E Diel, 1 Nëntor 2026

Bëje vet !

Ky urdhër divin, kjo ftesë e epërme, ky apel njerëzor me tingëllim sa poetik edhe praktik, sa i butë dhe i egër, sa i thjeshtë dhe i thellë, sa i qetë dhe tronditës, është i shkruar hiç më pak se mbi murin i një supermarketi veglash në Kashar aty ku kthen rruga për në Rinas.
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që muri i supermarketit të veglave të hijeshohet në stil kaq të lartë.
Bëje vet !
A të tronditin këto dy fjalë, a ta rrëqethin mishin, a ta shkundin trurin ?! Apo s'të thonë ndonjë gjë, s'ta lëvizin fare qerpikun ?!
Bëje vet !
Lexoje edhe një herë, edhe dy herë, edhe tri herë, edhe shumë herë! Në të gjitha mënyrat. Ditën dhe natën. Vetëm dhe në praninë e të tjerëve. Pa zë dhe me zë. Pa muzikë dhe me muzikë në sfond.
Përsëri s'ndizesh ?! Akoma s'prekesh ?! Ende s'kupton ?!
Atëherë vepro ndryshe. Bërtiti, ulëriti, klithi ato dy fjalë. Si të mundesh. Duke ndërruar theksat, duke zgjatur zanoret, duke rënduar bashkëtingëlloret. Fort, sa më fort. Sa tavani të rrëzohet. Sa dheu të tundet.
Epo pas kësaj diçka do të ketë lëvizur brenda trurit. Më së fundi një lidhje do ta kesh bërë. Diçka do kesh kuptuar nga slogani që të fton të bësh gjithçka me duart e tua, me fantazinë tënde, me dëshirën tënde për t'i shtuar edhe ti diçka kësaj bote. Që ta provosh se nuk je skarcitet biologjik që në botë ka ardhur vetëm për të bërë hije apo parazit social që vetëm merr, që vetëm ha e pi e 10 e gris, pra që vetëm konsumon, por njeri që e justifikon ekzistencën edhe duke dhënë, duke futur në punë mendjen, duke vënë në lëvizje gjymtyrët, duke përdorur dijet, shqisat, fantazinë, ndjeshmërinë, imagjinatën, aftësitë kreative.
Vetëm në Shqipëri dhe vetëm me shqipen mund të ndodhë që slogani me natyrë urdhërore mbi murin e një supermarketi të jetë një kombinim verbal i jashtëzakonshëm me tingëllim poetik tmerrësisht tronditës që ndryn brenda vetes edhe individin dhe aksionin, edhe heshtjen edhe ulërimën, edhe lirinë dhe skllavërinë, edhe dinjitetin edhe poshtërimin.
Dhe thonë se shqiptarët i janë larguar poezisë! Broçkulla poetësh të dështuar që me poezinë s'i lidh asgjë! Sot në Shqipëri atë që s'po e bëjnë poetucët llafazanë mbi fletë librash po e realizojnë biznesmenët me slogane poetike mbi mure supermarketesh.
Bëje vet !
Ekziston edhe në gjuhë të tjera: Do it yourself, Fai da te, Hecho por sí mismo, Kendi işini görme. Madje, nga ato gjuhë edhe është marrë. Por, ndërkohë që shqip ato dy fjalë të vetme gjëmimtare me kuptim aq prekës dhe me tingëllim poetik, aq frymëzues, aq hovndjellës, aq shpresëdhënës, në të tjera gjuhë duken krejt pa jetë, të fikura, të vdekura, të ngordhura.
Bëje vet !
Aq e madhërishme është kjo shprehje, sa pa frikë mund të thuhet se këto dy fjalë mund të klasifikohen edhe si kombinimi verbal më i bukur i gjuhës shqipe.
Nuk është teprim !
Të jesh a të mos jesh ?! Ka nam të madh, por nuk është fort bindëse përderisa nuk mund të shtrosh pyetje e të zgjidhësh dilema nëse "s'je". E meqenëse "je", dhe diçka duhet të bësh, dy fjalët ulëritëse, të cilat, veç tjerash, brenda vetes ndryjnë edhe dilemën hamletiane, edhe zgjidhjen e saj, shko se i ke atje ku të thashë, mbi murin e supermarketit të veglave në Kashar.
Bëjë vet !
Për një mijë arsye !
Pak sfond nga historia e afërt e Shqipërisë dhe e shqiptarëve kur Shqipëria ishte Gestapo, nëpunësit dhe artistët terroristë propagandistikë, rrugët dhe makinat inekzistente dhe sendet e konsumit po ashtu, s'është kurrë i tepërt, s'bën kurrë keq.
Koha kur kryevepra e Perëndisë, individi, shtypej dhe tallej deri edhe përmes vargjesh "të zgjedhura" nga letërsia "botërore" si: "Njëshi send i kotë" dhe kur gjithkund e gjithmonë, nëpër aksione rinie, punë vullnetare dhe nisma nga më absurdet me rezultatet katastrofike që stërnjihen, pra koha kur "të gjithë së bashku" ngrinin piramida faraonike për të shkatërruar mijëra e mijëra jetë njerëzish, nuk është e largët. E vërteta është se edhe në atë kohë parimi "Bëje vet !" zbatohej. Por në mënyrën më perfide, më djallëzore. Secili urdhërohej ta bënte vet, jo punën e vet, por punën e tjetrit. Veprohej në këtë mënyrë për ta shkatërruar individin. Jo me një dilemë të vetme si ajo anglezja e Hamletit që padrejtësisht mbahet më e madhja, por me dy dilema shqiptare njëherësh: Punën e cilit bëj unë ?! Cili bën punën time ?! Veprohej në këtë mënyrë që të mungonte hapësira që mundëson individualitetin, ngre personalitetin, lejon iniciativën, respekton intimitetin. Dhe vendin e asaj hapësire ta zinte yndyra e frikshme rrëshqitëse e pasigurisë dhe dyshimit ndaj tjetrit dhe ndaj të gjithëve. Kështu ndodhi që Shqipëria u shndërrua në një govatë të ngushtë druri dhe shqiptaria u kthye në një masë të brumtë intimiteti të pështirë brenda asaj govate në të cilën shqiptarët mbështilleshin e çpështilleshin mes vedi si gjarpërinj në stinë riprodhimi.
Merre me mend o qyq sa e përbindshme ishte e gjitha kjo po të zësh e të mendosh se kurrë nuk i thoshin, ta zëmë, këtij këtu ik bëj vet punën e atij atje dhe atij atje eja bëj vet punën e këtij këtu. Jo ! Kurrkush nuk e dinte punën e kujt bënte ! Kaosi duhej të ishte i përsosur. Bashkimi bën fuqi, ishte përrallë propagandistike. Sinergjizmi nuk duhej të ekzistonte.
Dihet kujt i vjen tharët dhe cilët mrrylen kur kujtohen këto tmerre. Nënracës së shqiptarëve, larvave komuniste, pjellave bastarde, pararoja e pinjojve të papërtuar të prapavijës së baballarëve të lodhur nga krimet, atyre që lëvizin si vemje me pseudonime nëpër blogje. S'ka problem. Janë të vetmit që bëjnë vet të vetmen gjë që nuk duhet bërë vet, seksin. Se larvat seksin nuk e bëjnë kurrë si e ka falur Perëndia, pra me dy, por gjithmonë, ose vetëm me veten, ose me më tepër se dy, si mbledhje kolektivi, pra orgji.
Bëje vet !
Rrethanat dramatike të jetës nën diktaturë më kanë bërë mua një lloj pionieri në të bërit e punëve vet, kur Shqipëria ishte bosh, pa vegla, pa supermerkata, pa asgjë. Nga radioja tek magnetofoni, nga konvertitorët për të parë televizionet e fqinjëve tek qindra projektet për t’u arratisur dhe ndryshime e modifikime, përshtatje e përmirësime të pafundme, unë i kam bërë vet.
Bëje vet !
Sepse s'ka piktor që përveç pikturës të mos dojë të bëjë vet edhe ngjyrat, edhe penelat, edhe kornizat, edhe bezet, madje edhe fushat dhe qiejt që pikturon nëpër tablotë !
Bëje vet !
Sepse s'ka skulptor të mos dojë t'i përgatisë vet, jo vetëm shtatoret, por edhe daltat, edhe çekiçët, edhe skelat, madje edhe heronjtë prej mishi që gdhend në gur.
Bëje vet !
Sepse s'ka arkitekt të mos dojë t'i bëjë vet, jo vetëm muret, hollet dhe korridoret, por edhe tullat, edhe llaçin, edhe aluminin, edhe qelqin, edhe pjesët e drunjta, mor po edhe njerëzit që do jetojnë brenda godinës, edhe sportistët që do popullojnë stadiumin, edhe udhëtarët që do shkelin autostradën.
Bëje vet !
Shih vet ! Dëgjo vet ! Ndiej vet ! Nuhat vet ! Fol vet ! Shkruaj vet ! Udhëto vet ! Nxirri përfundimet vet ! Puno vet ! Ndërto vet ! Fito vet !
Bëje vet !
Bëje bukur! Bëje shpejt! Filloje vet ! Vazhdoje vet ! Mbaroje vet !
Tani që në Shqipëri ka gjithçka, mundesh.
Se shqiptari vet bën edhe botën !

edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›