E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libia shpall çlirimin, Kosova uron popullin e këtij vendi

Libia ka deklaruar çlirimin e vendit nga sundimi 42 vjeçar i Muammar Gaddafit, të cilit i erdhi fundi me zënien dhe vrasjen e tij javën që po e lëmë pas, e që la Libinë në tranzicion drejt demokracisë.

“Deklarojmë para mbarë botës, se e kemi çliruar vendin tonë të dashur, me qytetet e tij, fshatrat, kodrat e larta, malet, shkretëtirat dhe qiejt,” tha një zyrtar, i cili e hapi ceremoninë në Bengazi, vendi ku ka filluar kryengritja në shkurt, e që ka qenë edhe selia e Këshillit Kombëtar Tranzitor.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në emër të Qeverisë së Kosovës ia ka dërguar një letër urimi Këshillit Kombëtar të Libisë, duke iu uruar popullit Libian për çlirimin e vendit nga regjimi totalitar i Muammar Gaddafit.

"Populli dhe Qeveria e Republikës se Kosovës dëshirojnë t'iu përgëzojnë per çlirimin tuaj nga sundimi totalitar 42-vjecar i Muammar Gaddafi. Çlirimi i vendit tuaj shënon fillimin e një epoke te re për Libinë, e cila sot është e gatshme t'i ndërtojë institucionet demokratike", thuhet ne këtë telegram.

Me tej thuhet se ne këtë proces, Republika e Kosovës inkurajon Këshillin Kombëtar te Libisë, qe pas përfundimit te dhunës dhe frikës qe ndjelli për vite Muammar Gaddafi, te fillon ndërtimi i një sistemi te drejtësisë, qe është i bazuar ne respektimin e te drejtave te njeriut.

"Vdekja e regjimit tiranik te Gaddafit paraqet një mundësi për një marrëdhënie te re, kuptimplote mes Libisë dhe Kosovës. Qeveria e Kosovës mbështet formimin e një Qeverie te përkohshme ne Libi dhe është e gatshme te ndaje përvojat nga procesi i tranzicionit ne Kosove", thuhet ne telegramin e urimit nga Ministri Hoxhaj, dërguar Keshillit Kombëtar te Libisë.

Duhet theksuar se ndër shtetet e para që menjëherë ka uruar popullin libian ishte Kosova.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›