Propozimi, task-forcë për luftën kundër terrorizmit

Evropa Juglindore, takim në Tiranë për të forcuar bashkëpunimin kundër aktiviteteve terroriste
Lufta kundër terrorizmit ka mbledhur në kryeqytetin shqiptar për dy ditë delegacione nga vende të ndryshme të Evropës Juglindore. Takimi i Grupit të Punës kundër Terrorizmit për Evropën Juglindore, në kuadër të projektit NEXUS, i cili do të zhvillohet edhe ditën e sotme dhe ku marrin pjesë 19 delegacione, ka pasur në fokus bashkëpunimin e këtyre shteteve në luftën kundër terrorizimit. Një nga qëllimet kryesore të takimit është forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër aktiviteteve terroriste ndërmjet shteteve në rajon (të Evropës Juglindore), si dhe mes këtyre shteteve me shtete të tjera të botës, po ashtu të rrisë rolin e rrjetit task-forcë, si një mekanizëm për shkëmbimin e informacionit për çështje të luftës kundër terrorizmit dhe përdorimin e mjeteve të Interpolit kundër terrorizmit. Takimin e përshëndeti zv.ministri i Brendshëm, z. Avenir Peka, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh: “Shqipëria është një anëtar aktiv i koalicionit global kundër terrorizmit dhe si e tillë, gjatë 5 viteve të fundit ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, si në fushën ligjore ashtu dhe në atë strukturore, për t’i dhënë mundësinë agjencive tona të zbatimit të ligjit që të luftojnë me sukses kundër terrorizmit, për të forcuar kapacitetet tona, rritur bashkëpunimin e brendshëm ndërmjet agjencive tona të zbatimit të ligjit, si dhe forcuar bashkëpunimin me homologët e tyre në rajon, Evropë dhe më gjerë. Unë gjithashtu përfitoj nga ky rast që të falënderoj përfaqësuesit e vendeve partnere dhe Interpol-in në veçanti, për bashkëpunimin mjaft të mirë që i kanë ofruar agjencive tona të zbatimit të ligjit”. Në takim e ka marrë fjalën edhe zv.drejtori i Përgjithshëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, z. Agron Kuliçi, i cili u shpreh: “Përpjekjet tona janë fokusuar për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve rajonale, por edhe vendeve të tjera evropiane që luftojnë kundër terrorizmit, duke vënë theksin në marrjen, administrimin dhe shpërndarjen e informacionit të përbashkët. Angazhimi ynë i përbashkët mbetet rritja e nivelit bashkëpunues dhe koordinues me agjencitë përkatëse rajonale dhe më gjerë, me qëllim që veprimet operative të lidhura me informacionin inteligjent të shkojnë në mënyrë simetrike me çështjet në hetim, pasi vetëm kështu do të arrihen rezultatet e duhura. Ideja e hedhur në këtë takim për krijimin e një task-force mbetet aktuale, pasi do të shërbejë si një mekanizëm për shkëmbimin e informacionit, si dhe përdorimin në kohë të instrumenteve të strukturës së Interpol-it kundër terrorizmit si në nivel kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar”. Ndërkohë, z. Vasilieos Theofilopulos, menaxheri i projektit NEXUS, gjatë fjalës së tij vlerësoi rëndësinë e takimeve të këtij lloji me synim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër aktiviteteve terroriste. “Në përputhje me rekomandimet e adoptuara në takimin e fundit të Grupit të Punës - Projekti NEXUS, i cili u mbajt në Lisbonë të Portugalisë në datat 18-19 maj 2010, ku shtetet anëtare kërkuan rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit në rajonin e Evropës, si dhe takime të rregullta në grup pune për të rritur shkëmbimin e të dhënave, u vendos që të organizohet një takim me grupin operacional, i cili do të fokusohej në rajonin e Evropës Juglindore. Një nga qëllimet kryesore të takimit tonë është të forcojmë bashkëpunimin në luftën kundër aktiviteteve terroriste ndërmjet shteteve në rajon (të Evropës Juglindore), si dhe mes këtyre shteteve me shtete të tjera të botës, po ashtu të rrisë rolin e rrjetit task-forcë, si një mekanizëm për shkëmbimin e informacionit për çështje të luftës kundër terrorizmit dhe përdorimin e mjeteve të Interpolit kundër terrorizmit”, - theksoi z. Theofilopulos.