E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet Kamorra, dhjetëra të arrestuar

Rreth 50 persona të dyshuar si anëtarë të mafies së Napolit, Kamorra, janë arrestuar dje. Sipas policisë italiane, janë kryer një seri aksionesh në Kazerta, në veri të Napolit dhe në shënjestër ishte klani Iovine, që besohet se është edhe një nga grupet më të fuqishme të Kamorrës. Klani dyshohet se u ka dhënë ryshfete disa punonjësve të shërbimit civil, për të fituar kontrata dhe ka përcaktuar madje edhe rezultatin e zgjedhjeve lokale në favor të kandidatit të tij të preferuar. Policia italiane ka konfiskuar gjithashtu edhe rreth 80 milionë euro në asete, gjatë operacioneve të së hënës. Armë të shumta, mes të cilave edhe armë automatike, një kallashnikov dhe një sasi municionesh, janë sekuestruar gjithashtu. Mes të arrestuarve ishte edhe Xhuzepe Iovine, vëllai i liderit të klanit, Antonio Iovine, që është në arrati. Akuzat kundër të arrestuarve përfshijnë shantazh, mbajtje armësh pa leje, si edhe larje parash. Kamorra gjithashtu është përfshirë edhe në një nga çështjet më shqetësuese në Itali, mbledhjen e mijëra tonë plehrash në rrugët e Napolit. Sipas korrespondentëve, Kamorra ka shtrirë kthetrat e saj në çdo pjesë të industrisë, që nga mbledhja e plehrave e deri te depozitimi i tyre. Ndërkohë, Kryeministri Silvio Berluskoni, ka lajmëruar javën e shkuar masa të ashpra, në përpjekje për të zgjidhur krizën e plehrave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›