E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund ta ringremë për përvjetorët e tjerë shtëpinë ku u ngrit flamuri?

19-11-2012 / Nga Gëzim Llojdia

100 vjetori i pavarësisë
 
1. Ndërtesa e karantinës, muzeu kombëtar i selisë së qeverisë
Strehë karantine dhe një karakoll me dy kate dhe stoike, një ndërtesë historike e bërë në Skelë të Vlorës, profili i saj nga deti nga erërat s’kishte frikë, muzgje që ndërkaq thinjnin vite dhe as thinjej vetë. E bërë për karantinë njerëzore në buzë të skelës për të mbyllur fakirët, atë vit të pavarësisë mbajti qeverinë e Vlorës. Ku dergjej qeveria, sa në konakët e Xhemilit, por hidhej tek Sharrajt, një ndërtesë e madhe tre kate, tek telegrafi ishte Lefi  dhe përmes nxënësve vlonjatë të shkollës Nr.1 shkonte, por edhe vinte çdo ditë, ministri i Arsimit, një burrë i ditur energjik, me mustaqe: ai ishte Gurakuqi. Në vitin 1939, fashistët  ndërsa hynin në skelë thuhet se e qëlluan me top, që e shkrumbëzuar s’bëhet më llaf, si çdo pushtues. Për t’i shuar krejt memorien historike, për t’i prerë krejt gjuhën, për të djegur krejt trupin, zhuritur deri në hi. Kështu u dëmtuan përpjekjet që kishte kryer Shoqëria kulturore sportive “Ismail Qemali”, për një muze arkeologjik. “Përpjekja”  thekson se me përpjekjet e zotit Ali Asllani dhe atdhetarëve te këtij qyteti, vendosen qe te ngrenë muze arkeologjik, pranë portit te Vlorës, ne ndërtesën ku ka kryer veprimtarinë Qeveria e Ismail Qemalit më 1912. Muzeu arkeologjik i Vlorës u inaugurua me 8 tetor 1937, ku ishte i pranishëm edhe ministri francez z. Louis Mercier. Mirëpo edhe shqiptarët në një mendje diku aty nga viti 1925 shkatërruan një dëshmi tjetër të pavarësisë, shtëpinë e flamurit. Edhe regjimi paslufte mendoi se duhej ngritur ndërgjegjja kombëtare dhe vlera e saj, ndërsa shokonin firmëtarët me ligje e burgje etj, rindërtuan në vitin 1962 me atë stil dhe me atë pamje banesën, selinë e qeverisë, por për shtëpinë e flamurit nuk është hedhur asnjë ide. Përse të mos ribëhej shtëpia ku u ngrit flamuri?
Ndërtesa e flamurit është prishur sipas të dhënave në vitin ‘25 dhe u kthye në lulishte. Banesat e familjes Vlora aso kohe emërtoheshin saraje. Këto banesa, pra sarajet e familjes Vlora ishin të përbëra nga dy godina të mëdha. Godina ku u ngrit flamuri quhej Selamllëku dhe këtë emërtim na e sjell në kujtesë, Eqerem bej Vlora. Godina e flamurit  siç paraqitet nga një foto e cila qarkullon kudo në botime ka gjithashtu një skicë që është ruajtur deri në ditët e sotme e që tregon një godinë të madhe për nga lartësia dhe gjerësia e saj. Në fotografi shfaqen tre katet e banesës nga katër siç shqipton më tej E.Vlora. Janë tre katet e banesës historike që u rrafshua diku nga vitit 1925. Edhe këtë vit-shuarje të saj e sjell po ky dëshmitar. Pozicionimi i kësaj banese historike: gjendej në vendin ku është monumenti i flamurit, inauguruar në vitin ’72, ai kap pikën e 17 m lartësi dhe i gjithi në bronz dhe pjesa tjetër cek lulishten e flamurit ku gjendet varri i kryetarit të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali, vendosur edhe një skulpturë e titulluar “Flamurtari”, e skulptorit Odise Paskali. Eqrem bej Vlora thotë: Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40 mijë metrash katrorë, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave). Shqyrtojmë selamllëkun ose të njohur si banesën e burrave. Ndërtesa ka pasur tre kate lartësi, një numër të madh dhomash korridore dhe ambiente të tjera. Zhbirimi në pamja e parë majtas tregon pozicionin e dritareve të çdo kati. Dritaret e katit të parë janë të gjitha me hark dhe duken rreth 6 copë, ndërsa në fakt kanë qenë më tepër por kaq kanë hyrë në fokusin e fotos. Janë dritare të njohura për kohën të vogla të larta por të ngushta duke përfunduar me hark .Në dritaret  e katit të dytë majtas janë rreth 7 copë të cilat na shfaqen në disa forma të çrregullta. E para dhe kryesore ku u shpalos flamuri është më e madhe se të tjerat, është edhe derë, duke treguar se portën hyrëse për në saraje. Përpara saj shquhen qartazi shkallët, që nga lartësia e banesës, zbresin duke cekur tokën. Në katin e mësipërm duken dritare me forma drejtkëndëshi pa hark, ku shquhen rreth 8 të tilla majtas. Kurse ne krahun e djathtë shquhen tre të tilla. Godina trekateshe gjendej aty ku është sot monument kushtuar pavarësisë. Mendohet se Shtiza e Flamurit përkon me dritaren e katit të dytë të Selamllëkut ku u ngrit Flamuri, pasditen e 28 nëntorit. F.Paskali, bija e skulptorit Odise ka shkruar: “Shtiza ku ngrihet flamuri kombëtar çdo 28 nëntor në qytetin e Vlorës, është krijuar nga babai im Odhise Paskali në vitin 1932. Memoriali i varrit të Ismail Qemalit me figurën e Flamurtarit është vepër e babait tim, vepër e vitit 1932. Që të dy këto vepra janë inauguruar më 28 Nëntor 1932”. Duke ju referuar sërish E. Vlorës, me dëshmi autentike nxjerrim gjysmë fraze, ku ai shprehet: “U mblodhëm të gjithë në selamllëk …”. Pra te sarajet.
Më 1962 shpallet muze kombëtar i pavarësisë. Muzeu i pavarësisë Kombëtare ka patur vazhdimisht një varësi nga bashkia e qytetit të Vlorës. Me një vendim të Qeverisë në vitin 2006, dhe me interesim të ish-Ministrit të Kulturës,Bujar Leskaj, Muzeu i Pavarësisë kombëtare merr një status tjetër më të rëndësishëm duke shprehur rëndësinë e tij. Qeveria i ka dhënë statusin e favorizuar “Muze kombëtar”, që do të administrohet në vazhdimësi nga institucioni më i ngritur i kulturës shqiptare,Ministria e Kulturës. Vendosja e një muzeu nën një status të tillë është një angazhim, për ta parë me një sy tjetër muzeun e vetëm të Pavarësisë Kombëtare. Ndoshta më parë duhej të ishte vendosur nën këtë status për të mos lejuar edhe dëmtime që solli koha e tranzicionit. Muzeu në Skelë të Vlorës nuk e ka të shkruar gjithë atë histori, as të arkivuar, as të digjitalizuar. Ne kemi nevojë të njihemi dhe t’i kemi të përhershme nëpër memuarë e arkiva, të gjitha fotot apo dokumentet shqiptare, që kanë gjezdisur botën. Shqiptarët e diasporës e shkruanin ndryshe historinë e kësaj dite pa retushime nëpër gazetat apo media që kishin ku hedhin lajmet e ndryshme. Dokumente të tjera gjenden nëpër arkiva të shqiptarëve të cilët i ruajnë si sytë  e ballit, por nuk ekspozojnë sepse askush nuk ua kërkon, duke i lënë këto dokumente të mbeten të harruara, të groposura dhe të pa-ekspozuara. Këto dokumente mund të thithen nga institucionet të cilat kanë këtë mision. Nuk mund të presim dhe gjithë kohën të shpresojmë se një ditë këto do të bëhen. Duhet të mblidhen, të gjurmohen dhe të bëhen publike. Por misioni këtu nuk përmbyllet gjithsesi. Le të arkivohen nëpër muzeumet tona kombëtare të mos i  lëmë të varrosura në ndonjë qoshe apo arkiv të mbytur nga pluhuri. Nesër do të na quajnë vdekatarë të tretur nga vjeshtat.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›