16 vjet burg për vrasjen e një personi në Gramsh. Saimir Xhepexhiu është sjellë dje nga Italia, pasi akuzohet se në bashkëpunim me një person tjetër kanë vrarë Durim Hoxhën dhe kanë plagosur Arjol Xhangollin. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se dje, nga Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Roma i shtetasit Saimir Xhepexhiu, 23 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Rrogozhinë. Sipas policisë, ekstradimi i tij u bë pasi Gjykata e Gramshit, me vendimin numër 30, datë 13 nëntor 2006, e ka dënuar me 16 vjet heqje lirie, për veprën penale të "vrasjes me dashje". Kundër këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit Durrës dhe çështja është ende në shqyrtim gjyqësor pranë kësaj gjykate. Sipas vendimit të gjykatës, më datën 09 gusht 2005, në lagjen "Sporti" të qytetit të Gramshit, Saimir Xhepexhiu, në bashkëpunim me Dritan Xhepexhiun, kanë goditur me mjete të forta në fytyrë shtetasin Durim Hoxha, duke i shkaktuar vdekjen, si dhe kanë plagosur shtetasin Arjol Xhangolli. Ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pas një grindjeje të ndodhur disa orë më parë të asaj dite, ku viktima në gjendje të dehur ka provokuar me sjellje e fjalë fyese autorët, si dhe të afërmit e tyre. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën në Itali u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi këtij shtetasi dhe vënia përballë drejtësisë për veprat e kryera. Në Aeroportin e Rinasit, ky person i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.