Qeveria pranon krizën, shqyrton planin për të ndihmuar biznesin eksportues
Shfaqja e efekteve të krizës ekonomike botërore në ekonominë shqiptare dhe sidomos në bizneset prodhuese ka bërë që qeveria ta shohë më me shqetësim gjendjen dhe të nisë të përpilojë një plan për të ndihmuar disa kategori biznesesh. Të dhëna nga Ministria e Financave thanë dje se specialistë të ministrisë po shqyrtojnë mundësitë që prodhuesit me fason fillimisht të mund të paguajnë në një afat më të madh kontributin e sigurimeve shoqërore për punonjësit e rinj. Ministria e Financave tha se ajo po mendon të rishikojë edhe shkallën e amortizimit të makinerive, e cila aktualisht është në nivelin 15%, me qëllim që të rrisë kapitalin e ndërmarrjeve.
Në lidhje me kontributet e sigurimeve afati mendohet se mund të shtyhet në tre muaj nga një muaj që është aktualisht. Në fakt, biznesi i prodhuesve me fason është më i godituri në vend për shkak të efekteve të krizës ekonomike. Përfaqësues të këtij biznesi prej shumë kohësh kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me rënien e madhe të shitjeve për shkak të rritjes së konkurrencës dhe për shkaqe të tjera që kanë të bëjnë me çmimet e lëndëve të para dhe çmime të tjera që kanë rritur kostot. Biznesi me fason ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë e vendit, pasi ai mbulon mbi 56% të totalit të eksporteve dhe zë me punë një numër shumë të madh njerëzisht që shkojë në dhjetëra mijëra. Rënia e eksporteve e këtij sektori është e dukshme dhe ajo rrezikon të jetë shumë më e madhe nisur nga fakti që kontratat e reja të nënshkruara për këtë vit janë më të vogla sesa ato të vitit të kaluar për shkak të rënies së kërkesës në vendet e Bashkimit Evropian. Masat që po projekton Ministria e Financave për të ndihmuar këtë biznes nuk janë në gjendje të ndryshojnë rrjedhën e këtij sektori dhe biznesi i fasonëve do të kërkojë lehtësi të tjera. Këto masa megjithatë tregojnë se qeveria shqiptare po arrin të njohë faktin se ekonomia është duke përjetuar momente të vështira dhe se kriza mund të nxjerrë jashtë vendeve shumë njerëz. Ministria e Financave dhe qeveria refuzojnë megjithatë të njohin faktin se shumë sektorë të ekonomisë janë në rënie, si ndërtimi apo industria përpunuese.