Shkrimtarët socrealistë ose Kompleksi i Kopilit
Shkrimtarët socrealistë me mendësi të pashqitshme komuniste, me vijimësi në faqen tjetër të sotme, që mbas vitit 1990 e këtej, nga mënyra si sillen, si manovrojnë, si solidarizohen, si përpiqen të përzihen në të gjitha punët - të hyjnë, si i thonë, - “ku leh qen e ku del tym, ku ia bën daullja “bym”, - ata të gjithë i dallon një kompleks i dallueshëm në parehatinë e tyre, kompleks që duhet emërtuar. Gjykuar nga ankthi, nxitimi dhe nami i punëve që bëjnë, ata kam përshtypjen se tradhtojnë pavetëdijshëm kompleksin centripetal të të përzënit nga Parajsa.
Por çfarë është ky Kompleks dhe çfarë është Parajsa?
Meqenëse kompleksi, nga i cili vuajnë shkrimtarët tanë socrealistë, është prodhim vendas, pavarësisht gjenezës dhe shartimit të tyre, e gjej me vend ta pagëzoj atë me një emër po vendas, - Kompleksi i Kopilit, - që mendoj se u shkon fort përshtat. Përse Kompleksi i Kopilit? Gjithmonë gjykuar pas bëmave të tyre, d.m.th., veprës, unë mendoj se ky pagëzim shpreh thelbin dialektik të pulsimit të tyre, andaj le ta këqyrim më imtësisht përkimin dhe analogjinë semantike që u përshtatet me patronimin e ri - Kompleksi i Kopilit. Më së pari do të na duhet të analizojmë semantikën e dy fjalëve që përbëjnë togfjalëshin emërtues. Çfarë do të thotë Kompleks?
Për të qenë të paanshëm, pa i hyrë shfletimit të doracakëve specialë, po zgjedhim shpjegimin e paanshëm të “Fjalorit të shqipes së sotme” (Toena, Tiranë 2002, fq 595-596), ku sqarohet, se Kompleks - i ka këtë kuptim: “1. Tërësia e elementeve përbërëse të diçkaje, që lidhen ngushtë e plotësojnë njëri-tjetrin; tërësi veprash, dukurish etj., të gërshetuara mirë”.
Ju e keni parasysh vetë, edhe me aq sa njihni, se tërësia e veprave të shkruara nga shkrimtarët socrealistë përbën dukurinë e importuar, si mish i huaj në sistemin letrar të shqipes, që e njohim me termin socrealizëm. Dimë gjithashtu, se në krijimtarinë letrare të tyre ata kanë përplotësuar njëri-tjetrin, dhe se të gjitha romanet, dramat, tregimet e novelat, poezitë, poemat dhe studimet kritike të tyre kanë patur si bazë logjike emocionale e filozofike “pasqyrimin e realitetit me vërtetësi objektive” (nënkupto: shndërrimet revolucionare të vendit dhe shoqërisë nën udhëheqjen e Partisë dhe shokut Enver); “kultin e heroit pozitiv (apo skemën që përmend Trebeshina: një i mirë, një i keq, një që ndreqet”).
Ky hero pozitiv, i brumosur me idealet e larta të Partisë, shokut Enver dhe klasikëve të marksizëm-leninizmit, propozohej si shembull frymëzimi për fshatarësinë kooperativiste, klasën punëtore dhe inteligjencien krijuese (a thua se ka inteligjencë jokrijuese!). Përgjithësisht, heroi pozitiv ishte një bocet i njeriut të ri, një mutant gjenetik, gjysmë-njeri, gjysmë-makinë, një lloj roboti alla terminator, që kryente akte vetëmohimi me një krah, a me një këmbë, apo burrni të padëgjuara: mbytej përroskave për të mbërritur te nxënësit, pritej në mes nga traseja, digjej në flakët e pyllit etj.
Muza e përhershme dhe e pashtershme e tyre dihet që ishte Nëna Parti, duke rënë kolektivisht në kompleksin edipal, por ama, me platonizëm e pathos siperan. Si në krijimtarinë letrare, ashtu edhe në atë studimore-kritike, socrealistët ishin mendje dhe zemra të gërshetuara mirë. Në veprat e tyre shkencore, e vetmja bibliografi dhe të vetmet referenca ishin veprat dhe fjalimet e shokut Enver, Mehmet, Ramiz, apo të klasikëve të marksizëm-leninizmit.
Tani do të na duhet të shpjegojmë, pse ky kompleks është i Kopilit. Edhe njëherë, për të qenë të paanshëm, i drejtohemi Fjalorit të shqipes së sotme. Ja se çfarë shkruhet në faqen 602 të Fjalorit: “Kopil, -i 1. Fëmijë mashkull (apo femër: kopile), i lindur jashtë martese; shërbëtor. 2. Njeri i zgjuar e dinak, shejtan. 3. Filiz i ri që nxjerr bima në rrënjë, i cili nuk prodhon”.
Gjithnjë në akord me prodhimtarinë e lartë semantike që kanë tri shkallët kuptimore të përdorimit të kësaj fjale, kemi një përputhje të habitshme kuptimore me thelbin e socrealistëve. Sepse, menjëmend shkrimtarët e realizmit socialist ishin “fëmijë të lindur jashtë martese”, gjykuar nga prejardhja gjenetike e letërsisë shqipe, pasi vetë sistemi politiko-ideologjik i diktaturës që i ngjizi, erdhi si import sovjetik dhe e “prishi qumështin” amtar, me të cilin qe mëkuar letërsia shqipe, sikundërse e bastardoi gjakun e rrembave të Fishtës, Koliqit, Kutelit apo Lasgushit, duke botuar qindra romane-sozi, imitime të llahtarshme skemash nga letërsia më e keqe e socrealizmit sovjet.
Pra, njëherësh, socrealistët tanë përdhosën edhe “lisin e qumështit”, edhe “lisin e gjakut”, duke rënë paraprakisht në një kompleks tjetër bashkëshoqërues - kompleksin edipal të atëvrasjes. Sepse ajo që bënë socrealistët me Nënën e tyre, Partinë, ishte akt edipal atëvrasjeje (pushkatimet, burgimet, nxjerrjen jashtë qarkullimit, ndalimet, internimet e shkrimtarëve dhe intelektualëve që kishin qenë krenaria e letërsisë dhe mendimit shqiptar). Por e gjitha kjo që sapo thamë, bën pjesë në shkallën e parë të përdorimit të fjalës “kopil”, në fjalor, ku thuhet: “shërbëtor”.
A gjenden në këtë drejtim shërbëtorë më të zellshëm se socrealistët tanë?
Duke shqyrtuar përkufizimin e shkallës së dytë kuptimore, shkrimtarët socrealistë njëmend përputhen me thelbin karakterizues (“të zgjuar, dinakë, shejtanë”), çka do të thotë: “zgjuarsi djalli”. Mjafton të mësosh se çfarë “vëllezërish kainë” kanë qenë për njeri-tjetrin, se si e kryqëzonin njëri-tjetrin nëpër plenumet e Lidhjes së Shkrimtarëve, se si u dilnin njëri-tjetrit dëshmitarë në gjyqe, duke qenë pjesëmarrës aktivë të “meshave të zeza”.
Por edhe vepra e tyre “edukuese”, të propaganduara dhe e shtrënguara të mësoheshin me detyrim, përmendësh, me konspekte e referate, shpërndau gjithë rrezatimin e dëmshëm toksik nëpër gjeneratat e reja të njeriut të ri; helmi i dijeve, ndjeshmërisë dhe moralit të tyre ka depërtuar në çdo qelizë të ish-shkollarëve, të cilët edhe sot, tash burra të mëdhenj, nuk kanë mundur dot ta shpëlajnë zhulin e truve.
Madje, ka një varësi prej këtij helmi, pa të cilin ata nuk mund të rrojnë as sot, përndryshe nuk ka si shpjegohet, që edhe tani, fantazmat e kësaj droge djallëzore, - veprat letrare, - i gjen zyrtarisht të miratuara nëpër programet e teksteve të shkollave, gjimnazeve, universiteteve etj. Çfarë na thonë këto vepra socrealistësh sot? Asgjë, përveç nostalgjisë dhe varësisë nga zhuli antisanitar, të cilin, autorët e programeve të teksteve mendojnë se duhet ta shpërndajnë edhe te “generation pepsi-cola”.
Së fundmi shqyrtojmë ngjashmërinë e socrealistëve edhe me semantikën e shkallës së tretë kuptimore të fjalës “kopil” në Fjalor: “Filiz i ri që nxjerr bima në rrënjë, i cili nuk prodhon”. Shkrimtarët tanë socrealistë qenë mish i huaj në trupin e shëndoshë, origjinal e organik të letërsisë shqipe që po hidhte shtat. Ndryshe, shpjeguar me analogjinë botanike, rrënjët e letërsisë shqipe të Fishtës, Koliqit, Kutelit apo Lasgushit kishin formësuar tuberozën e nëndheshme, me lëngun dhe sharmin e supersticionit plazmik atdhetar.
Shkrimtarët socrealistë të Partisë qenë filiza bastarte, parazite, që iu qepën këtyre rrënjëve për t’ia mpirë, tharë e shteruar rezervat jetësore, gjersa e denatyruan, e tëhuajësuan dhe e thanë përgjatë pesëdhjetë viteve. E tëhuajësuan si gjuhë në mjete dhe mundësi shprehëse, nëpërmjet varfërimit dhe standardit ushtarak, e varfëruan si ndjeshmëri, duke i injektuar përjetime dhe emocione psikopatike, e varfëruan si stil, duke ia mërzitur, kancerizuar e diabetizuar gjakun me pathosin e lumturisë trularaskë, realizmit të sheqertë dhe me estetikën e djersës së arave e kantiereve; së mbrami, e përçudnuan si arsye, nëpërmjet papagallizmave të vigjilencës, shfaqjeve të huaja, parullave anormale të tipit: “Të luftojmë rehatinë personale!” etj.
Veprat e shkrimtarëve tanë të realizmit socialist u shkruan nën atë lloj kujdesi, të cilin më së miri e shpreh metafora pedofile - “Dora e ngrohtë” e Partisë.
Por, kur Nëna e këtyre shkrimtarëve, ajo, të cilës i kishin kënduar me zemër të drithëruar e të përpëlitur, - kur Nëna ideale, e bukur e shpirtmadhe - Partia e përjetshme - ra, u lavirua e doli në rrugë, kur bashkë me Partinë, edhe shkrimtarëve të saj, Populli i përjetshëm ua bëri të qartë, që s’janë të një race me të, atëherë, për herë të parë, mbetën mes udhës dhe Kopilët e përjetshëm, me Nënën e tyre - “Laviren e përjetshme, të denjë për respektin e tyre”.
Respekt për shkallën e madhe të mashtrimit dhe të pabesisë? Ajo që ju bëri Nëna Kopilëve ata e përjetuan si padrejtësi: Ajo u kishte dhuruar këtyre shkrimtarëve një kopsht përrallor, një parajsë të kuqe, e cila të përflakej nga afshi i dashurisë dhe besnikërisë ndaj Saj.
Sepse padrejtësia për ta ka të bëjë me faktin, se dikur, Partia, i pati ngritur, ua pati ngulur e rrasur mirë ndër tru idenë e Misionarizmit, u pati dhuruar një popull që t’i lexojë ata me zor, me gjithfarë formash detyrimi. Socrealistët s’ia falin dot Zotit, Historisë, Vetes, që u gjendën ashtu, befas, në konkurrencë. Dhe si pra, kjo Nënë e pabesë e mizore i paskësh gënjyer? Pse s’u paska thënë, se Ata, Shkrimtarët socrealistë, janë krejt ndryshe nga këta të tjerët? Dhe ku paskëshin qenë këta të tjerë? Si nuk e paskëshim ditur t’ua shtypnim kokën që më parë? Në këtë moment shkrimtarët shqiptarë të Partisë e kuptuan që Nëna e tyre kishte qenë Kurvë dhe se, tash e tutje, çdocili prej tyre duhej të gjëllinte si bir Kurve.
Ja pra, pse sot peizazhi i letërsisë shqipe të postkomunizmit është i mbushur cit me bij kurvash. S’është nevoja t’ju betohem: zini n’dore çdo libër të shkruar gjatë këtyre dhjetë vjetësh, poezi, prozë, kujtime, - dhe menjëherë do ta ndeshni të vërtetën e asaj që sapo thamë. Kush ka nerva, le ta bëjë provë me cilindo nga shkrimtarët tipikë komunistë, me veprat fituese të çmimeve me rastin e “25, 35 apo 45 vjetorit të Çlirimit”, apo me serinë e romanit të zgjedhur (srz) dhe serinë e tregimit të zgjedhur (stz), - atë që përfaqëson në letërsinë socrealiste paradigmën “Dora e ngrohtë”, - skematizmin, vulgaritetin, stilin si procesverbalet e rojave të fushës së kooperativave bujqësore.
Por, në përgjithësi, një diagramë e ngjashme, një regjistër i ngjashëm i përfshin të gjithë, me përjashtime tepër të rralla, edhe kur kanë patur kurajën të shkruajnë pas rënies së Nënës. Në përgjithësi shkrimtarët socrealistë e dëshmuan Kompleksin e Kopilit pas rënies së komunizmit: ata e braktisën qenien e mëparshme; u rreshtuan në gjirin e Nënës së Dyzuar me ngjyra kuq e blu: u bënë deputetë, diplomatë, biznesmenë, zyrtarë të lartë shtetërorë, drejtorë institutesh akademike, kryetarë shoqatash joqeveritare apo drejtorë fondacionesh të huaj. Të mbetur tashmë pa mision, edhe shkrimtaria iu zvordh.
Sekti i shkrimtarëve socrealistë është, para së gjithash, Kategori e mynxyrshme, anti-estetike, skizoneuroidale. Sikundërse vampirët e njohin sho-shokun, ata kanë momentin e shkurtër blic, qarkun elektrik apriori të njohjes (sikundër gjithë komunistët), një kod pothuaj mistik, mbas të cilit “komunikimi” është realizuar për t’u kthyer tashmë në solidaritet të pashkatërrueshëm e gjëmëzi.