E Shtunë, 31 Tetor 2026

A po i besojnë spanjollët ETA-s?

Si mediet, ashtu edhe udhëheqësit qeveritar në Spanjë po e trajtojnë deklaratën e ETA-s, për t’i dhënë fund luftës së armatosur, si serioze dhe e kanë pranuar atë me një kënaqësi të kujdesshme. “Do të kemi një demokraci pa terrorizëm”, deklaroi javën e kaluar kryeministri i Spanjës, Jose Luis Rodriguez Zapatero. Sidoqoftë, ETA nuk ka përmbushur gjithmonë premtimet e bëra.

Lajmin të cilin spanjollët e priten për 43 vjet më radhë më në fund u kumtua javën e kaluar. Në një video-xhirim, dërguar medieve, tre persona të maskuar u shfaqën në ekran dhe deklaruan:”ETA ka vendosur që përfundimisht ti jep fund aktiviteteve të veta të armatosura”. Dhe me këtë, duket se përfundoi edhe dhuna separatiste, e cila ka munduar Spanjën për më shumë se katër dekada dhe i ka kushtuar me jetë 829 personave.

Në shumë aspekte, ishte kjo një vdekje e paralajmëruar. Gjatë disa viteve të fundit, ETA, e cila u themelua në vitin 1959 për të luftuar për një shtet të pavarur bask dhe e cila ndërmori sulmin e parë në vitin 1968, u dobësua në vazhdimësi, përderisa thirrjet për paqe u forcuan, madje edhe në radhët e aleatëve historik të këtij grupi. Por ky lajm nxiti debatet në radhët e spanjollëve se cilat ishin arsyet për këtë deklaratë dhe ndoshta më me rëndësi, debatin në lidhje me atë se a mund t’i besojnë ata fare ETA-s.

“Nuk befason fakti se kjo ka ndodhur”, thotë Ignacio Sánchez-Cuenca, ekspert i shkencave politike në Institutin Huan March në Madrid dhe autor i disa librave për ETA-n.

“Po i thjeshtësojë gjërat, por mund të vërehen dy arsye thelbësore: vetë fakti se ETA është zbehur, kjo ka bërë më të lehtë kontrollin politik të grupit, përderisa në të njejtën kohë përkrahja për një zgjidhje politike në radhët e nacionalistëve të majtë baskë është forcuar”, shtoi ai.

Bashkëpunimi mes autoriteteve spanjolle, franceze dhe portugeze ka dobësuar kryesinë e ETA-s gjatë viteve të fundit, duke e lënë këtë grup me vetëm rreth 50 pjesëtarë aktivë. Mbi 700 anëtarë të dënuar të këtij grupi separatist janë duke shërbyer aktualisht dënimet me burg, ndërsa ETA nuk ka ndërmarrë sulm që nga marsi i vitit 2010, ndërsa sulmi i fundit i ndërmarrë në territorin spanjoll ishte ai në qershor të vitit 2009.

Për ekspertin e sigurisë, Ignacio Cosido, anëtar i parlamentit nga radhët e partisë opozitare, Partia Popullore, këto përpjekje shpjegojnë se pse ETA ka theksuar se po heq dorë nga dhuna.

“Deklarata ka qenë e pritur, duke pasur parasysh efektivitetin e policisë dhe të forcave të sigurisë. ETA ka kuptuar se është aq e dobët, sa që nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër”, tha Cosido.

Por qartazi se këtu edhe politika ka luajtur një rol. Në shkurt, Batasuna-partia ilegale, e cila për një kohë të gjatë është konsideruar si krah politik i ETA-s-kumtoi se e refuzon dhunën dhe se do të dënojë aktet e dhunës të ETA-s. “Në atë moment, vota mposhti plumbin. Ishte e qartë se e majta patriotike vendosi që t’i qaset politikës”, thotë Brian Currin, ndërmjetësuesit nga Afrika e Jugut, i cili luajti një rol vendimtar në negociata për paqe në rajonin e Baskisë.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese ndaloi partinë Sortu, një parti me lidhje të qarta me Batasunan, që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në maj, ajo lejoi koalicionin e ri të partive pro-pavarësisë, të quajtur Bildu, që të marrë pjesë në këto zgjedhje. Bildu fitoi 25 për qind të votave dhe aktualisht kontrollon qeverinë komunale të San Sebastianit, si dhe ato të disa qyteteve tjera.

Prania e tyre në pushtet e ka bërë ETA-n të parëndësishme. “Ishte pikërisht përkrahja që shoqëria baske ja dhe Bildus momenti, kur ETA e kuptoi se dhuna është e pakuptimtë. Koalicioni i dëshmoi ETA-s se politika funksionon”, thotë Rafa Larreina, udhëheqës i partisë Eusko Alkartasuna, një nga partitë në radhët e koalicionit Bildu.

Si mediet, ashtu edhe udhëheqësit qeveritar në Spanjë po e trajtojnë deklaratën e ETA-s si serioze dhe e kanë pranuar atë me një kënaqësi të kujdesshme. “Do të kemi një demokraci pa terrorizëm”, deklaroi javën e kaluar kryeministri i Spanjës, Jose Luis Rodriguez Zapatero.

Sidoqoftë, ETA nuk ka përmbushur gjithmonë premtimet e bëra. Në vitin 2006, ajo shkeli armëpushimin e vetëshpallur, duke aktivizuar në vitin 2006 një bombë në aeroportin e Madridit.

“Përvoja na bën të kujdesshëm”, thotë Cosido, i cili ishte në një takim më pjesëtarët e sigurisë, kur ETA deklaroi se do të ndal luftën e armatosur. “Reagimi i parë ishte mosbesimi. Deklarata me gjasë është më e fuqishme dhe më e qartë se ato paraprake, por ETA ka shkelur premtimet e bëra edhe në të kaluarën”, shtoi ai.

Në anën tjetër, të tjerët theksojnë se nuk ka arsye që të mos i besohet ETA-s.

“Ka dallime të rëndësishme me deklaratat e kaluara. Fillimisht, ETA në prill ka njoftuar se do të heq dorë nga i ashtuquajturi tatim revolucionar-zhvatjen e fondeve nga ana e kësaj organizate. Pa financim, ETA nuk mund të ekzistojë”, theksoi Larreina.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›