E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të jenë shqiptarët kundër së ardhmes europiane të Shqipërisë?

Kohët e fundit, në shtypin e Tiranës, kanë filluar të ngrihen disa pyetje të çuditshme. Po përmend dy: Heqja e vizave është apo jo parësore për shqiptarët? Po pranimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE (në të ardhmen), është apo nuk është në dobi të tyre?
S’do mend, pas shterpësisë politike që solli bojkoti i stërzgjatur parlamentit nga ana e opozitës, pas ngërçit politik që nxiti greva e urisë ose pas konfuzionit politik e organizativ që po përjeton partia më e madhe opozitare në radhët e saj, zhvendosja e vëmendjes së opinionit të brendshëm nga disfatat e njëpasnjëshme që pësoi Edi Rama dhe partia që ai drejton, qysh nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009 e këtej, do të kërkonte një fushë të re beteje, në prag zgjedhjeve të ardhshme vendore. Elektorati i majtë, “populli socialist” (siç), tashmë i shkërmoqur, do mbajtur lidhur pas qerres opozitare. Po si?
Premtimet për dorëheqjen e Kryeministrit Berisha pas aksh proteste të radhës, premtimet për zgjedhje të parakohshme pas grevës së urisë ose thirrjet e tipit Ngjela e Ndoka për protesta të dhunshme rezultuan blofe të gjykuara keq. E vetmja mënyrë për të mbajtur gjallë shpresat e militantëve të së majtës se një ditë do të vijnë në pushtet është rikthimi në llogoret e vjetra antieuropiane. Makina propagandistike socialiste e ka bërë dhe po e bën në mënyrë të përkryer përpunimin e opinionit qytetar. Nuk është aspak e çuditshme që shtypi i pavarur të bjerë në grackën e ngritur prej saj, herë me dashje, herë jo.
Para disa ditësh, lexova me habi në një të përditshme të Tiranës sikur heqja e vizave nuk qenka “realizimi i ëndrrës shqiptare për Europën e Bashkuar”. Madje, sikur qeveria paska “abuzuar” me lëvizjen e lirë të shqiptarëve, “duke e përdorur atë në mënyrë emocionale”, si “shpëlarje të pastër trush”. Nuk mund të marr me mend mundësinë aktuale që ka aktualisht X a Y shqiptar për të lëvizur jashtë shtetit, me vizë ose pa vizë. Ama nuk arrij të besoj se ka shqiptar, qoftë i së majtës, qoftë i së djathtës, që të mos e presë me padurim lëvizjen e lirë si një prioritet të paprecedent në historinë kombëtare, çka popujt e Europës së Bashkuar e kanë arritur me kohë, pa qenë aspak përpara rrezikut të shpëlarjes së truve. Nëse qeveria e konsideron përkrahjen europiane si arritje të një prej premtimeve të saj, kjo s’ka asnjë të keqe, aq më pak mund të konsiderohet abuzim. Komentet e tjera do të ishin të tepërta.
Në të njëjtin linjë qëndron edhe çështja e integrimit në Europën e Bashkuar, çka, sipas ndonjë autori, për Shqipërinë do të ketë “kosto të lartë” si një vend “problematik”. Jemi në të njëjtën valë me çjerrjet e Edi Ramës, jemi njëzëshëm me tellallët e tij të telekomanduar dhe me emisarët e pafat që ai ka nisur herë pas here në institucionet euroatlantike. Ndryshimi është se tashmë problemi po shtrihet në atë çka ndokush e quan “dështim i projektit europian” në shkallë ndërkombëtare. Sipas këtij perceptimi, ky projekt nuk ka të ardhme për vendin tonë, pasi “partitë e ashtuquajtura të ekstremit të djathtë, që mbështesin politika kundër projektit europian, kundër futjes së ‘mishit të huaj’ në Europë, madje edhe projekte separatiste brenda vendeve europiane, janë në fuqizim e sipër”. Ndër argumentet më pikante që janë hedhur në treg për të bërë sa më shumë euroskeptikë, do të përmendja kërkesat e separatistëve flamanë, në Belgjikë, të partisë Lega Nord, në Itali, ose faktin që Turqia, e cila “një herë e një kohë lutej të futej në BE, kërkon një rol të vetin autonom në Mesdhe”.
Sipas meje, asnjë prej tri argumenteve nuk e përligj “dështimin e projektit europian”, aq më pak lidhur me Shqipërinë. Si argument të kundërt, mund të përmend vetëm fitoren e para një jave të Komorowskit (proeuropian) në Poloni, përballë Kaczinskyt (euroskeptik).
Sa për ashtu të quajturit separatistë flamanë, mund të them pa drojë se Flandra, si njësi federative e Mbretërisë së Belgjikës, është pjesë e BE-së. Flamanët flamanofonë dhe valonët frankofonë kanë mes syresh të tjera probleme, si, fjala vjen, ato lidhur me Brukselin dhe me rrethinat e tij, jo aq me Europën e Bashkuar, prej së cilës asnjëra palë nuk e ka shtruar ndonjëherë problemin e qenies ose jo në BE. Nëse është fjala për mungesë informacioni, ata që hedhin shashka në erë, do të bënin mirë të mos e shisnin sapunin për djathë.
Të njëjtën, do të thosha edhe për partinë Lega Nord, e cila, duke kërkuar federalizëm fiskal, synon ta arrijë atë brenda shtetit italian, si vend themelues i BE-së. S’do mend, Veriu i përparuar, nuk mund të vuajë deri në kockë prapambetjen e Jugut, i cili duhet të investojë me nikoqirllëk për të arritur nivelet ekonomike të përparuara, jo të presë të bien fiq nga qielli.
Sa për problemin e Turqisë, do të sillja në kujtesë shprehjen e njohur “ku Lezha, ku Zharri”. Në një intervistë dhënë ditët e fundit së përditshmes italiane “Corrierre della Serra”, Presidenti Obama, mes së tjerash, uronte hyrjen e shpejtë të Turqisë “në familjen evropiane” duke e konsideruar pranimin e saj në BE si “mençuri” të klasës politike europiane. Problemi i Turqisë, si vend i një konfesioni tjetër nga ai vendeve të BE-së ose si përkatësi gjeografike në kontinentin aziatik, nuk mund të shtrohet nën ndikimin e ndonjë zëri të veçuar, i cili shurdhohet në kuadër të politikave globale euroatlantike. Në këtë kontekst, paralelizmat mes problemit turk dhe atij shqiptar janë keqdashëse për të ardhmen europiane të vendit tonë. Ato, në mos u gjetshin thjesht për bujë dhe për poza kinse njerëzish të mirëinformuar, kundërmojnë erë mentalitetesh të tejkaluara ruso-bolshevike, nga arkivat e mykura të Informbyrosë.
Natyrshëm, lexuesi i zakonshëm do të pyeste: Kujt i shërbejnë këto ide të hedhura në tregun e brendshëm shqiptar, si pa të keq, dhe a i cenojnë sadopak interesat tona kombëtare? E them me bindje: Po, i cenojnë, madje rëndë! Pa frikë, unë do t’i konsideroja antikombëtare. Nëse Edi Rama di çka bën, i mbërthyer në qerthullin e interesave të veta meskine dhe të klanit që e rrethon; nëse ai mbyll sytë përpara lakmive serbe ndaj gjysmës së kombit tonë, shtypi i shëndoshë duhet të jetë më i vëmendshëm që të mos marrë vulën e turpit në histori. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk mund të arrihet veçse në kuadrin e Europës së Bashkuar. Ndaj, në qoftë se dëgjohet ndonjë zë kukuvajke për “dështimin e projektit europian” ndërsa BE-ja është shtrirë në 27 vende, ky zë ose është jehonë e ideve komuniste, ose është investuar prej armiqve tanë kombëtarë. Ne, shqiptarët, kudo që jetojmë, në Tiranë a në Prishtinë, në Ulqin a në Tetovë, në trojet etnike a në diasporë, nuk mund të pranojmë ndrydhjen përballë hapjes, nuk mund të pajtohemi me antiprojekte, të cilave ua kemi pirë lëngun me kohë dhe ua kemi vuajtur kusuret mbi shpinë.
Nuk ka veçse njëzet vjet që kemi dalë nga njëra prej diktaturave më të egra komuniste të Europës Lindore e Juglindore, e cila u shërbeu me turp pesë dekada radhazi jugosllavëve, rusëve dhe kinezëve, duke hedhur baltë pa kursim mbi demokracitë perëndimore, duke shitur interesat kombëtare e duke i ndrydhur shqiptarët në një bunker të madh, të izoluar tërësisht nga bota. Njëzet vjet janë shumë pak për të ribërë atë çka u zhbë gjysmë shekulli pa pra. Aq më tepër për të zhbërë mentalitete e për të hapur horizonte të reja mentalitetesh. Por, me sa duket, enverizmi ka lëshuar rrënjë të thella te ne, të cilat duhen shkulur pa një, pa dy, sepse, siç thotë me të drejtë Dr. Prof. Eshref Ymeri njeriu “...duke qenë enverist (komunist), atëherë, automatikisht, është edhe filoserb i kulluar”.
Nuk ka, pra, shqiptar të lindur shqiptar dhe të mëkuar me mëmëdhetari që të jetë kundër së ardhmes europiane të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›