Vendi ynë është i angazhuar të përmbushë të gjitha pritshmëritë e Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit
Drejtoresha e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Roberta Mahoney shprehu bindjen të mërkurën, se "Shqipëria do t'i përmbushë të gjitha pritshmëritë që burojnë nga Marrëveshja e II, Prag e Koorporatës së Sfidës të Mijëvjeçarit". Marrëveshja e II Prag e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (KSM), me një vlerë prej 15.7 milionë dollarësh u nënshkrua në 17 tetor 2008, në Tiranë mes Qeverisë shqiptare dhe USAID-it. Gjatë një seminari të organizuar sot në ambientet e Hotel "Tirana International", Drejtoresha e USAID-it, Mahoney vuri në dukje se "Faza e dytë, e administruar nga USAID-i synon të përmirësojë aftësinë e sistemit gjyqësor për trajtimin e mosmarrëveshjeve administrative, të zvogëlojë korrupsionin dhe ineficencën në administratën tatimore, si dhe të ndërtojë një qendër kombëtare 'One Stop Shop' për licencat e bizneseve". Gjithashtu, sipas saj "marrëveshja synon të krijojë një sistem transparent të dhënies së lejeve të ndertimit, si dhe të formojë nje Njësi të Përbashkët Hetimore në gjashtë qytete për të hetuar çështjet e korrupsionit". Në Fazën e II të kësaj Marrëveshje e cila përfshin periudhën janar 2009-2011, sipas Mahoney kërkohet angazhimi i palës shqiptare, i cili duhet të mbetet konstant pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të Qershorit.
"USAID si përgjegjës për këtë program ka besim se Shqipëria do t'i përmbush këto pritshmëri. Dy vitet e fundit kanë treguar se ky partneritet mund të arrijë rezultate të dukshme dhe Shqipëria ka përfituar në të gjitha fushat. Nëse punojmë së bashku atëherë mund të bëjmë që Faza e Dytë të ketë sukses", tha znj. Mahoney, duke konfirmuar se "USAID mbetet një partner plotësisht i angazhuar për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë"
Përfitimet e Shqipërisë nga Programi i Sfidës së Mijëvjeçarit
Në prill të vitit 2006, Qeveria shqiptare dhe ajo e SHBA-së u angazhuan të bashkëpunonin për të goditur korrupsionin dhe për të bërë më transparent, më të përgjegjshëm dhe më të efektshëm, shërbimin ndaj publikut në tre sektorë kyç: regjistrimin e biznesit, prokurimin elektronik dhe administratën tatimore. Disa muaj më pas, në shtator 2006, Chemonics International, së bashku me partnerë të qeverisë dhe administratës tatimore, filluan punën për realizimin e projektit me vlerë 13.85 milionë dollarë, nën administrimin e USAID-it. Me mbështetjen e Programit Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit në 10 shtator 2007 u inaugurua Qendra e re Kombëtare e Regjistrimit, e cila e ka bërë mjaft të lehtë kryerjen e procedurave të nevojshme për regjistrimin e bizneseve në Shqipëri. Gjithashtu, falë këtij Programi, Shqipëria ka tashmë Regjistrin Tregtar Elektronik, ku gjenden të listuara të gjitha bizneset. Prokurimi elektronik është një tjetër arritje që u ndërmor në kuadër të Programit Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit , i cili ka zgjeruar pjesëmarrjen e bizneseve në tenderat publik në Shqipëri. Sistemi siguron barazi dhe kosto më të ulët, ndërkohë që si rezultat i zbatimit të prokurimeve elektronike, gjatë 9 muajve të parë të vitit 2008 në tenderat elektronik kanë marrë pjesë një numër gati tre herë më i madh se sa ai në tenderat manualë. Një reformë tjetër e rëndësishme në fushën e prokurimit publik, është edhe ngritja e Institucionit të Pavarur Mbikqyrës të Avokatit të Prokurimeve. Parimi bazë i të gjitha përpjekjeve në kuadër të Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit ka qenë përmirësimi i shërbimit ndaj publikut në përgjithësi dhe biznesit në veçanti. Në tatime, ashtu si edhe në regjistrimin e biznesit dhe prokurimet publike, futja e shërbimeve elektronike përmes faqes së administratës tatimore në internet, ka rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë në shërbimin ndaj publikut, ndërkohë që ka ulur nevojën për kontakte personale duke u kursyer kohë tatimpaguesve. Përmes Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, qeveria amerikane ofroi mbështetje teknike dhe në infrastrukturë për zhvillimin e kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila u përurua në maj 2008 në Tiranë.
...