Grupet parlamentare, shkelet rregullorja
Raporti i skuadrës "Unë votoj" evidenton edhe shkelje të rregullores në përbërjen e grupeve parlamentare. Sipas tij, kjo përbën një shkelje të rëndë të nenit 15 të rregullores së Kuvendit. Janë katër grupe parlamentare, ai i PSD-së, i PDK, i Qendrës Demokrate, dhe ai Ambientalist, të cilët funksionojnë me më pak se 7 deputetë. Në këtë mënyrë, edhe pse pjesa më e madhe e tyre kanë huazuar deputetë nga dy partitë e mëdha, ata duhej të ishin shkrirë për shkak të pikës 2 të nenit 15. Sipas këtij neni, për të formuar një grup parlamentar kërkohen të paktën 7 deputetë. "Neni 15, pika 2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t'i bashkohet një grupi tjetër parlamentar, vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit. 3. Kur numri i deputetëve të një grupi parlamentar bie nën numrin e parashikuar nga pika 2 e këtij neni, grupi pushon së ekzistuari", sanksionohet në rregulloren e Kuvendit. Kjo përbërje e deputetëve në këto grupe, nën normën e përcaktuar në rregullore, sipas raportit përbën edhe një dëm ekonomik, për shkak të trajtimit të deputetëve brenda grupeve parlamentare. Grupi parlamentar i PSD-së, ka mbetur me 5 deputetë, pas largimit të Pilo Kerrit drejt PS-së dhe Angjelina Kolës drejt LSI-së. Grupi parlamentar demokristian ka mbetur me 6 deputetë, pas daljes prej tij të Nikollë Lesit, ndërsa grupi "Qendra Demokrate", edhe pse është ndihmuar nga deputetë të djathtë, ai ka sot vetëm 6 deputetë në përbërjen e tij. Edhe grupi Agraro-ambientalist ka mbetur me 6 deputetë, pas ikjes prej tij të Ymer Tolës dhe Nikollaq Neranxit, dhe pse ai është përforcuar nga deputetë demokratë. Kjo tkurrje e grupeve parlamentare i ka kushtuar buxhetit të shtetit dëme financiare, për shkak sepse atyre u janë krijuar me pa të drejtë ambientet për zyra, makina, sekretarë dhe të gjitha trajtimet që merr një grup parlamentar, duke përfshirë këtu dhe të drejtën për të pasur kohën e caktuar gjatë diskutimeve në Kuvend.
grupet e paligjshme
GRUPI i PSD
Skënder Gjinushi
Engjëll Bejtaj
Diana Çuli
Gëzim Musabelliu
Albert Divjaka
GRUPI i PDK
Ndue Shpani
Ymer Tola
Nard Ndoka
Jak Ndokaj
Frrok Gjini
Gilman Bakalli
"QENDRA DEMOKRATE"
Vangjel Dule
Leonard Solis
Mehmet Hoxha
Spiro Peçi
Aurel Bylykbashi
Mehmet Xheka
GRUPI I PAA
Petrit Gjoni
Idriz Xhomara
Lufter Xhuveli
Safet Sulaj
Ramiz Çobaj
Baki Shehu