E Shtunë, 31 Tetor 2026

A na duhet nacionalizmi ekonomik?

30-09-2011 / Nga Ibrahim Rexhepi (Express)

Është jokorrekte që nga popullata të kërkohet të mos konsumojnë artikujt e importuar nga Serbia, përderisa Qeveria nxit importin e pakontrolluar nga ky vend, kurse bizneset secilën ditë në këtë shtet “eksportojnë” së paku nga një milion euro.

Mediat serbe ditëve të fundit e kanë pohuar se Serbia ka nisur të importojë mall nga Kosova. Mirëpo, ato nxjerrin një problem tjetër - thonë se kompanitë nuk janë të interesuara të blejnë mall nga ky vend, meqenëse atë nuk po e blejnë konsumatorët!? Nëse kjo është e vërtetë, atëherë bëhet fjalë për fanatizmin e konsumatorëve, përkatësisht për nacionalizmin ekonomik. Në Kosovë ndodh diçka tjetër - nga Serbia secilën ditë hyjnë qindra kamionë me mallra, madje edhe të atilla që i konkurrojnë produkteve vendore. Lirisht mund të thuhet se që nga heqja e masave të reciprocitetit secilën ditë importuesit kosovarë në Serbi kanë dërguar së paku nga një milion euro.
Ndërkaq, mbesin pa përkrahje dhe pa ndonjë efekt të madh insistimi i vazhdueshëm e Lëvizjes Vetëvendosje! për ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Serbinë, apo karvani promovues i Aleancës Kosovare të Biznesit me moton “Konsumoni produkte vendore”. Pse tregu nuk ka një mekanizëm vetërregullues për “filtrimin” e mallit që për momente të caktuara shkakton dëme, të cilat nuk kalkulohen vetëm me para? Apo, pse konsumatori nuk ka më shumë kujdes se prej nga vjen artikulli të cilin ai e blen? Nga ana tjetër nuk janë të rralla rastet kur prej tyre kërkohet inat, përkatësisht një nacionalizëm më i theksuar ekonomik. Rrethanat aktuale ekonomike e sociale në të cilat gjendet Kosova e bëjnë pak sa të vështirë që konsumatori të marrë në dorë zbatimin e një qëndrimi me interesa madhore kur janë në pyetje raportet me Serbinë. Së pari, tregu është i mbushur me përplot artikuj që vijnë nga vendet e ndryshme të botës, e më së paku me ato nga Kosova, e dyta, niveli i zhvillimit të fuqisë prodhuese është tepër i ulët dhe shumë larg nga mundësia për përmbushjen e nevojave, dhe e treta, konsumatori këtu është i varfër dhe ka të drejtë që të kërkojë mallin që është më i lirë. Prandaj, që të tri këto elemente dëshmojnë se është e pandershme që vetëm prej tyre kërkohet që të injorojnë produktet që vijnë nga Serbia. Apo, që ai të ketë një dozë më të theksuar të nacionalizmit ekonomik.
Mirëpo, ka përplot mundësi të tjera që të rregullohen këto raporte pa e futur aq shumë në siklet konsumatorin. Së pari këtë mund ta bëjë Qeveria e Kosovës, përmes fuqizimit të masave të aplikuara më 25 korrik. “Stop” për importet nga Serbia. Madje, duke parë zhvillimet më të reja tash mund të zbatojë embargon, e jo vetëm reciprocitetin. Ky do të ishte vendimi që mbyll të gjitha spekulimet dhe debatet rreth nacionalizmit ekonomik dhe pranisë së mallrave të huaja në tregun e brendshëm. Po ashtu, do t’i jepte një përkrahje prodhuesve vendorë, meqenëse gjatë kohës së reciprocitetit, asociacionet e biznesit raportuan se prodhimi është rritur deri në 40 për qind. Ndërkaq, importuesit do të jenë të detyruar që të gjejnë burime të tjera për sigurimin e artikujve që mungojnë në treg.
Varianti i dytë, ndoshta edhe më i lehti, është marrëveshje ndërmjet biznesmenëve apo importuesve, që ata vet të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet ekonomike me Serbinë. S’ka import nga ky vend, i cili në vazhdimësi ka pasur qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve. Ata e kanë këtë të drejtë dhe mundësi, ndërsa do të kursenin Qeverinë nga vendimet e rënda politike, ndoshta edhe me pasoja në rrafshin ndërkombëtar, e as nuk do të sillnin në sprovë dinjitetin e konsumatorit.
Por, duket se lakmia për përfitime të shpejta dhe të lehta, si edhe ruajtja e lidhjeve të vjetra tregtare, ata i zhvesh nga ndjenja e të qenit faktorë për forcimin dhe stimulimin e interesave nacionale. Madje, për më keq, gjatë një debati një importues i madh në Kosovë thotë se përkrah idenë se nuk duhet të ketë embargo, e as masa reciprociteti ndaj Serbisë. Ai këtë e arsyeton duke thënë se përmes tyre do të bëhet enklavizimi ekonomik i vendit, meqenëse, për shkak të kufirit poroz, serbët do të furnizohen vetëm nga Serbia, ndërsa shqiptarët nga vendet e tjera. Në këto rrethana ka edhe përkrahës të idesë se në kohën e integrimeve, të tregut të lirë dhe të globalizimit nuk ka vend për nacionalizëm ekonomik. Madje, ata arsyetohen duke marrë për fakt gjendjen në të cilën është Kosova - vend i vogël dhe me pak konsumatorë, me mungesë të prodhimit vendor, e lidhur shumë me emigracionin dhe me remitancat dhe me interesin strategjik që të jetë e lidhur ngushtë me fuqitë e mëdha dhe me Bashkimin Europian. Por, sikurse harrojnë se asnjëra prej këtyre synimeve nuk është e lidhur me Serbinë. Prandaj, ndërprerja e marrëdhënieve tregtare me këtë shtet fqinjë vetëm sa do të ndihmonte lidhjet me vendet e tjera dhe kthimin kah vetvetja.
Ndërkaq, shumë vende të botës, madje edhe me ato me ekonomi të zhvilluara në momentet më kritike iu kthyen interesave të tyre nacionale. Përkundër shumë presioneve nga bota, Kina nuk bën zhvlerësimit e juanit, përkatësisht liberalizimin e kursit të tij, meqenëse interes i saj shtetëror është invazioni në tregun global. Pastaj, para pak vitesh, në kohën e krizës ekonomike, në Britani të Madhe është organizuar një grevë ku është kërkuar “punë britanike për punonjës britanikë” dhe është kundërshtuar punësimi i të huajve - emigrantëve. Përmes pakove për ndihmë, shtetet e fuqishme kërkuan shpëtim për ekonomitë nacionale duke harruar konceptin global, përkatësisht atë të forcimit të tregjeve të tjera me qëllim të rritjes së eksportit të tyre.
Që ta shpëtojë ekonominë nga fundosja, SHBA vetëm industrinë e prodhimit të automobilave e ndihmoi me 17 miliardë dollarë, Britania e Madhe - tre miliardë funta, Franca - 6 miliardë euro, kurse Qeveria gjermane prodhuesve të vet u mundësoi programin për dhënien e automjeteve të reja në këmbim me ato të vjetrat. Pra, secila qeveri ndihmoi prodhuesit dhe konsumatorët e vet.
Pastaj, vendet e zonës së euros, e udhëhequr nga Gjermania, po shkrijnë qindra miliarda euro për mbulimin e minuseve që Greqia i shpenzoi për luks. Ato këtë nuk e bëjnë aq shumë në shenjë solidariteti me grekët, por për të ruajtur valutën europiane - për të shpëtuar vetveten nga vala e krizës. Sipas sjelljes së këtyre vendeve të fuqishme dhe liderë të tregtisë së lirë dhe të globalizimit, në momente të caktuara nacionalizmi ekonomik e ka kuptimin e vet. Pse atëherë ne këtë të mos e zbatojmë ndaj mallrave serbe? Por, ai duhet të nxitet nga Qeveria, të përkrahet nga biznesi dhe të respektohet nga konsumatorët.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›