A po përkeqësohet cilësia e jetës qytetare?
Nga Gëzim Tushi
Fenomenet e jetës sociale në shoqërinë shqiptare, në disa aspekte janë shqetësuese. Madje, treguesit më sintetikë të jetës, kulturës së qytetërimit dhe performancës individuale të qytetarit, të para në pamje të parë duket sikur po përkeqësohen. Këtë kurbë të zhvillimit të qytetërimit modern ka patur parasysh sociologu dhe psikologu Eric Fromm, kur shkruante se në kohën moderne Breznitë përkeqësohen gjithnjë e më tepër. Në fakt ngjarjet që po ndodhin, dukuritë e jetës sociale që rëndohen, nuk mund të na justifikojnë ndërgjegjen, duke menduar se në qytetërimin tonë të sotëm, po ndodh diçka e dyshimtë, që ngjan më shumë me një shembje e pavëzhguar e të papërkufizueshme.
Në se duam seriozisht të merremi me performancën sociale të shoqërinë tonë, dhe të përballemi me fenomenet shqetësuese të qytetërimit, duhet së pari të bëjmë atë që duhet. Kjo gjë e duhur mund të bëhet në se kemi apo bëjmë njerëzit duhur. Ndaj, në se duam të rregullojmë shoqërinë, jetën sociale, qytetërimin tonë, është detyrë emergjente që të merremi si duhet me problemet e koklavitura të qytetërimit tonë. Së pari të kuptojmë të vërtetat e realitetit që janë shqetësuese dhe duhet na shqetësojnë. Së dyti në këtë rrugë që të intervenojmë si duhet për të ndikuar pozitivisht, është e domosdoshme të kuptojmë imperativin që kanë sjellë dukuritë sociale, shqetësimet qytetare, të cilat tregojnë se shoqërisë tonë i ka ardhur koha e duhur, kur për hir të zhvillimit të qytetarisë dhe qytetërimit duhet sens logjik dhe sociologjik më të prerë, në mënyrë që të bëjmë dallimin esencial të vlerave dhe veseve sociale të qytetërimit të sotëm.
Sepse qytetërimi duke ecur me rrjedhje të lirë, fare pa kuptuar dhe reaguar në mënyrë autentike është duke deformuar vetveten. Ndërkaq, qytetërimi ynë është duke dalë nga tranzicioni, fenomenet sociale, morale dhe kulturore të të cilit janë duke u shfaqur në mënyrë komplekse në format më ambiguide të qytetërimit. Ky aliazh sociologjik i fenomeneve dhe realiteteve kërkon ndarjen, diferencimin e duhur të dukurive. Sidomos të atyre që janë shtuar dhe bërë më intensive pas viteve 90-të. Dukuritë e qytetërimit të sotëm kanë nevojë të kenë emrat e tyre. Sepse shpesh ngatërrojmë veten, nga që nuk kemi të qartë në se janë fenomene, dukuri apo vese të reja të qytetërimit modern, apo thjesht degradim i përshpejtuar i anomalive të njohura të jetës tonë sociale e tradicionale të së kaluarës. Këto ndarje në strukturën dhe esencën e qytetërimit tonë, nuk kanë aq shumë rëndësi teorike e sociologjike se sa praktike dhe jetike. Sepse herë pas here gjërat duhen ndarë, në mënyrë që nga njëra anë konceptualisht dhe teorikisht të mos i ngatërrojmë dhe në të njëjtën kohë ambiguidetet sociologjike të fenomeneve dhe dukurive të qytetërimit tonë, të mos bëhen pengesë që ngatërrojnë jetën e përditshme të qytetarit.
Natyrisht, duke u marrë me këtë aspekt të deformimit të qytetërimit dhe jetës tonë qytetare, nga ndikimet e lulëzimit pa kontroll i veseve sociale, duke kërkuar argumente për të parë më nga afër realitetin e shfaqjes së tyre, me dëshirën për të bërë analiza konkrete të situatës, me qëllim që diagnoza sociale e veseve të qytetërimit tonë të jetë sa më afërt të vërtetës dhe realitetit imediat shqiptar, kam hulumtuar në mendimin modern sociologjik bashkëkohor. Shpesh jam përballur me analiza sociale dhe argumentime sociologjike, që janë kontribute teorike me rëndësi fondamentale për përcaktimin e shkaqeve të deformimit të situatës sociale dhe morale të shoqërisë dhe qytetërimit të sotëm. Një pjesë prej të cilave fare të ngjashme nga tipologjia e tyre me fenomenet e qytetërimit tonë.
Në këto kushte, besoj se fenomeni i deformimeve sociale të jetës qytetare dhe të prishjes së cilësisë së qytetërimit, për shkak të përhapjes dhe zgjerimit të pranisë së veseve sociale, mund të shpjegohet në mënyra të ndryshme nga autorë të ndryshëm. Kjo edhe për shkak të përthyerjes së dukurive universale në realitetet kontekstuale, të cilat padyshim që kanë ndikim në sasinë, cilësinë dhe intensitetin e përhapjes së tyre. Megjithatë, duke bërë krahasimin e problemeve (veseve të qytetarit apo deformimet e qytetërimit), më duket se si për qytetërimin tonë edhe atë global ka një arsye, që sipas mendimit tim duhet vlerësuar sepse më duket se është i përbashkët.
Dhe kjo duhet jo për të justifikuar praninë e veseve të qytetërimit, deformimet e sjelljes dhe anomalitë e zgjeruara të komportimit social të qytetarëve që kanë cënuar staturën e qytetërimit dhe mundësinë e ndërtimit të qytetërimit me vlera të shëndetshme të shoqërisë dhe të qytetarit të moralisht të shëndoshë. Kjo arsye, sipas sociologëve të qytetërimit dhe jetës urbane është tipikisht situatë e përgjithshme e shoqërisë dhe qytetërimit modern global, e lidhur me faktin se në shoqërinë e sotme qytetërimi është rreptësisht pa pauza, nën ndikimin e orientimit materialist të jetës së njeriut. Kjo është arsyeja që si kudo edhe shoqëria, qytetërimi dhe qytetarët tanë po bëhen gjithnjë më shumë qytetarë sasiorë se sa cilësorë. Kjo ka bërë që qytetërimi të inondohet nga njerëz që kanë sjellë këtë shoqëri që mbështetet tek shumësia e atyre tërësisht pa parime, të cilët hiqen si të emancipuar duke u pajtuar me fjalëkalime të reja dhe moda të reja sjelljeje, në një konsensus anonim dhe xhelatinoz shoqëror. (Claudio Magris, Panairi i tolerancës, f 34)
Në këto kushte është zgjeruar qëndrimi pajtues me veset e qytetërimit, mungesa e vlerësimit dhe reagimit qytetar dhe të qytetëruar ndaj tyre. Duke patur një masë të përbashkët të adoptimit social me realitetin e deformuar, është e natyrshme që të mos bien në sy, madje mund të mësohemi dhe përshtatemi me jetën e deformuar sociale. Gradualisht në shoqërinë modern po krijohet një ideologji e re sociale me të cilën njerëzit nisen nga parimi reduksionist, se veset individuale të kohës së sotme, mund të bëhen pjesë e moralit publik dhe vlerave të qytetërimit të nesërm. Kjo mund të ndodhë sepse po jetojmë në kohën, kur Shoqëria dhe ndërgjegjja nuk përbëjnë më një mur kundër çrregullimeve të tilla, një mur që sa më i fortë të jetë aq më shumë i zmbraps si topat. (Claudio Magris, Panairi i tolerancës, f 35)
Shqetësimet për deformimet e qytetërimit dhe shformimet e qytetarit, në kohën e sotme janë të përmasave ekzistenciale, në raporte të tilla kritike, sa që ndonjëherë të duket sikur bota universalisht ka hyrë në etapën e një qytetërimi sui generis dhe kjo e bën qytetarin të jenë i detyruar të mësohet të bashkëjetojë organikisht dhe në mënyrë të natyrshme me praninë e zgjeruar të vesit social. Por gjërat kanë masën e tyre të ekzistencës. Qoftë edhe në këtë bashkëjetesë të qytetarit me veset e imponuara të qytetërimit.
Qytetërimi sot dhe në të ardhmen, me siguri që nuk mund të ecë përpara, në se do të udhëhiqet nga filozofia sociale e deformuar, moralisht degraduese, sipas të cilës në këtë qytetërim mund të bëhet moto teza se çdo gjë lejohet. Në se do ndodhë kështu, atëherë duhet të pranojmë të jetojmë në një qytetërim anormal në të cilin, Asgjë çnjerëzore nuk është e huaj. (Jodeph Ramoneda, Fundi i pasionit politik f. 49)
Por ky nuk është ogur i mirë për qytetërimin. Në analizat që i kanë bërë shoqërisë moderne filozofët dhe sociologët kanë arritur në përfundim, se qytetari që jeton i humbur në zallahinë e shoqërisë moderne, gjithnjë e më shumë do të bëhet njeri individualist, që do të përpiqet të adoptohet me kërkesat e jetës dhe i orientuar nga veset e përgjithshme të qytetërimit. Besoj se ka një rrezik që ka filluar të evidentohet në shoqërinë dhe qytetërimin tonë. Është fjala për shfaqjen e një tipologjie të re të qytetarit, i cili duke mbivlerësuar lirinë dhe duke mohuar përgjegjësinë, mund të bëhet qytetar i një qytetërimi pa koordinata soci