Tunizia voton

Të 217 deputetët do të përgatisin kushtetutën e re, mbi bazën e së cilës do të organizohen zgjedhjet e reja presidenciale dhe parlamentare.
Lëvizje e majtë me orientim centrist, panarabizëm, apo socializëm shkencor?
Vendimi nuk ka për të qenë i lehtë.
Më shumë se 100 parti kërkuan votën nga tunizianët.
Vëzhguesit mendojnë se në fund në asamble do të përfaqësohen rreth 10 parti, por listës do t'i shtohen edhe kandidatët e pavarur, pra persona të paangazhuar në parti.
Ky numër i madh partish, nuk është diçka e pazakontë për Tunizinë, shpjegon Asiem El Difraoui, ekspert për Tunizinë në fondacionin gjerman për shkencën dhe politikën.
Që tani mund të hetohen tri rryma më të fuqishme politike.
Njëra është grupimi i revolucionarëve të rinj dhe aktivistëve politikë, që duan një Tunizi tërësisht moderne, por që vetë nuk kanë krijuar asnjëherë një parti.
Një palë tjetër është krahu politik i ish-anëtarëve të qeverisë, që vërtet kanë shërbyer nën regjimin e Ben Alisë, por kanë qenë opozitarë të pashpallur.
Edhe këta duan një Tunizi liberale, laike dhe moderne. Por ndikimin më të fuqishëm e ka islami politik i përfaqësuar nga partia e En-Nahda (Enhada) që është persekutuar nën regjimin e Ben Alisë.
Enhada, pritet që të fitojë më së shumti vota, por raportet thonë se nuk është ende e qartë nëse do të arrijë të fitojë shumicën.