"A ka ndonjë këshill etike për këto tekste injorante këngësh?"
Duke parë stacionet televizive, kryesisht ato muzikore, thjesht të lind ideja apo pyetja, nëse ka, ose duhet të ketë një komision të posaçëm të fushës muzikore për të kontrolluar tekstet e këngëve, apo edhe muzikën e tyre, për të gjitha këngët që dalin në tregun muzikor?
Me të vërtetë gjithçka ka ndryshuar dhe madje për mirë, por me thënë të drejtën, jo gjithmonë gjërat duhet të ecin lirshëm, pa fre, ose më saktë, të mos kenë asnjë cak apo limit të caktuar, duke përfshirë dhe fushën e muzikës. Është shumë absurde, ose më saktë të vjen për të qeshur kur ulesh para televizorit dhe dëgjon ose sheh këngë të tilla, që qoftë si muzikë që ndoshta edhe mund të jenë e kopjuara, por të vjen për të qeshur kur dëgjon tekstet e tyre.
Më e madhja është se kemi dëgjuar këngë për njerëz të ndryshëm duke iu vënë emrin hero, ose duke i quajtur martirë. Ruajna Zot nëse nesër ose më saktë në një të ardhme, ndoshta dhe të largët, historia e popullit shqiptar do të shkruhet duke u bazuar edhe mbi vargjet e këtyre këngëve. Është për të ardhur keq që nuk ka një institucion etike të fushës së muzikës, fushës së historisë, artit dhe kulturës dhe t'i thonë një herë e mirë "Stop!" këtyre injorantëve.