E Diel, 1 Nëntor 2026

Cili është gjenerali i ri i SHBA-ve në krye të Lindjes së Mesme

Vendimi i Presidentit Obama për të zëvendësuar Gjeneral McChrystal me gjeneralin Petraeus në komandën e forcave të armatosura në Afganistan kishte krijuar boshllëk në krye të ushtrisë amerikane, fiks në momentin kur Petraeus ishte në drejtimin e “CentCom”, qendra e komandës së forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Disa ditë më parë, Shtëpia e Bardhë njoftoi - nëpërmjet Ministrit të Mbrojtjes, Robert Gates - se mendon të zëvendësojë gjeneralin David Petraeus me gjeneralin Xhejms Mattis, një tjetër gjeneral i shumëdekoruar, që ka qenë në komandën e marinsave në Afganistan e Irak, në vitet e betejës së përgjakshme të Falluxhas.
Nëse ju nuk e njihni James Mattis, mendja do u shkojë direkt tek stereotipet e përgjithshme amerikane që shohim nëpër filmat me luftë: faktikisht James Mattis është një i tillë. Ai ka një jetëshkrim profesional e ushtarak shumë të respektuar në Shtabin e Pentagonit, një jetë e kaluar në mes detyrave dhe ka tendencën për të bërë deklarata me efekt çka e ka bërë të njohur (që ndofta së shpejti mund të gjeni vetë përkushtimin e tij të përsosur në kinema: sepse kompania e fuqishme Universal është duke prodhuar një film mbi “rrethimit e Falluxhas”, dhe roli i Mattis do të luhet nga Harrison Ford). Po thoshim se shprehet me fraza që kanë efekt. Mattis ka fituar reputacion si një person që e ka gjuhën e nxituar e provokative, dhe sërish deklaratat e tij kanë qenë burim mosmarrëveshjesh të mëdha politike.
Gjenerali Mattis është i akredituar si njëri nga ekspertët më të mëdhenj të strategjisë së “counterinsurgency”, strategjisë së hartuar nga Petraeus e që rezultoi shumë e suksesshme në Irak. Strategjia përfshin bashkëpunim më të ngushtë mes ushtrisë dhe civilëve, madje edhe me koston e rritjes së viktimave të SHBA-ve, në mënyrë që të fitohet kështu besimi i tyre si dhe respekti në kurriz të fondamentalistëve. Dhe pikërisht për këtë, shpesh përmendet thënia e Mattis njerëzve të tij se "sa herë që një ushtar i SHBA-ve përshëndet një civil irakian, një militanti të Al-Kaedas i troshiten eshtrat në varr”.
Gazetarët dhe analistët amerikanë kanë komentuar shumë mbi emërimin, paçka se vendimi nuk ka ende fuqi ekzekutive, meqë propozimi, së shpejti do të ratifikohet nga Kongresi. Përgjithsësisht komentet kanë pasur miratimin e medias, e cila është ndalur tek jetëshkrimi i Mattis, por edhe ka tërhequr vëmendjen për fjalët e thëna prej tij në të kaluarën. “The New York Times” e cilëson Mattis si një “gjeneral me katër yje, i njohur për gjuhën e tij të thatë, por edhe për luftimin e aftë dhe njohuritë e tij në “counterinsurgency”. Kurse “Los Angeles Times” e përshkruan si “i njohur për qëndrimin e tij agresiv, bashkautor në doktrinën e counterinsurgency, e cila i kufizon rregullat ushtarake të angazhimit me qëllim mbrojtjen e civilëve për të fituar mbështetjen e tyre”. Së fundmi, Thomas Ricks, fitues i çmimit Pulitzer dhe një ekspert për politikat e mbrojtjes ushtarake, shkruan për revistën prestigjioze “Foreign Policy” lidhur me emërimin e Mattis, duke e konsideruar atë si një “lajm të mirë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›