A mund të jetë Ben Blushi një brinjë e shëndetshme në një kufomë politike
Bashkëtingëlloret në Limon
Limoni është një “thesar” në të gjitha kuptimet, edhe për politikën shqiptare. Brenda këtij fryti gjithmonë me gjethe jeshile gjenden bashkëtingëlloret LMN që janë acidi gërryes në duart e limonshtrydhësit Ben Blushi. Ky i fundit është antitrupi intelektual më spontan që po prodhon debat në një sipërmarrje politike si Partia Socialiste në këtë fund Kampionati Botëror. është paradoksi që konfirmon ekzistencën e të Mirës dhe të Keqes, të së Drejtës dhe të Padrejtës me prapa një arkiv gabimesh politike. Sidozot bashkëtingëlloret e limonit nuk janë vetëm një emërtues fryti i ndaluar nga perëndia por është një lëvizje politike dhe ideore e narkotizuar, një grup njerëzish (Islami, Bello dhe Harasani) me parime socialiste krejt majtas, si një emërues i përbashkët që identifikon arsyen në një vend ku arsyeja është shpallur “non grata”, pra në Partinë Socialiste. Dhe kjo parti politike është aq interesuar mbas brutalitetit shoqëror të pa arsyes sa që lëshoi britmën paralajmëruese para ca kohësh se në vjeshtë fillojnë bashkë me shirat edhe protestat, bojkotimet dhe grevat e urisë si tregues i politikës së re humbëse. Ndofta ishte një provokim kur Rama i deklaroi haptazi Blushit se “de fakto” je i përjashtuar. Ndofta Edi Rama e ka seriozisht. Sepse reagimi i Blushit ishte i qartë në mbledhjen e kryesisë: “shumë anëtarët kryesie reaguan ndaj këtij vendimi të padrejtë ku u përjashtuan gjysma e kandidatëve të PS-së të propozuar nga baza për vendet e 36 kryetarëve të PS-së në rrethe”. Sidoqoftë faktet po tregojnë se Rama ka nevojë të mbajë gjallë zjarrin e tensionit politik, qoftë edhe me dërgata qyqesh në Parlamentin Europian.
Natyrisht qëllimi i kësaj iniciative është vietnamizimi i përditshëm i politikës, çka është në funksion total për të dobësuar qeverinë dhe fraksionet brenda Socialistëve përpara zgjidhjes finale në zgjedhjet lokale të 2011. çka do të thotë se fushata elektorale për zgjedhjet lokale do nisë shumë parakohe pse duhen së paku 6 muaj përpara ditës së zgjedhjeve të ndryshohet Kodi Elektoral. Specialistë të fushës së Kodeve zgjedhore e kanë të qartë se ky kod i tanishëm favorizon hapur Partinë Socialiste, prandaj dhe kërkesat e karkaculit të PS-së Edi Rama do të fokusohen veç të tjerash në sanksionim më të qartë në ligj për hapjen e kutive kur e kërkojnë 2 anëtarë të komisionit zgjedhor, edhe pa pasur fakte të qenësishme. Ky është një lëshim që do t’i kërkohet Partisë Demokratike. Ky është synimi i liderit të opozitës, i cili i ka bërë llogaritë pa marrë parasysh kostot dhe energjitë që do të shpenzohen në këtë betejë vjeshtore, pasi jo të gjithë në Partinë Socialiste ndaj filozofinë e brutalitetit dhe kauzave të humbura qysh në fillim. Sigurisht improvizimi i lëvizjeve politike, pa studiuar dhe analizuar mirë perspektivën, mundësinë dhe rrugët e realizimit të kërkesave, është bërë përcaktues në dobësinë e aftësisë negociuese të Partisë Socialiste, çka u pa mirë pas grevës së urisë. Radikalizimi permanent i klimës politike mbron lidershipin e opozitës ka kritikat e ndryshme, pasi çdo gjë fokusohet në slogane, ultimatume dhe mistifikime të ndryshme. Radikalizmi i situatës politike izolon më shumë kritikën e Edi Ramës brenda partisë, pasi fare thjeshtë mund të përjashtohesh ose mund akuzohesh si tradhtarë të kauzës. Procesi i reformimi të Partisë Socialiste, i cili nisi fill pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, gjendet në një fazë “ngrirjeje”, jo vetëm për shkak se opozita është përqendruar tek hapja e kutive, por edhe për arsye të krizës brenda partisë. Siç dihet, procesi i reformimit të Partisë Socialiste, ku do të krasiten zërat kundër kryetarit, ka nisur qysh pas humbjes së zgjedhjeve, pra po bëhen gati një vit. Në këtë parti e mbushur plot eunukë që bëjnë fresk dhe servilosen me salam/alekë të përditshëm ndaj Shefit, si do t’ia dali Ben Blushi të ristrukturohet, ose në rastin më të keq të reformohet? Ben Blushi nuk mund të jetë gjithmonë një brinjë e shëndetshme në një kufomë politike.