A mund të ndalet Chavezi?
Demokracia venezuelase mori një tjetër goditje të fortë këtë fundjavë, me heqjen e kufizimeve për mandatet e zyrtarëve të zgjedhur. Kjo do t'i mundësojë udhëheqësit autokrat të Venezuelës, Hugo Chavez, që të kandidojë për president përgjithmonë. Kjo do t'i mundësojë përmbledhjen e diktaturës së tij që po lulëzon dhe me këtë ai do të vazhdojë shkatërrimin e institucioneve të brishta demokratike të shtetit. Mandati i tanishëm i Chavezit zgjat gjer në 2013, por ai dëshiron të shërbejë si president për së paku edhe një dekadë, nëse jo më shumë. “Jam i gatshëm dhe, nëse do të kem shëndet, dhëntë Zoti, do të jem me ju gjer më 2019, gjer në 2021”, - tha ai në nëntor të vitit 2008. Më herët Chavez kishte shprehur dëshirën që të mbetej president gjer më 2030.
Në dhjetor të vitit 2007, votuesit e Venezuelës për pak e hodhën poshtë një propozim për një amendament kushtetues, i cili do të eliminonte kufizimet e mandateve presidenciale. Ky ishte një turp i madh për Chavezin. Por, më 15 shkurt 2009, më shumë se 54 për qind e votuesve venezuelas vulosën një amendament, i cili hoqi kufizimet e mandateve për të gjithë zyrtarët e zgjedhur. Chavez e quajti referendumin një “fitore historike.”
Është historike, por jo për mirë. Amendamenti paraqet një grabitje të hapur të pushtetit nga Chavezi, i cili sistematikisht po çmonton kontrollet mbi autoritetin e tij. Mos gaboni: Venezuela po shndërrohet me shpejtësi në një shtet policor të stilit kuban. Në shtator, Human Rights Watch lëshoi një raport të gjatë mbi presidencën e Chavezit. Ky raport vajtonte se “qeveria e Chavezit është e përfshirë në politika diskriminuese, të cilat kanë shkurtuar lirinë e të shprehurit të gazetarëve, lirinë e punëtorëve për asocim dhe mundësinë e shoqërisë civile që të promovojë të drejtat e njeriut në Venezuelë.” Të shtunën, më 14 shkurt, një ditë para votimit, një ligjvënës spanjoll dhe vrojtues i referendumit, i quajtur Luis Herrero, u dëbua nga Venezuela, pasi e quajti Chavezin “një diktator.” Aleatët e Chavezit mund të thonë se referendumi i 15 shkurtit është dëshmi se venezuelasit përkrahin axhendën e tyre “revolucionare”. Është e vërtetë se shumica e votuesve përkrahën eliminimin e kufizimit të mandateve për zyrtarët e zgjedhur. Por duhet të kemi parasysh kontekstin. Votimi i 15 shkurtit ndodhi në një klimë frike të jashtëzakonshme e shtrirë gjerë e gjatë. Më 12 shkurt, “Washington Post” shkroi në editorial se “regjimi i z. Chavez ka montuar një fushatë të propagandës dhe frikësimit me një egërsi që rrallë shihet në Amerikën Latine që nga koha kur ky rajon iu kthye demokracisë para 25 viteve. Retorika pro-Chavez dominon valët ajrore të këtij shteti, nga e cila janë përjashtuar tërësisht zërat e opozitës. Banditët pro-qeveri kanë sulmuar demonstratat e studentëve, shtëpinë e një gazetari opozitar, si dhe ambasadën e Vatikanit, ku strehohej njëri nga udhëheqësit e studentëve.”
Ashtu si shkruante “Post”, Venezuela gëzon një shtyp të lirë të vërtetë. Kjo ua bëri shumë të vështirë udhëheqësve të opozitës dhe aktivistëve të demokracisë që të bëjnë fushatë kundër amendamentit. Zërat e tyre u mbytën nga një valë e sulmeve nga qeveria. Shkurt, ndërsa venezuelasit dolën në votime, OJQ me bazë në Paris, “Reporterët pa Kufij”, tha se fushata e referendumit kishte “parë sulme të vazhdueshme mbi mediet.” Ndërkohë, policia e Venezuelas sulmoi dhe burgosi demonstrues studentë dhe të tjerë, të cilët përpiqeshin të tregonin kundërshtim ndaj amendamentit. (Më 20 janar, raportoi “Associated Press”, policia venezuelase “përdori gaz lotsjellës, plumba plastikë dhe pompa me ujë që të shpërndante një tubim të studentëve në Karakas.)
Ishte vetëm para 14 muajve që venezuelasit refuzuan përpjekjen e Chavezit që të anulojë kufizimin e mandatit presidencial. Chavez e lajmëroi referendumin e 15 shkurtit menjëherë pas zgjedhjeve rajonale të Venezuelës në nëntor të vitit 2008. Pse po nxitonte aq shumë që të mbante edhe një referendum? Me siguri për shkak se ishte nevrik, nevrik që Venezuela ishte në skaj të një krize të keqe ekonomike, e cila do të gërryente popullaritetin e tij dhe do t'ia dobësonte pushtetin.
Gjatë muajve të fundit, çmimet e rëna të naftës kanë krijuar probleme serioze për “Petroleos de Venezuela”, kompania shtetërore e naftës, të cilën Chavezi e ka keq-menaxhuar tmerrshëm. Fati i ekonomisë së Venezuelës është i lidhur ngushtë me fatin e industrisë së naftës. Në mes të janarit, “New York Times” raportoi se zyrtarët e Venezuelës kishin “nisur të kërkonin blerës nga disa prej kompanive më të mëdha të naftës në Perëndim”, - duke përfshirë Chevron dhe Royal Dutch/Shell. Ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden, ka thënë se rënia e madhe e çmimeve të naftës do të mund të thoshte “problem i madh” për Chavezin. “Strategjia e tij ka qenë të vërë bast në çmime të larta të naftës dhe kjo nuk po funksionon më”, - i tha “Reuters”-it këtë javë Jose Guera, ish-drejtor venezuelas i Bankës Qendrore.
Pavarësisht nga mburrjet e Chavezit, Venezuela nuk ka qenë imune ndaj krizës globale ekonomike. Më 16 janar, Chavez tha se qeveria do të merrte 12 miliardë dollarë nga rezervat ndërkombëtare të Bankës Qendrore, në mënyrë që të këtë mbrojtje nga kriza. Venezuela ka shkallën me të lartë të inflacionit në Amerikën Latine. Banka Qendrore raporton se inflacioni vjetor arriti në afro 31 për qind në vitin 2008, dhe disa analistë mendojnë se numri i vërtetë është shumë më i lartë. Shteti po vuan nga mungesa serioze e produkteve bazike ushqimore. Korrupsioni nuk ka të ndalur. Krimi i dhunshëm është në rritje. Karakasi tani konsiderohet si kryeqyteti i vrasjeve.
Edhe pse Chavez është forcuar nga fitorja e tij në referendum, këto probleme nuk po zhduken. Situata ekonomike e Venezuelës vetëm sa do të përkeqësohet në vitin 2009, që do të thotë se qeveria do të ketë më pak pará që t'i shpenzojë në armë ruse dhe me pak pará që t'ua japë qeverive majtiste në Amerikën Latine. Nëse Venezuela përjeton një shkrirje të fuqishme ekonomike, Chavez mund të vuajë një humbje politike, pavarësisht nga referendumi i 15 shkurtit.
Si duhet të përgjigjet SHBA ndaj kësaj sprapsjeje të demokracisë së Venezuelës? Gjersa Uashingtoni ka ndikim të kufizuar mbi politikat e brendshme të Venezuelës, administrata e Obamës duhet të punojë me demokracitë e Amerikës Latine dhe të nisë një fushatë që t'i bëhet regjimit të Chavezit presion për shkak të drejtave të njeriut. Do të ishte gabim që qeveria e SHBA të sulmojë Chavezin vetëm, kjo vetëm sa do t'i ndihmonte propagandës së tij. Në vend të kësaj, Uashingtoni duhet t'i rekrutojë shtetet në jug të kufirit. Demokracitë e Amerikës Latine duhet të tregojnë solidaritet me demokratët e shkelur në Venezuelë. Qeveritë dhe OJQ gjithashtu duhen të luftojnë për gazetarët e pavarur të Venezuelës. Pa liri të plotë të shtypit, opozita do ta ketë të vështirë ta ndryshojë opinionin në vend.
Fatkeqësisht, opozita e Venezuelës mbetet e përçarë. Në fakt, dhjetë vjet pasi Chavezi hyri në zyrë, kundërshtarët e tij ende nuk kanë një lëvizje të bashkuar, me bazë të gjerë. Lindja e një lëvizjeje të tillë mund të jetë kritikë në shpëtimin e demokracisë së Venezuelës. Pas votimit të së dielës, koha po ikën me shpejtësi.
Jamie Daremblum, ish-ambasadori i Kosta Rikës në SHBA, është drejtori i Qendrës për Studime të Amerikës Latine në institutin “Hudson”