E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura e madhe dhe diktatura

Refleksion

Duke
mos pretenduar profetizimin, shikoj dy rrugë të ndryshme që ndjekin kortezhet e
atyre që ikin nga kjo botë. Nëse ish diktatorit, dhe në përgjithësi diktaturave
iu dhunohet edhe gjithë balta mbi varr, një lloj dhune që sikur donte të ishte
ekuivalente e frikës me të cilën vet diktatori e ngriti diktaturën mbi burgjet,
pushkatimet, internimet, mbi qindra të vrarë, të zhdukur, të përndjekur, të
persekutuar, varrës së Pashko Gjeçit, ashtu si pararendësve të tjerë si ai, do
ketë dritën e kaltër të parajsës, asaj parajse që edhe vet përkthyesi e
dallonte kur shkruante kulturën e tij mes prangave

Nga Miranda Haxhia

Kur të gjithë filluan të pikëllohen dhe shpien
kurora në Teatrin Kombëtar në nder të përkthyesit të njohur Pashko Gjeçi, për
një çast e humba fillin e mendimeve, sepse mu kujtua fjala e Ramiz Alisë në
mbledhjen me dyer të mbyllura në vitin1989 dhe më tronditi fakti që shumë nga
ato teza që Ramiz Alia hodhi në atë mbledhje, sot janë verifikuar.

Ata që janë nëpër burgje,- theksonte R.A.,-
të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, do të flasin për ne dhe
do të na shajnë. Dhe këta dihet që e urrejnë komunizmin, por do të na afrohen e
do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do ti afrojmë
dhe do tu japim punë të parëndësishme; por kurrë nuk do ti lëmë të na marrin
pushtetin

Alia harroi se të burgosurit, të persekutuarit
kanë pasur një tjetër lloj karte mbi të cilën ngritën moralin e tyre, ishin vet
kultura, brumi nga i cili ishin gatuar. Njerëzit më të shquar, intelektualët më
të mirë, të shkolluarit në perëndim përfunduan në baltën e kënetës famëkeqe të
Maliqit, në burgjet e përjetshme të dhunës. Mes kohës së shkuar, para vitit 44
dhe pas vitit 90, u krijua një hendek i madh që u popullua më dogma
staliniste, kulturë kineze dhe një pseudoshkollë ku edhe sikur të mos kryeje shkollë
partie i kishe në sistem një serë filozofësh të kësaj natyre. Dhe kemi shumë
bij të etërve që duke luajtur me kartën e demokracisë kërcasin dhëmbët dhe
mprehin po aq egër sa etërit e tyre.

Ajo që nuk parashikoi Alia ishte se të
dënuarit nuk mësuan kurrë të shajnë, të urrejnë, të hakmerren. Hera herës
sfidojnë me kulturën e tyre të madhe, të thellë, pothuaj të pakrahasueshme me
dhjetëra modele që serviri socializmi gjatë gjithë kohës së vet.

Pashko Gjeçi, iku, por ajo që mbetet nuk është
një gropë e zezë, por fasha e një drite të madhe kulture dhe qytetërimi deri në
detaje. Për këtë intelektual, u fol shumë, por çfarë kujtese do gjendet për
gjithë krijesat që dolën nga një eksperiment kulturor i një sistemi totalitar,
kur tu vijë dita dhe të ikin nga kjo botë? Sepse më tremb ajo kultura cunge me
të cilën u formuan shumë njerëz që sot luajnë tavëll duke gjuajtur e goditur
shtetin që tenton të mbahet, të forcohet, të bëjë rrugën që nuk e bëri dot
gjithë klasa intelektuale e para44- rrugën e demokracisë.

Duke mos pretenduar profetizimin, shikoj dy
rrugë të ndryshme që ndjekin kortezhet e atyre që ikin nga kjo botë. Nëse ish
diktatorit, dhe në përgjithësi diktaturave iu dhunohet edhe gjithë balta mbi
varr, një lloj dhune që sikur donte të ishte ekuivalente e frikës me të cilën
vet diktatori e ngriti diktaturën mbi burgjet, pushkatimet, internimet, mbi
qindra të vrarë, të zhdukur, të përndjekur, të persekutuar, varrës së Pashko
Gjeçit, ashtu si pararendësve të tjerë si ai, do ketë dritën e kaltër të
parajsës, asaj parajse që edhe vet përkthyesi e dallonte kur shkruante kulturën
e tij mes prangave.

Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të
moshuar, vijon më poshtë Ramiz Alia në mbledhjen e vitit 1989,- nuk kanë fuqi
dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta,
duke iu dhënë një pasaportë dhe duke u bërë presion, do ti largojmë nga
Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo këmbëngulin, do të
lëndohen dhe ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket Neve, se ne e bëmë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›