A kanë frikë këta të paudhë?
Kemi dy tablo:
E para, kryeministri dhe ministrat, të cilët marrin vendime që mbartin hije të forta dyshimi se janë produkt i interesave të tyre personale e klanore.
E dyta, mazhoranca e re që pret të marrë në dorë çelësat e drejtimit të vendit, e cila po ia bën të qartë duke i paralajmëruar se do të hetohen dhe ndëshkohen.
Pas kësaj, diçitura e tablosë mund të titullohet: Bjerini se i bini bukur ju që po vini! Neve, nga një vesh nga hyjnë e nga tjetri na dalin ato paralajmërimet tuaja. Pra, vazhdoni të grini sallatë me shumicë se ne aq na bën!!
Po, vërtet, a kanë ndonjë ndjenjë frike këta të paudhë që se paskan për gjë të bëjnë karshillëk edhe duke e ditur se mund të ndëshkohen?! Siç po duket nga vendimmarrjet e fundit, jo. Dhe kjo është sfida më e madhe që i munduri i bën fituesit.
-A thua janë kaq të qetë se i kanë rregulluar letrat?- Faktet e publikuara vazhdimisht në shtypin e përditshëm si dhe ato të denoncuara nga ish opozita, flasin qartë se letrat nuk janë dhe aq të kopsitura. Kanë lënë aq shumë gjurmë saqë vështirësia qëndron se me cilën çështje duhet filluar më parë.
-A e ka garantuar Berisha këtë aradhë ministrash e zyrtarësh të lartë se askush ska për tu prekur me dorë?- Dihet se çdo vendim që është marrë në këto 8 vite, çdo abuzim, çdo shpërdorim, është bërë ose me urdhër të Berishës, ose me dijeni të tij. Por, në finale, të gjithë i kanë shërbyer Berishës, kështu që qarku mbyllet po tek një pikë, Berisha. Si i tillë, të gjithë do shohin se, a do të bjerë ai apo do të rezistojë. Si kryeministër që nuk e luftoi por e lejoi, Berisha është përfaqësuesi më i lartë i korrupsionit në Shqipëri. Njësoj si në betejat e hershme ku ushtarët kishin si pikë mbështetje dhe frymëzimi mbretin, ashtu edhe këta ushtarë të sotëm të korrupsionit e kanë mbretin e tyre. Përsa kohë ai është mbi kalë e i paprekshëm, vështirë se edhe këta të dorëzohen.
-A kanë besim se strukturat e drejtësisë, që kanë ndërtuar me kujdes për 8 vjet, do ti mbrojnë?- Berisha jo më kot ka ditur kë ka zgjedhur, bile, edhe me cen në biografi, me synimin që ti ketë të gatshëm për tiu gjendur pranë në ditë të vështira për të dhe bashkëpunëtorët e vet.
-A kanë përlyer në kësi punësh dhe nga krahu tjetër që u jep qetësi?- Këtë sdi ta them, por kemi mundësinë ta shohim pas 9 shtatorit se sa i aftë dhe i vendosur do të jetë Rama dhe qeveria e tij për tia nxjerrë në publik të gjithë horrllëqet që kanë kryer me pasuritë e këtij vendi Berisha & Co dhe çuarjen e tyre përpara drejtësisë. Ups, drejtësisë? Eh…
Ka edhe shumë argumente të tjera të cilat mund të ofrohen për të analizuar se ku u buron ky guxim kur ndodhen në ditët e fundit të përgjegjësive qeverisëse. Megjithatë, besoj, rreth këtyre katër çështjeve duhet parë mungesa e frikës së tyre nga përballja me shtetin e nesërm ligjor.
