E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka mbetur gjë për të falur?

Edmond Arizaj 

Bejlerbeu i Shqipërisë, Sali Berisha, pa iu dridhur dora aspak, lëvizi me dhjetëra kilometra kufirin detar shqiptar, duke ia dhuruar Greqisë këtë hapësirë. Dhuruar në këtë rast është përdorur me delikatesë, sepse në fakt kryeministri shqiptar e
ka falur badjava. Sepse dhurata i bëhet një miku, apo qoftë edhe një të panjohuri, i cili të ka ndihmuar, apo më
së paku është përpjekur ta bëjë një gjë të tillë. Por këto vitet e fundit nuk rezulton se Greqia është përpjekur të japë ndonjë ndihmë për vendin tonë, apo qoftë edhe për njerëzit tanë që punojnë në tokën helene. Madje, shqiptarët kanë marrë vetëm fyerje e shkopinj gome pa hesap, kanë marrë pranga e fshesa, kanë marrë veto e kërcënime diplomatike, por askund nuk kanë marrë mbështetje e përkrahje nga Greqia. E megjithatë Berisha vendosi të falë. Pa pyetur askënd. Pa u konsultuar nga askush. Tipike e Berishës. Greqia kërkon varre në tokat shqiptare, ne i japim. Greqia kërkon qëndrim kokulur ndaj investimeve të tyre, ne e ulim kokën. Greqia ndërhyn në Himarë, ne bëjmë sikur nuk shikojmë. Greqia rreh e sakaton shqiptarët, ne as nuk protestojmë. Përkundrazi. Në vend të sillemi si të barabartë, të paktën në fushën ushtarake, sepse jemi edhe ne si ata anëtarë të NATO-s, megjithëse paradoksalisht grekët kanë në fuqi ende ligjin e, Berisha përunjet për një mbështetje të supozuar për zgjedhjet e 28 qershorit. Sepse nëse kjo falje e vijës detare, takimi me presidentin francez, udhëtimet e tjera të shpeshta të kryeministrit nuk kanë qëllimin e mahnitjes së elektoratit shqiptar, atëherë lind e drejta të pyesim, përse Berisha fali dhjetëra kilometra nga kufiri ynë bregdetar? Çfarë ka marrë në këmbim?
Dhe pas kësaj kujtesa fillon e zgjohet, sepse nuk është e para falje që bën Berisha, kryeministri shqiptar. Berisha ka falur edhe Vlorën tek italianët. Natyrshëm që nuk e ka bërë si në 1920, apo 1939, por e ka bërë me “sistemin e ri”. Petrolifera, TEC-et dhe gjigandët e erës që do të ndërtohen rreth këtij qyteti, janë të gjitha “Made in Italy”. Por sipas të gjitha të dhënave, Berisha ka falur edhe ndonjë pjesë të Durrësit tek miku Fazlliç. Këto janë vetëm ato që dihen dhe njihen nga shqiptarët. Dhe pyetja vazhdon të jetë e njëjtë: Çfarë ka marrë në këmbim për këto falje?
Të falësh kilometra të tërë vijë detare, të paktën duhet të marrësh premtimin se emigrantët shqiptarë në Greqi do të kenë disa të drejta, si p.sh. nuk do të detyrohen të ndërrojnë emrin. Apo mund të hidhej ndonjë hap drejt çështjes së Çamërisë, apo mund të merrej përkrahja pa kushte e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Por Karamanlis, i cili në Greqi duhet të jetë pritur si hero dhe e meriton në fakt, nuk tha asgjë nga këto, madje as i nënkuptoi. Thjesht erdhi, firmosi dhe fitoi. Ai mori detin, ne morëm buzëqeshjen e Bashës dhe Berishës.
Kush do ta ndalojë këtë njeri, këtë kryeministër? Ky nuk pyet për askënd dhe për asgjë. Ky tallet me të gjithë. Ky luan me çdo gjë. Dhe ky nuk ndryshon. Ndërkombëtarët seriozë i stërpërsërisin të mos e bëjë aplikimin për anëtarësimin para zgjedhjeve, Berisha qesh dhe shkon e dorëzon në Çeki duke parakaluar në televizion. Shqiptarët ankohen se s’kanë se ç’hanë, Berisha qesh dhe tregon rritjen ekonomike. Kriza troket gjithnjë e më fortë te portat e Shqipërisë, Berisha qesh e ngjit murin kinez duke lavdëruar Partinë Komuniste në Azi dhe Partinë Demokratike në Ballkan. 26 njerëz vriten nën këmbët e ministrave dhe ushtarakëve të tij, Berisha qesh e ia ngjesh opozitës. Dhe po ky, po i njëjti Berishë i 1992 që nga komunist u konvertua në super antikomunist, po i njëjti Berishë që kërkoi të bëhej Berisha i Parë në 1994, po i njëjti Berishë që grabiti zgjedhjet e majit të 1996 dhe leu në gjak opozitën, po i njëjti Berishë i 1997 që nuk e lëshoi presidencën edhe kur shteti i tij nuk ekzistonte më, po i njëjti Berishë i 1998 që tentoi grusht shteti, po i njëjti Berishë i tetë viteve opozitë që nuk la gurë, baltë e molotov pa i hedhur institucioneve shqiptare, po i njëjti Berishë i 2005-2009 me superkorruptimin e mirëkontrolluar, kërkon, jo më falni, është i sigurt se do të jetë sërish kryeministër. Përpara se të rikonfirmohej zoti Berisha, a ke gja me falë ma nga Shqipëria? Bëje pa teklif. Shoqëria civile do të gërthasë e gjitha kur ti të shash sërish nga motra në Kuvend ndonjë deputet, apo kur ndonjë mjek të filmohet në Rrushbull se ka marrë 50 mijë lekë, opozita do të hidhet në protesta pasi ti të ndalosh shitjen e bukës së misërt, qytetarët shqiptarë… tashmë janë bërë globalistë, meqë po shkojmë drejt Europës, deti, si i Greqisë të jetë, si i yni njësoj është. Çudi pse nuk e mendon edhe Greqia në këtë mënyrë. Eshtë koha të heqim nga librat e historisë edhe vitet e provokacioneve në 1949.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›