A ka pasur jetë në Mars? Sonda Feniks në kërkim të gjurmëve
Sonda amerikane robotike, Feniks, ka dërguar një seri pamjesh nga sipërfaqja e Marsit disa orë, pasi u ul pranë polit verior të planetit. Fotot e para bardhezi, ishin kryesisht për të sjellë informacione lidhur me kushtet e sondës dhe konfirmuan se ajo ishte ulur dhe kishte hapur panelet solare që janë esenciale për punën e saj. Në fotografitë e tjera tregohej horizonti dhe pllajat arktike, si edhe pamje të një peizazhi që i përngjante rajoneve të ngrira të Tokës. Sonda me emrin Feniks, është e para që arrin të ulet pranë një prej poleve të planetit Mars. Ajo do të qëndrojë për tre muaj për të hetuar nëse planeti mund të ketë pasur jetë. Përpjekjet e mëparshme për t‘u ulur në Mars kanë dështuar.