E Shtunë, 31 Tetor 2026

CIA, sërish në gjurmët e Osamës

Lideri i terrorizmit ndërkombëtar, lideri i Al-Kaedës, Osama Bin Laden, fshihet në veri të Pakistanit, në afërsi të K2. Në këtë zonë, shërbimet sekrete amerikane, synojnë ta rrethojnë me një operacion masiv ushtarak, që do të shtrihet në tërë zonën e thellë tribale, të Pakistanit. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni arab satelitor, Al Arabiya. Një takim për të përcaktuar detajet e këtij operacioni, është zhvilluar në Doha, të Katarit. Sheiku i terrorit, thuhet se gjendet në zonën e njohur si "çatia e botës", zonë e Pakistanit kjo që kufizohet me Afganistanin në lindje dhe në veçanti me provincën Konrad dhe me vargmalin e Nurestanit, ndërsa në veri kufizohet me Kinën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin të ndalonin Bin Ladenin, që sipas burimeve anonime mësohet se po planifikon atentate të reja në Perëndim, duke shfrytëzuar qytetarë arabë, por edhe evropianë të konvertuar së fundmi në myslimanë. Gjenerali David Petraeus, komandant i forcave amerikane në Irak, i pranishëm në takimin e Dohas, bashkë me përgjegjësit për sigurinë dhe ambasadoren amerikane në Islamabad, Anne Peterson, katër ditë më parë, kishte folur edhe para Senatit amerikan, duke pohuar se nga zonat tribale pakistaneze, Al-Kaeda, po planifikon një 11 shtator të ri. Ndërkohë, Al-Kaeda zgjerohet gjithnjë e më shumë, si për sa i takon territorit, ashtu edhe për sa i takon mbështetësve. Përkrah saj, organizata terroriste, përveç talebanëve afganë dhe fiseve pakistaneze që kanë përgënjeshtruar praninë e Bin Ladenit në zonën e tyre nëpërmjet Al-Xhazirës, ka edhe një lëvizje integraliste me seli në Egjipt, që gjithsesi, deri më tani, kishte shfaqur pozicione të ndryshme, si ajo e Vëllazërisë Myslimane. E ndoshta pikërisht ky front që po amplifikohet nga java në javë, ka detyruar zbulimin amerikan të kalojë në veprim duke adaptuar taktikën e sulmeve që kanë në shënjestër drejtuesit e organizatës. Strategjia e re amerikane, është inauguruar gjithsesi, me vrasjen e numrit tre të Al-Kaedës, libianit Abu Laith al-Libi, i cili u gjet i vdekur pas një fushate ajrore të kryer nga amerikanët, më 25 janar, në Mir Ali, në zonat fisnore pakistaneze. Bashkë me të, kanë humbur jetën edhe dy kuvajtianë dhe një libian, që bënin pjesë në kastën drejtuese të grupit terrorist. Më pas është vrarë edhe Mansur Dadullah, vëllai i Mullait Dadullah, gjatë një blici të kryer nga ushtria pakistaneze më 11 shkurt. Më 28 shkurt, avionët ushtarakë kanë vrarë edhe 13 militantë islamikë në Vaziristanin pakistanez. Ndërsa më 14 maj, në zonën fisnore të Pakistanit, Bajur, po në kufi me Afganistanin, kanë vdekur 15 terroristë, mes të cilëve edhe një grua. Me të njëjtën metodë është vrarë 10 ditë më parë edhe lideri somalez i Al-Kaedës, Moallim Aden Hashi. Të gjitha këto aksione, e kanë bërë më shumë të besueshëm planin e CIA-s për të goditur me të njëjtat metoda edhe kupolën e Al-Kaedës dhe liderin e saj të shumëkërkuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›