E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJË KËMBANË QË ENDE BIE…



“Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten, me kokën nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mundë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. Këto janë sidomos ato që janë krijue në biruca të Rrëshenit, kur u arrestuesh për së dyti dhe disa të tjera në Burrel. Kuptohet vetiu se këto që janë krijue pa laps e pa fletore, çalojnë dhe nga ana metrike, lanie anën tjetër artistike.
Në këto ditë që mora guximin t’i hedh në letër, sigurisht jam nxitue dhe për ma tepër duke hedhë sytë sa majtas-djathtas se mos kam tërheqë vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë. Në këtë punë jam nisë ma tepër t’i hedh si material bruto dhe nuk kam pasë parasysh as anën gjuhësore. Gjuhën letrare nuk e kam zbatue, herë tosknisht e ma shumë gegnisht; nuk kam pasë parasysh as anën ortografike dhe shenjat e pikësimit, etj. Shkurt, due që ta shpëtoj si material, se do të përpiqem, po munda me i nxjerrë jashtë, se u lodha së mbajtuni në mendje. Gjithashtu dhe titulli dhe ndamja në pjesë âsht bâ jo ashtu si mendoj unë të bahen. Këtë punë ia la të ardhmes, po qe se dal vetë i gjallë prej këtu. Kam në kokë dhe nji poemë tjetër të gjatë me mbi 1000 vargje me titull: “Nga nji vorr n’zemër t’malësisë, Lëshohet kushtrimi Lirisë”. (Nga shënimi në fund të poezisë “Tirani ynë”, Fletorja 1, f .24)

Havzi NELA
Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar… Poeti Havzi Nela, që po të ishte gjallë do të festonte së shpejti 75-vjetorin e lindjes së tij, është një këmbanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.
Ismail KADARE

FRYMA E HELSINKIT

Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.

Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë!

NË QELITË E BURGUT

Në qelit’ e burgut pa ajër e pa dritë,
Fryma po më merret, m’janë terrue sytë.
Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë,
Jeta m’u randue, dëshirë nuk kam të vdes.

Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin,
Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin.
Pres t’afrohet ora, pres të hapet dera,
Pres t’më sjellin ngranjen si kafsha e mjerë.

Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem,
Nuk qahem pse soset, skamjes s’i nënshtrohem;
I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren,
Dhe po t’jesh lypsar s’ke kujt t’ia shtrish dorën.

Dit’ e net i mbyllun si zogu n’kuvli,
Për shtrojë e mbulojë me tri batani!
Batani të vjetra, as njena as tjetra,
Gjith pluhun e llum, janë ma trashë se letra.

Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë,
Mendja m’arratiset, shpërndahet si retë,
Po merr fushat, malet, ikë më le mue t’zinë
Fluturon e s’ndalet, s’e duron robninë.

Sa n’nji krah në tjetrin, ikë nata, kalon,
Mpi e fort ligshtue, polici më zgjon!
Lind nji ditë e re krejt si ditët e tjera,
Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera.

Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!
Ma cfilitën trupin, zemra s’ndihet fare;
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën!

MA MIRË LE T’I MBYLLI SYTË!

Ma mirë le t’i mbylli sytë
Ma mirë zemra le t’pushojë
Ma mirë mos me pa ma dritë
Kur harbuti t’më sundojë!

Ma mirë nga kjo botë të ndahem
Ma mirë krimbat le t’më hanë
Ma mirë gur e dhé të bahem
Kur i ligu nis më shanë!

Ma mirë plis, lëndin’ a fush’
Ma mirë bar, kullotë bagëtie,
Ma mirë mos me m’njohë kërkush
Kur zuzarin kam mbi krye!

Ma mirë bota le të thonë:
“Vdiq i mjeri, shkoi me nder!”
Se i rrëzuem përgjithmonë
Me më shkelë nji derr beter!

Burrel, 1977

KUR TË VDES

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”,
A e dini se çfarë kam hjekë,
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urreu mizorin”,
Thoni: “Dheu s’ka me tretë!”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi”,
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritën ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”,
Thoni: “Për njerëzinë këndoi
E për vete mbajti zi!”.

Thoni se e qorroi terri,
Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”,
Thoni se e trishtoi tmerri,
Ai të shtypunit i tha: “Çohu!”.

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue,
Mbi vorr tim me gur’e ferra
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur ta ngushlloni
Thoni: “Gjallë kërkush s’ka mbetë!”.

LIRIA MË THËRRET

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi?

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, nandor 1987

NUSE MË DHANË ROBNINË

Jo or jo, njizet vjet burg nuk u mjaftuen
S’u ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë;
Më ndoqën kamba-kambës, lakun ma shtrënguen
Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr!

Ma hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,
M’i hoqën të gjitha, kot kam mbetë gjallë
Shtëpinë ma rrënuen, nuse më dhanë robninë
Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.

Gjithë jetën vetmue, larg prej njerzve t’mi
S’paç me kë lazdrohem, kujt t’ia them nji fjalë
Trup e shpirt plagosur, s’gjeta kurrë qetësi,
Sot në moshë të shkueme, maleve kam dalë.

Nëpër male t’Arrnit, pa anë e pa fund,
Në këto shkrepa e thepa që s’ke ku ve kambën
Më përplasën, më rrëzuen, ma randë se gjithkund,
Më rrëzuen mos me u çue, o zot banu gjamën!

E prap s’kanë të nginjun, xhindosen kur më shohin,
Thue se u zuna fronin, u prisha humorin,
Më vrejnë me inat e fort mirë më njohin,
Nuk më thyen kurrë, jetën krejt ma nxinë.

Arrën, tetor 1987

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›