Horoskopi i zgjedhjeve vendore të Kosovës
Që, pa u çekue data e zgjedhjeve, lajmërohet joserioziteti ndaj tyre, çka të shtyn të mendosh se për ku mbahen ato zgjedhe lokale?!-Për Serbi apo për Kosovë?! Dhe ku duhet të bëhen propozimet dhe të merren mendimet e të gjitha palëve që participojnë në zgjedhje dhe të gjendet një koeficient i përbashkët, që të jenë të lira dhe në vijën demokratike, për çka e kemi gojën plot, ndërsa veprimi është krejt ndryshe! Siç po shihet yrneku, do të dominojë tollovia në këto zgjedhje të reja po me recetën e vjetër, të cilat ishin zgjedhjet më të manipuluara në territorin tonë, prej të cilave dolën edhe organet e manipulimit, që nxorën në vendet kyçe të institucioneve njerëzit me biografi të dyshimtë, të korruptuar e të kriminalizuar, prandaj edhe u bë ajo që nga masa nuk pritej; degradimi i shtetit, uzurpimi i lirisë dhe i posteve dhe u bë thellimi i hendekut që të shërbejë për varr kolektiv. Hashim Thaçi, ka marrë mbi vete detyra me përgjegjësi, të cilat as pozita, as kushtetuta nuk ia garantojnë, pos homologut të tij, Ivica Daçiq, nga i cili për çdo veprim duhet, më parë të merr miratimin, kurse vendit që duhet ta konsideroj për pozitën që i ka dhuruar, ia ka me hile dhe me nënçmim të tepruar. Nuk besoj që këtij havadyzllëku mund t`i dal në krye. Te na, mjerisht, mbisundon një ide absurde, ku të gjitha partitë e partiçkat e preferojnë kreun e shtetit dhe çdo person që është “diçka” në parti, nuk ecë tokës, por me lundrën e ëndrrës niset drejt majës së kupolës dhe pastaj, i hutuar mbetet mbi kapak të gjygymit në një deponi të bërllokut partiak. Bëhen biseda (pazare) partiake për koalicion, por nuk mund të dakordohen, sepse janë vetëm tri vende kryesore në shtet, ndërsa pretendentë ka me mijëra! Po mu këtu qëndron pika e dobët që pengon koalicionet normale. Ndonëse, sipas mendimit tim, në zgjedhjet e ardhme nuk do të ketë fitues fiktiv, prandaj, deshën apo nuk deshën detyrohen të bëjnë koalicion në kuptim të gjerë, ku do të përfshihen të gjitha partitë që e kalojnë pragun zgjedhor, e që kjo do të jetë qeverisje teknike, ku ndryshon vetëm termini.
LDK-ja sillet vetëm brenda rrethit të vet, pa e begatuar qeverisjen me risi dhe me kuadra të reja, çka do ta shtyjë drejt humbjes apo drejt kërkesës për koalicion. Si dhe shumë anëtarë të saj me përgjegjësi vazhdojnë të hanë me dy lugë, duke e gënjyer elektoratin, anëtarësinë dhe simpatizantët, të cilët me një qëndrim më dinjitoz të udhëheqjes partiake, me dëshirë do të aderonin aty. Nuk i është kushtuar kujdes i mjaftueshëm që të rinovohet partia me forca të reja e të shkolluara, por edhe me njerëz që kanë imixh të konsideruar, si z.Dom Lush Gjergji, z.Jusuf Buxhovi e shumë të tjerë që do të kontribuonin në ngritjen e kualitetit partiak dhe në prosperitetin e saj, çka do të ishte me dobi të madhe, jo vetëm për LDK-në, por për mbarë Kosovën. Ndërsa, PDK-ja tash angazhon SHIK-istët militantët dhe argatët, me nga një trastë të holla për të blerë vota dhe popullarizuar “shpirtorësinë” e kësaj partie, e cila është e gatshme të përdorë të gjitha metodat vetëm e vetëm për të fituar zgjedhjet, se po ndodhi ndryshe, kanë frikë nga hapja e dosjeve dhe atëherë u shkon gjahu në shpuzore. Prandaj bëjnë premtime të rrejshme për përmirësim të kushteve të jetës, për hapjen e vendeve të reja të punës; se kanë kontratë që ta mbjellin hënën dhe ta eksplorojnë marsin, kurse transporti i mbetët tjetër kujt….(!)
Zgjedhjet bëhen edhe, pa kursyer shantazhimet dhe bëhet blerja apo edhe frikësimi i disa kuadrove të partive të tjera, të cilëve u mungon UNI dhe guximi e koncepti moral. Unë nuk pres risi nga këto zgjedhje, pasi që llogaria është bërë ende pa u caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve. Këtu nuk shoh fitues, por vetëm humbës, ku të gjithë do të provojnë të marrin nga një asht, sipas kaçikut të vet! Duhet që zgjedhjet domosdoshmërisht të përcillen nga shumë vëzhgues të huaj, që t`i mbyllet dera hajnisë, grabitjes dhe dallavereve të tjera, të cilat na kanë qitur dhe nëse përsëriten do ta qesin faqen e zezë, duke na futur në rangun e ligjit të Xhunglës. E drejta e votës nuk guxon të nëpërkëmbët. Vota është e drejtë juridike dhe e shenjtë, prandaj votuesi nuk duhet të votojë me sy mbyllur, por paraprakisht mirë të mendohet se për kë po voton, sepse me të voton për të ardhmen e vet dhe të brezit në rritje.
Ata që kanë humbur në zgjedhjet e kaluara, me apo pa fajin e tyre, tash gjinden në zonën e rreptësisë dhe nuk kanë të drejtë të rikandidohen, sepse dëmtojnë partinë dhe rendin shoqëror dhe për momentin nuk kam ide fiktive se si duhet të ndëshkohen për humbjen. Por, kjo duhet të ndodh. Të shpresojmë se zgjedhjet që po afrojnë, të mos keqpërdoren, të mos keqtrajtohen dhe le të fitojnë meritorët, ata që kanë dije, ide, ndjesi kombëtare e guxim për ta çuar vendin drejt progresit, duke marrë shembull vendet e përparuara demokratike. Njerëzit që do të zgjidhen nuk guxojnë të jenë pjesë e bandës kriminale, nuk guxojnë të jenë të korruptuar dhe as elastik që me lehtësi pranojnë vasalitetin, duke ia dorëzuar të huajve frenat dhe timonin e lirisë, i cila ka peshë dhe çmim që nuk guxon të nëpërkëmbet dhe as të falet. Njerëzit që do të zgjidhen duhet ta kenë kurajon dhe betimin për ruajtjen e paprekshme të gjeografisë së trollit. Për angazhimin serioz për të pagjeturit dhe për kërkimin dinjitoz në zbardhjen e krimeve, të cilat janë të shumta dhe kështu qysh janë, nuk janë vetëm plagë e dhembje, por edhe mallkim për Kosovën. Të shpresojmë në një qeverisje dinjitoze, në shërbim të popullit dhe vendit, se po u përsërit: Na e hëngër qeni shkopin.