E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një gjest i ri diabolik

Nga Mero Baze

Regjisori i njohur Kujtim Çashku është në panik. Shkolla e Filmit dhe Kinematografisë “Marubi”, e para e këtij lloji në Shqipëri, rrezikon të mbyllet sot nga forca të policisë. Në historinë e vështirë të mbijetesës së tij si regjisor dhe biznesmen, Çashku ka mundur të gjejë një përkrahje modeste nga ish-kryeministri, Fatos Nano, i cili i ka dhënë një mjedis prej 200 metrash katrorë në përdorim të shkollës. Por, investimet e tij të mëdha në atë shkollë, dhe përdorimi i atyre gërmadhave të ish- Kinostudios për të ringjallur një brez të ri kineastësh, nuk janë përfillur. Nuk janë përfillur as qindra-mijëra dollarë të investuar aty nga donacione perëndimore dhe as ringjallja e një objektivi të dështuar të Kinostudios. Një mendësi burokratike dhe dashakeqe ndaj tij, ka bërë që atij të mos i njihen investimet e bëra dhe t’i faturohen detyrime formale për ta nxjerrë nga godina. Arsyeja është e thjeshtë. Kujtim Çashku ka qenë një mik i ish-presidentit, Sali Berisha, së paku deri në vitin 1996, kohë pas së cilës janë ndarë për çështje parimore. Çashku nuk mbështeti kursin e tij politik, konfliktin me Perëndimin dhe futjen e vendit në spiralen e trazirave. Kjo armiqësi u ruajt gjatë në mendjen e kryeministrit dhe me rikthimin e tij në pushtet, filloi një kalvar presionesh ndaj tij. Një tufë burokratësh i angazhoi t’i faturonin atij detyrime inekzistente dhe të mos i njihnin investimet që ai ka bërë për të ringjallur një mjedis kulturor në Shqipëri. Kjo betejë trevjeçare kundër tij duket se po shkon drejt fundit. Diabolizmi i kryeministrit Berisha, i ndihmuar me sa duket në këtë rast nga aftësia e ministrit Ruli për role të tilla, ka shkuar në ekstrem. Policia mund të bllokojë sot shkollën “Marubi” nën arsyetimin se qeveria do të çojë aty me “bujarinë” e saj kanalin televiziv “Top Channel”. Duke llogaritur zhurmën që mund të bëhej në publik për regjisorin Çashku dhe raportet e tij me Berishën, ky i fundit ka bërë një zgjidhje dhe më diabolike. Do të dalë nesër dhe do të thotë se, “ju që më akuzoni se luftoj mediet kritike, po u dëshmoj se jam mik i tyre dhe po bëj luftë me ish-miqtë e mi, që këto media të strehohen.” Kjo skemë e tij diabolike përfshiu dhe largimin konsensual nga mjediset të NTV, një stacion i afërt me Berishën, por që kishte investuar aty mijëra dollarë. Në shkëmbim të disa favoreve të tjera, ata u larguan pa zhurmë, ndërsa regjisorit Çashku i mbetet të përleshet me policë dhe të përfundojë në komisariat.

Pra, nesër do të shihni Sali Berishën të dalë publikisht të mbrojë “Top Channel”, të ‘kujdeset’ për strehimin e tij, megjithëse i ka zët mediet që kërkojnë të jenë “nën sqetullat e qeverisë”, dhe do të na përrallisë se regjisori Çashku nuk ka paguar qiranë, ka detyrime, etj., etj., dhe nuk do të thotë asnjë fjalë për detyrimet që qeveria ka ndaj investimeve të tij dhe ndaj vlerave kulturore që po prodhon në emër të Shqipërisë.

Kjo skemë diabolike po çon drejt fundit një betejë trevjeçare të Berishës me “Top Channel”. Të gjithë duhet të kujtojmë një konferencë shtypi të ministrit Bode dhe ish-drejtoreshës së Tatimeve, Picari, që thanë se kompanitë e “Top Channel” i detyrohen shtetit rreth 18 milionë euro taksa. Në fakt, asnjë kontroll nuk u përfundua, asnjë faturë nuk u pre, dhe asnjë kërkesë ndjese nga qeveria nuk ka për këtë gjë. Më vonë u vendos që “Top Channel” të hiqet nga mjediset, duke iu lënë afati. Afati u shty disa herë dhe në fund iu dhanë disa mjedise tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot”. Pavarësisht, atyre me “iniciativë” të qeverisë iu janë ofruar dhe 5 mijë metra hapësirë në Kinostudio duke e futur këtë stacion kritik me qeverinë në konflikt me një kanal të vogël televiziv dhe me shkollën e regjisorit Çashku. Tashmë, Berisha ka llogaritur të bëjë marrëdhënie publike me ‘nderin’ që po iu bën armiqve dhe ‘qederin’ që po iu bën ish-miqve duke vrarë kështu me një gur dy zogj.

Dhe është po ky kryeministër, i cili pas më shumë se 40 ditësh, nuk zbaton ende urdhrin e Përmbarimit për të lejuar gazetarët e gazetës “TemA” të hyjnë në redaksinë e tyre, duke bllokuar biznesin e saj dhe duke futur në kolaps botimin e gazetës. Me këtë akt, ky kryeministër ka nxirë imazhin e Shqipërisë me këtë betejë të paprinciptë ndaj medias kritike me të, duke shkaktuar reagimin e gjithë organizatave më serioze të shtypit në botë dhe duke e arkivuar çështjen në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe Departamentin amerikan të Shtetit. I zënë ngushtë nga ky rrethim ndërkombëtar ndaj tij, dhe nga një opinion gjithnjë e më i qartë brenda vendit për ringjalljen e hakmarrjes së tij të verbër ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve, ai po prodhon këtë skenë diabolike, ku zoti Berisha është në anën e “Top Channel”, me qëllim që ne të mos themi se ai është kundër medieve kritike, kurse ne të tjerët të jemi në anën e regjisorit të shquar Çashku, të cilit qeveria nuk i njeh investimet e bëra, por vetëm faturat e shpikura të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›