E Shtunë, 31 Tetor 2026

A pakësohen lexuesit nëse shkruhet gegërisht?!

Në Durrës ka nisur konferenca shkencore me temë “Shqipja në etapën e sotme”: Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, e cila organizohet nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë. Në konferencë kanë marrë pjesë akademikë dhe profesorë të njohur të fushës së gjuhësisë nga vendi dhe bota. Konferenca do të zhvillojë për tri ditë me radhë punimet e saj në pesë seanca gjithsej, dy në ditën e parë dhe të dytë, ndërsa në ditën e tretë që është edhe mbyllja e saj, do të ketë vetëm një seancë. Seanca e parë e ditës së djeshme e titulluar: “Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni” është drejtuar nga Besim Bokshi, Kolec Topalli, Mustafa Ibrahimi dhe Aljula Jubani. Në këtë seancë kanë referuar Akademik Bahri Beci nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me referatin “Historia e standardizimit të shqipes” dhe Akademik Rexhep Ismajli me referatin “Politika gjuhësore”. Më pas, janë mbajtur edhe kumtesat nga profesor doktor Seit Mansaku, Bardhyl Demiraj, Bahtjar Kryeziu dhe Ramazan Paçarrizi. Pas referateve dhe kumtesave ka pasur diskutime të natyrave të ndryshme, por ato janë përqendruar në faktin nëse duhet të futet gegërishtja në standardin e gjuhës dhe si duhet bërë kjo gjë. Akademik Bahri Beci ka thënë se gegërishtja nuk duhet të zëvendësojë standardin e sotëm të gjuhës, ndërsa nga ana tjetër ka shtuar se nëse do të ketë botime zyrtare në gegërisht, lexuesi do të jetë më i paktë në numër sesa ai lexues që kanë aktualisht botimet në variantin zyrtar. Shembull në këtë debat është marrë si shembull libri me kujtime i At Zef Pllumi “Rrno për me tregue”. Në lidhje me qëndrimet dhe standardizimin e gjuhës janë shprehur edhe profesor doktor Mehmet Çeliku si dhe Kolec Topalli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›