E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa, votëbesim të ri reformave të Berishës

Parlamenti Evropian voton me një shumicë dërrmuese rezolutën për Shqipërinë, duke konfirmuar heqjen e vizave në vjeshtën e këtij viti. Hidhen poshtë qëndrimet radikale për ndërprerje të procesit të integrimit dhe bllokim të liberalizimit të vizave, të sponsorizuara nga qarqet komuniste dhe nga dërgata e qyqeve që kishte nisur Edi Rama nga Tirana

Parlamenti Evropian ka miratuar dje rezolutën e eurodeputetit Nikolas Choutis për Shqipërinë, ku bëhet thirrje për kapërcimin e ngërçit dhe fokusimin e vëmendjes te reformat dhe integrimin e vendit në strukturat e Bashkimit Evropian. Pas dy ditë diskutimesh, zyrtarët e lartë të Parlamentit Evropian unifikuan votat, duke mirënjohur kështu progresin e Shqipërisë dhe angazhimin e autoriteteve shqiptare në plotësimin e standardeve. Me 567 vota pro, 47 kundër dhe 19 abstenim, PE miratoi në tërësi draftin, duke i dhënë një mesazh të fortë Shqipërisë dhe klasës politike për nisjen e dialogut parlamentar, funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe çuarjen përpara të reformave kryesore.
Siç edhe pritej, amendamenti 6 për paragrafin 10 të rezolutës, i hartuar nga ekstremistët e djathtë, për të imponuar mendimin, se Shqipëria nuk është gati për heqjen e vizave u rrëzua, duke ruajtur kështu paragrafin se Komisioni Europian duhet të kontrollojë kushtet e mbetura të udhërrëfyesit për t’i hapur rrugën Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave për heqjen e vizave në fund të 2010.
Parlamenti Europian hodhi poshtë amendamentin 10, ku kërkohej pezullimi i integrimit europian i Shqipërisë dhe po ashtu amendamentin 11, kur kërkohej të mos pranohej fillimi i negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. U hodh poshtë amendamenti 7 i paragrafit 15 të rezolutës, ku thuhet, se Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara. U hodh poshtë gjithashtu amendamenti 8 dhe 9, ku thuhet se Shqipëria bën pjesë në Konferencën Islamike.

Rezoluta
Rezoluta e miratuar dje në Parlamentin Evropian, vlerëson progresin e Shqipërisë në plotësimin e kushteve të BE-së përsa i takon integrimit, ndërsa thekson se vijimi i reformave mbetet i rëndësishëm. Dokumenti i politikanëve evropianë, i jep një shtysë të rëndësishme perspektivës integruese të vendit, ndërsa vë në plan të parë zgjidhjen e ngërçit politik, duke e konsideruar këtë si të tepruar dhe të panevojshëm për kushtet dhe aspiratat e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Rezoluta thekson se funksionimi i plotë i institucioneve, sidomos e Parlamentit që është shtylla e konsolidimit të sistemit të demokracisë si një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE.
Teksti i hartuar nga eurodeputeti grek Nikolas Chountis i kujton autoriteteve në Shqipëri se një nga kushtet e integrimit në BE është reformat në gjyqësor, përfshi zbatimi i vendimeve gjyqësore si dhe garantimi i pushteteve në një shoqëri demokratike. “Qeveria dhe opozita shqiptare duhet të kuptojnë se kapërcimi i mosmarrëveshjeve aktuale është kyçe për progresin e vendit drejt integrimit në BE dhe për aspiratat e mëtejshme europiane të shqiptarëve. Përsëriten konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm se është momenti final për gjetjen e zgjidhjes ndaj krizës aktuale politike, dhe është përgjegjësi e qeverisë shqiptare së bashku me opozitën për të gjetur siç duhet, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë me kushtetutën shqiptare, zgjidhjet e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së”, në një nga amendamentet e rezolutës së Parlamentit Evropian. “Një gjyqësor transparent, i paanshëm dhe efikas, i pavarur nga çdo presion politik apo kontroll tjetër, është thelbësore për sundimin e ligjit”, thuhet në rezolutë.
Rezoluta përshëndet iniciativën e Shqipërisë për të hequr vizat për vendet fqinje në Bashkimin Europian. Megjithatë PE paralajmëron se iniciativat e tilla duhet të ndërmerren paralelisht me procesin e liberalizimit të vizave mes vendeve “Schengen” dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Lidhur me liberalizimin e vizave Shqipëri-BE, rezoluta përmend se është një punë e mirë nga autoritetet, ndërsa vendimi i Parlamentit Evropian do t’i japë një shtysë përpara lëvizjes së lirë. “Mirëpritet mbështetja ndër-partiake për liberalizimin e vizave, shprehur në rezolutën e parlamentit shqiptar të 11 marsit 2010. Mirëpritet propozimi legjislativ i komisionit, dhe i bëhet thirrje Komisionit që të kontrollojë se kriteret e mbetura plotësohen në muajt e ardhshëm, me synim të qartësimit të mënyrës për Këshillin dhe Parlamentin për të miratuar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë në fund të 2010-ës”, thuhet në rezolutë.
Gjithashtu rezoluta e Parlamentit Europian kërkon ngritjen e një komisioni hetimor, ku shumica dhe kryetari duhet të përcaktohen nga opozita, i cili do të hetojë zgjedhjet e 2009. Në kompromis me eurodeputeten e PPE-së Doris Pack, Socialdemokrati Libor Roucek, pranoi të linte si përcaktim “hetimin e materialeve zgjedhore” nga ky komision hetimor.

Amendamentet e Parlamentit Evropian, për ngërçin politik

Amendamenti 1
Parlamenti shpreh shpresën që qeveria shqiptare dhe opozita e kupton siç duhet se kapërcimi i situatës konfliktuale është kyç për progresin e aspiratat europiane të Shqipërisë. Përshëndet konkluzionet e Ministrave të Jashtëm të 17 qershorit, ku thuhet se është tashmë koha që të gjendet një zgjidhje që të përballet me testin e kohës dhe që është përgjegjësia e qeverisë shqiptare dhe e opozitës që të gjejnë një zgjidhje në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila është e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së.

Amendamenti 2
Amendamenti 2 shënon dhe një ndryshim të rëndësishëm të rezolutës, duke hequr fjalën të gjitha materialet zgjedhore.
Në amendament thuhet: Parlamenti shënon, se baza e komisionit hetimor parlamentar shqiptar për të hetuar zgjedhjet e 2009, ku kryesia e komisionit dhe shumica e tij janë të seleksionuar nga opozita, me një mandat për të hetuar materialet zgjedhore, duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Libor Rouçek, duke marrë fjalën në seancë plenare ka sqaruar amendamentin 2.
“Zoti President, ne kemi një ndryshim për këtë amendament, fjala të gjitha materialet zgjedhore të ndryshohet në materialet zgjedhore”, tha europarlamentari Rouçek.
Me këtë ndryshim në amendamentin 2, përjashtohet mundësia e hapjes së kutive. Po sipas amendamentit 2, komisioni hetimor duhet të prezantojë konkluzionet e tij në kohë, në mënyrë që të bëhet i mundur aprovimi i legjislacionit të ri para zgjedhjeve lokale të 2011, mbi bazën e propozimeve të komisionit dhe të OSBE/ODHIR.

Amendamenti 3
I kërkohet që të hartojë draftin dhe zbatimin e një reforme konsensuale të rregullores së procedurës së Parlamentit shqiptar, që të sigurojë transparencë për kapacitetet administrative dhe financiare, një legjislacion të bazuar mbi ekspertizën e cilësisë së lartë dhe një mbikëqyrje të përfaqësimit dhe të drejtave adekuate të përfaqësuesve të opozitës në komisionet parlamentare dhe aktivitetet parlamentare dhe i bën thirrje qeverisë dhe opozitës për një dialog konstruktiv për të siguruar një proces legjislativ të hapur dhe transparent në bashkëpunim me aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces.
Parlamenti ka hedhur poshtë dhe amendamentin 5 ku shprehej keqardhja për rrëzimin e kandidaturave të presidentit për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›