Riaktivizohet farsa e socialistëve
Para ca ditësh alarmin e lëshoi Ben Blushi: “Edi Rama ka përjashtuar më shumë se gjysmën e propozimeve të bazës si kandidatë për kryetar të PS-së nëpër rrethe”. Ai tha se 100 kandidatë janë përjashtuar në mënyrë arbitrare. Kështu që arbitrare dhe burokratikisht e montuar është vendimmarrja e Ramës, i cili po e spastron Partinë Socialiste nga njerëzit që mendojnë ndryshe nga ai dhe po vendos eunukët e tij në krye të rretheve. Pas këtij apeli plasi revolta në bazë ku pakënaqësia është e zhurmshme. Eliminimi në mënyrë arbitrare i kandidaturave që kanë dhënë një kontribut historik në Partinë Socialiste vetëm për faktin se nuk mendojnë si kryetari i partisë, ka ngjallur reagime të ashpra. Shumë prej tyre e akuzojnë Ramën se po e manipulon procesin zgjedhor për drejtuesit e PS në rrethe, duke diktuar në këto poste vetëm të preferuarit e tij. Më konkretisht, tre deputetët e Lushnjës dhe kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, kanë mbështetur hapur Bujar çelën. Po ashtu socialistët e Pogradecit, të Korcës dhe ata të Vlorës - njerëz me kontribute në selinë rozë që prej themelimit të saj - e kanë akuzuar kryetarin e PS-së Edi Rama për manipulim të zgjedhjeve dhe shkelje flagrante të statutit. Afërmendsh shefi i socialistëve po shkel me të dy këmbët demokracinë e brendshme të partisë, duke eliminuar nga zgjedhjet propozimet e asamblesë së bashkisë dhe të komunave.
Sidoqoftë çka del nga reagimet e ndryshme socialistë bie erë montimi dhe proces farsë përzgjedhjeje, dhe për rrjedhojë del një proces jotransparent dhe jo i diktuar nga baza socialiste, siç edhe e parashikon statusi i PS-së. Gjithashtu situata të tilla i largojnë edhe më shumë socialistët e thjeshtë nga vendimmarrja dhe kjo nuk është një shenjë e mirë për të ardhmen e PS-së.
Natyrisht e gjitha kjo gjullurdi vjen me afrimin e muajit elektoral, që do të ndizet së shpejti, dhe prandaj, me sa duket, Rama e ka ndarë mendjen të emërojë kryetarët e rinj të rretheve për partinë, që të ketë çdo gjë nën kontroll. Dhe kështu do të bëhet. Debatet në parti vazhdojnë dhe rivalët e mendimit ndryshe kundrejt Ramës, ku spikat Blushi, gjejnë gjithnjë e më tepër paralizë dhe ngushtim hapësirash, të mundësive që të ushtrojnë rritjen e tyre politike. Masat që ka marrë, me lëvizjet e debatet e fundit, tregojnë se interesi maksimal i Ramës është që të mbetet kryebashkiak dhe kryetar i socialistëve. Me këto iniciativa që po përçon në emërimet e reja nëpër rrethe, kryetari i bashkisë dhe i partisë po përpiqet të prishë edhe kontratën që e solli në krye të partisë. Kështu ai po lajmëron formulimin e një akt-marrëveshjeje të re: me biznesmenë, me të fortë (Pjerim Ndreu), që mund të zbatojë porositë e tij radikale, me tipa si Arben Simoni, të cilit iu sekuestrua një arsenal armësh zbukuruar kudo me siglën e PS-së në Lezhë, etj. Gara elektorale do të galvanizojë të gjitha strukturat e Partisë Socialiste dhe ethet për të mbrojtur milionat e eurove, që prej 6 vitesh sa vijnë e shtohen, po sjellin një ushtrim dhune virtuale, në mënyrë që paratë e tyre të mos hetohen, të mos preken, por vetëm të shtohen. Ky është synimi që Rama s’po e fsheh më diktimin e eunukëve të tij nëpër qendrat e pushtetit socialist.