E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora në Jug, shenjë “pro PD” për Flamurin

Nga Antena brenda familjes

Flamuri ishte dje me dhimbje koke nga telefonatat. Të gjitha komunat e veriut njëra pas tjetrës i binin telefonit të tij. Nuk mjaftonin telefonatat e tyre, por pas çdo minute vinte dhe një mesazh nga ai burri, i cili përcillte te Flamuri mesazhet që i vinin nga zonat e bllokuara. Në telefon, ankesat kryesore ishin se ai burri nuk iu hapte telefonin. Flamuri i sqaronte me radhë se atij burrit duhet t’i nisnin mesazhe, se telefonin s’e ngre. Pastaj ia bënte të keqen vetes, se ai burri mesazhet ia niste Flamurit. Kështu që njeriu më i rëndësishëm i krizës mbetej po Flamuri. Me kë të fliste se?! Poni as që hapte telefonin. Bujar Nishani, po i sëmurë. S’dinte me kë t’i zgjidhte problemet. Të gjithë kishin të njëjtin hall. Nuk kishin më drita, se kishin rënë shtyllat, nuk kishin komunikim, se ishte zënë rruga, nuk kishin bukë, se s’kishte më miell. Dreq o punë, tha, me këta. Mirë që kam ikur nga ato zona, kam shpëtuar, se pa bukë do kisha mbetë. Tentoi të lidhej me familjen në Novosej. I ra telefonit të kryeplakut.

- Si i kam nga shpaja jeme? - i tha.

- Vallahi, majr jan, - i tha kryeplaku, - po s’po dalin, se i mbyti fshati. U thonë: “ǒpo bën ai Fehmia, na lë mes të borës pa bukë?”

- Akoma Fehmi më thoni ju në fshat?

- Or taj, majr që t’thonë Fehmi, se ta dinë që je Flamuri dhe ke gjithë ato gjëra në dorë, i kishin mbytë krejt.

E mbylli telefonin. Filloi të lidhej me gjithë komunat me radhë. E njëjta situatë.

Më në fund u bë i gjallë Poni. Dukej i gëzuar në telefon.

- Flamur, jam në Gjirokastër dhe Sarandë, - i tha. - Sa qejf i madh është, ka rënë borë gjithandej.

- Çfarë qejfi mor idiot, - i tha Flamuri, - se është bllokuar gjithë Shqipëria dhe më kërkojnë vetëm mua llogari. Se ai burri është i zënë dhe gjithë hallet i kam unë.

- Flamur, është fantastike. Gjithë njerëzit kanë dalë rrugëve dhe po çmallen me dëborën. Ka 30 vjet pa rënë dëborë. U thashë, e keni dhuratë nga qeveria Berisha. Janë shumë të gëzuar.

- Mos e thuash në televizion, se na more më qafë, - i tha Flamuri, - se gjithë veriu është i bllokuar dhe duket sikur ua ka bërë qeveria.

- Jo, jo, - tha Poni, - vetëm në jug po e them. Se këtu e kanë me qejf borën.

- Po situata si është? - e pyeti Flamuri i qetësuar pak. - Çfarë mendojnë njerëzit, për kë do të votojnë?

- Tani do votojnë të gjithë për PD, - tha Poni. - Ti e di që ne e kishim problem deri tani, se thoshin që vetëm ata “malokët” votojnë për PD. Tani janë bërë të gjithë “malokë” këtej, se ka rënë borë gjithandej. Ky është ogur i mirë. A kemi thënë që gjithë pjesa që e kap bora voton për PD, gjithë pjesa tjetër për PS. Ja, tani ka rënë borë deri në Konispol. Me PD i ke të gjithë.

- Epo shyqyr, - tha Flamuri. - Çdo e keqe e ka një të mirë. Të paktën të nxjerrim ndonjë përfitim nga moti i keq.

- Po në Jalë, ka rënë borë në Jalë? - e pyeti Flamuri Ponin.

- Po ç’t’u kujtua Jali? - tha Poni.

- Kam hallin e atyre fshatarëve që u ka prishur Jamarbëri shtëpitë, - tha. - Ishallah i zë bora që të votojnë dhe ata për ne. Pastaj ta shikojnë këta të mafies së betonit.

- Bie, s’bie borë në Jalë, ata veriorë janë, - tha Poni. - Ja, lexo librat e Petro Markos, e tregon qartë ai, të gjithë nga Mirdita janë. Kështu që për ne do të votojnë!

- S’e kam lexu këtë, se s’para lexoj më libra. Më ka thënë doktori t’i mënjanoj, se më merren mendtë dhe më vjen për të vjellë, kur lexoj. Po ky Petro Marko qenka burrë i mirë. Pse s’më ka ardhë ndonjëherë emri mua për kryetar komune atje, po më vijnë ca emra kot, që s’i njoh fare?

- Ky më duket se ka vdekur, - tha Poni, - po kam idenë që ishte republikan, jo me PD.

- Sa ters i paska ecur, - tha Flamuri, - se dhe “Mediun e zë libri”, s’para lexon, ndaj s’e paska bërë kryetar komune.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›