Ruli: Sektori i energjisë është i hapur për investitorët e huaj

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) Genc Ruli u ka bërë thirrje investitorëve gjermanë të vazhdojnë të investojnë në sektorin e energjisë, si një ndër sektorët më atraktivë të vendit. Në takimin e organizuar sot në Tiranë, nga METE me drejtues të bankës gjerman KFË, e cila ka financuar projekte të rëndësishme në fushën e energjitikës, si linja Elbasan-Podgoricë, Shqipëri-Mali i Zi, etj, u diskutua për rritjen e investimeve në sektorin e energjisë. "Shqipëria ka një potencial të madh hidro energjie nga i cili deri më sot është shfrytëzuar 30- 35 % e tij".- tha ministri Ruli. "Kanë kaluar vetëm 2 vjet nga rishikimi terësor i kuadrit rregullator në fushën e koncesioneve, -tha ministri Ruli, - dhe ja ku jemi së bashku, përfaqësues të institucioneve shtetërore, investitore, dhe përfaqësues të institucioneve bankare për të parë nga afër mundësitë e investimeve private në sektorin hidroenergjetik, arritjet e deritanishme në këtë sektor, problematikat dhe vështirësitë, si dhe ecurinë e zbatimit të kontratave koncesionare." Duke falenderuar Qeverinë Gjermane dhe KfË për mbështetjen që na kanë dhënë për zhvillimin e sektorit energjetik, Ruli theksoi se zhvillimi i burimeve energjetike në vendin tonë përbëjnë një nga prioritetet e Qeverisë sonë dhe një domosdoshmëri për zhvillimin e ekonomisë sonë kombetare. Ndërsa ambasadori gjerman në Shqipëri, Bern Bohard nxori në pah bashkëpunimin shumë të mirë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Shteti gjerman ka dhënë gjatë 20 viteve të fundit, për vendin tonë, 800 milionë euro financime nga të cilat 160 për sektorin e energjisë.
...